Aksidentoi policët/ Zbardhet dëshmia e 22-vjeçarit. “Isha shumë shpejt, nuk munda të frenoja kur pashë policinë”

0
150

Ditën e djeshme prokuroria dorëzoi dosjen në gjykatë, kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg”. Arnold Kola akuzohet për  veprën “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “drejtim automjeti në gjendje të  parregullt”

 

Besar Bajraktaraj

 

Detaje të reja vijojnë e zbardhen lidhur me aksidentin e ndodhur mbrëmjen e të dielës në Kamzë, ku pas përplasjes së mjeteve mbeti i vdekur një oficer policie dhe u plagosën dy kolegët e tij, të cilët ndodheshin në patrullim. Ditën  e djeshme  mësohet se prokuroria e Tiranës ka dorëzuar në Gjykatën e Tiranës dosjen hetimor për shtetasin Arnold Kola 22-vjeç, djalin e ish-deputetit të partisë socialiste. Shtetasi Kola është shkaktari i vdekjes së efektivit të policisë mbrëmjen e të dielës, ngjarje e ndodhur në Kamzë, në “Bulevardin Blu” pranë shkollës “Ibrahim Rugova”. Mësohet se ditën e djeshme akuza ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 22-vjeçarin. Ai është arrestuar edhe në vitin 2015 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur. Shkaktari i aksidentit Kola akuzohet për veprën “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “drejtim automjeti në gjendje të  parregullt”. Gjithashtu ditën e djeshme është zbardhur dhe dëshmia e 22-vjeçarit lidhur me aksidentin e shkaktuar ku humbi jetën oficeri i policisë. Sipas burimeve mësohet se ai ka shprehur pendesë për ngjarjen e ndodhur dhe ka deklaruar se ka qenë tepër shpejt në atë moment dhe nuk kishte mundur të frenonte në momentin që ka shikuar dritat e fugonit të policisë. Ai gjithashtu ka pohuar se natën e aksidentit po udhëtonte nga Shkodra, drejt Tiranës, pasi kishte konsumuar disa gota alkool me një mik. Kola ka pretenduar se ka kryer një parakalim në të djathtë, ndërsa nuk e kishte kuptuar se para kishte pasur një automjet. “Parakalova dy makina në krahun e djathtë. Pashë që kisha një mjet, por nuk e kuptova çfarë ishte. Nuk e pashë makinën e Policisë. Pasi parakalova dy mjetet në krahun e djathtë vendosa të bëj parakalimin tjetër në krahun e majtë, por nuk arrita të kaloj. Aty godita në cep fugonin. Vetura ime u përmbys, ndërsa fugoni i policisë u përplas me disa vetura që ishin të parkuara anës rrugës”, u shpreh shtetasi Kola lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 25 Shtatorit. Më tej në lidhje me shkakun e aksidentit Kola, ka pranuar fajësinë dhe ka pranuar se ka qenë në gjendje të dehur, ndërsa testi i policisë ka konfirmuar se ai ishte në gjendje të dehur, me 0.57 mg/l alkool në gjak. “Isha në Shkodër. Aty piva disa gota me një shok dhe pastaj u nisa për në Tiranë. Gjatë rrugës eca shpejt. Në Kamzë, ndodhi aksidenti ku godita makinën e policisë”. Aksidenti ndodhi mbrëmjen e së dielës përballë shkollës “Ibrahim Rugova” në Kamëz, kur Kola, që udhëtonte me një automjet tip “Lexus” godit furgonin e policisë që patrullonte me 20 km në orë. Por sipas grupit hetimor disa nga deklaratat e shtetasit Kola nuk janë të vërteta, kjo sipas mekanizmit të aksidentit dhe vendit ku ka ndodhur goditja e mjetit të policisë. Disa nga deklaratat nuk janë të vërtetas sipas grupit hetimor pasi vendi i goditjes nuk përputhet me atë që pretendon autori. Tentativat e tij për tu justifikuar lidhur me aksidentin e rëndë nuk ndryshojnë fajësinë e tij. 22-vjeçari është djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste Ndue Kola të qarkut Shkodër i zgjedhur në vitin 2009. Mbrëmjen e aksidentit, Kola udhëtonte më 140km/h. Nga hetimet konstatohet se shkak i aksidentit dyshohet shpejtësia jashtë normave të lejuara dhe gjendja e dehur e 22-vjeçarit gjatë kohës që drejtonte automjetin. Arnold Kola është ndaluar edhe në vitin 2015 për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Gjatë kontrollit  të policisë Kola ka rezultuar nën ndikimin e masës 0.57mg/l dhe 0.53 mg/l.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency