Shpërthen Izmir Smajlaj: Bursa ime, në xhepat e drejtuesve të KOKSH-it

0
265

Atleti i Vllaznisë dhe i kombëtares që mori pjesë në Olimpiadën e Brazilit, Izmir Smajlaj, i ka kthyer përgjigje presidentit të Federatës së Atletikës, Gjergj Ruli, për pretendimet se nuk ka qenë i stërvitur mirë duke thënë se përgatitja e tij ka qenë maksimale. Smajlaj, edhe pse atlet olimpiade, nuk ka marrë bursën që i takon dhe, për këtë, akuzon për abuzim Komitetin Olimpik Shqiptar për abuzim.

Ai tregon se ndihet i zhvlerësuar edhe nga qyteti i tij, sepse jo vetëm që nuk i ofrohet asnjë kusht, por nuk ndjen as ngrohtësinë institucionale. Si shkak i mosvlerësimit dhe mungesës së kushteve, Izmir Smajlaj mund të largohet nga Shkodra drejt Tiranës apo dhe jashtë Shqipërisë. Shkodrani ka rrëfyer në një intervistë të gjatë problemet me të cilat përballet dhe situatën e vështirë në të cilën ndodhet aktualisht.

 

Presidenti i Federatës së Atletikës deklaroi se jeni një talent, por nuk jeni stërvitur mirë duke iu referuar rezultatit në Olimpiadën e Brazilit. Cili është qëndrimi juaj?

Kemi bërë çmos me trajnerin tim Vildan Tufi duke pasur parasysh kushtet ku kemi qenë ne, në një pedonale mes shiut e të ftohtit, ku kam bërë stërvitje që nga janari e deri në Olimpiadë dhe besoj që kam arritur mjaftueshëm. Ky ka qenë viti i suksesit për mua, sepse i kam arritur të gjitha, kam thyer rekordin e kërcimit së gjati, rekordin në trehapësh, kam hyrë në finalet e kampionatit europian dhe kam arritur që të jem një prej atletëve pjesëmarrës në Olimpiadë. Këto nuk janë gjëra të vogla në kushtet në të cilat jam stërvitur.

Si ishte Olimpiada, keni bërë një analizë të ftohtë për mënyrën se si shkoi?

Faktikisht Olimpiada ishte një arritje shumë e madhe për këtë vit, një eksperiencë shumë e mirë për mua dhe trajnerin tim. Në Olimpiadën e Brazilit u ndjemë pak inferiorë me të tjerët, pasi nuk i kishim të gjitha gjërat si të tjerët, si nga baza materiale që të linte për të dëshiruar. Atletët e tjerë ndërronin nga 3-4 palë kostume brenda ditës, ndërsa ne kishim vetëm një uniformë, e cila ishte skandaloze. Nuk kishim uniforma firme si të tjerët. Për këtë e ka fajin Komiteti Olimpik Shqiptar.

Pse nuk arritët rezultatin që ju dëshironit?

Besoj se emocioni është më i madh se në të gjitha garat e tjera, sepse të shohësh një stadium plot mbetesh pa fjalë kur futesh në garë. Po ashtu kur ke të bësh me më të mirët e botës kjo ndikon. Gjithsesi, gara është garë dhe njëherë merr rezultat pozitive dhe njëherë nuk arrin atë që dëshiron. Nuk është e thënë që të kërcej gjithmonë mbi rezultatin tim. Kjo i ndodh kujtdo.

Nuk u ndiet të barabartë?

Jo, i barabartë jam ndier, sepse të them të drejtën edhe të tjerët nuk kanë asgjë më shumë se unë, përveç kushteve apo bazës materiale.

Çfarë ndikoi në rezultat?

Po them se kushtet ku jemi stërvitur. Është normale që të ndikojnë kushtet ku jemi stërvitur, sepse të bësh stërvitje në pedonale është turp.

izmir smajlaj

Juve nuk u është dhënë bursa olimpike, çfarë ka ndodhur?

Në fakt, bursat jepen dy vite përpara Olimpiadës. U jepen atyre sportistëve që janë pretendentë për të shkuar në Olimpiadë si një ndihmë. Pra, bursat olimpike u jepen sportistëve që marrin pjesë në Olimpiadë. Nga ne që ishim atje vetëm Luiza Gega e kishte bursën. Unë u thashë se përse nuk e kam marrë bursën dhe m’u përgjigjën se s’kam qenë pretendent përpara dy viteve.

Dakord u thashë, përpara dy viteve nuk kam qenë, kurse përpara një viti po, kam qenë pretendent për në Olimpiadë dhe i pyeta se ku shkoi bursa ime. Se ku ka shkuar? Në xhepin e tyre apo se ku, nuk e di. Në xhepin e atyre që janë në Komitetin Olimpik. Pse të mos e merrja unë bursën, sepse nuk është se është vendosur një muaj para se unë do shkoja në Olimpiadë.

Kjo është caktuar që para 6 muajsh dhe që atëherë, të paktën, është dashur që të më jepej bursa mua. Nuk e kam marrë dhe s’kam për ta marrë dhe kjo është një padrejtësi që bëhet dhe nuk e di se si arrin Komiteti Olimpik ta bëjë këtë dhe se ku i çon këto bursa nuk e di. Ua shpërndan disa sporteve që nuk asnjë lidhje as me Olimpiadën dhe as për asgjë.

Cila ka qenë përgjigjja?

Jo, eja në Tiranë dhe shikoji letrat.

Mund ta ketë përfituar një sportist tjetër në vendin tuaj?

Tek atletika jo. Nuk arrij ta kuptoj se ku kanë shkuar dhe më shumë se në xhepat e tyre nuk kanë shkuar askund tjetër.

Si po trajtoheni në Shkodër?

Isha në Armeni dhe mora medaljen e arit në një garë atje duke kërcyer 7.85 dhe duke përmbyllur këtë vit me aktivitetet sportive. Për momentin, jam pushim dhe javën tjetër nisi stërvitjen. Nuk e di se si t’ia bëj me këto kushte stërvitore që kam, sepse unë dua që të kap rezultat, por me këto kushte është shumë e vështirë.

Si po ndiheni në Shkodër, flasim për trajtimin, vlerësimin?

Respektin nga qytetarët e Shkodrës e ndiej. Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës nuk ka dalë njëherë për të më pritur me të gjithë këto rezultate, me të gjithë këto tituj dhe pjesëmarrjen në Olimpiadë. Është dashur që kryebashkiakja të na presë, të paktën sa për të na bërë qejfin. Unë paguhem vetëm me 40 mijë lekë të rinj nga “Sport Klub Vllaznia” dhe asgjë më shumë nga Shkodra.

Mjaftojnë këto para për ju?

Nuk kanë se si të mjaftojnë, sepse vetëm proteinat kushtojnë 30 mijë lekë të rinj në muaj. Po edhe këpucët, baza materiale apo gjëra të tjera që kanë kosto të larta. Tani sapo kam porositur këpucë nga Londra dhe kushtojnë 130 paund, para të cilat duhet që t’i paguaj nga xhepi. Nuk kam arritur që ta takoj kryebashkiaken, edhe pse kemi kërkuar që ta takojmë së bashku me trajnerin tim, por nuk na është bërë e mundur.

izmi-smajlaj

Cili është mesazhi ose qëndrimi juaj në këtë situatë?

E ndiej veten të zhvlerësuar, të paktën për të na pritur dhe për të na bërë qejfin, kaq është minimalja.

Për shkak të këtyre situatave jo të favorshme që për ju vazhdojnë prej vitesh, e keni menduar largimin nga Shkodra?

Unë i kam menduar të gjitha mundësitë edhe brenda Shqipërisë, edhe jashtë saj, për të shkuar në një vend ku munden të më punësojnë, të më rrisin rrogën dhe të më japin bonuse të tilla duke më paguar proteinat e vitaminat dhe bazën materiale. Normalisht që do të ikja. Si do të rri unë me 40 mijë lekë të rinj këtu, kur vetëm proteinat dhe vitaminat që duhen, kushtojnë 30 mijë lekë të rinj, plus baza materiale. Çfarë mbetet tjetër? Nuk jam në një pikë të favorshme për të qëndruar, por për t’u larguar.

Keni pasur ndonjë ofertë?

Kemi pasur oferta dhe, nëse nuk bëhet ndonjë gjë në Shkodër, do ta diskutoj me trajnerin tim për të parë se ku është më mirë. Më vjen keq që të shkëputem nga Shkodra, por nuk kam zgjidhje tjetër.

Një problem tjetër për ju janë sponsorët, ka sponsorë që afrohen?

Ka sponsorë që janë të interesuar, por kjo duhet bërë me kërkesë nga federata, nga “Sport Klub Vllaznia”, nga bashkia, në mënyrë që të bëhen të gjithë bashkë për të na ofruar diçka të mirë. Bashkia Shkodër mundet që të më gjejë një vend pune, të gjejë një sponsor, por nuk është duke e bërë.

Si e mendoni të ardhmen?

Me këtë sport nuk ke asgjë të sigurt. Nëse një ditë dëmtohesh, të gjithë të lënë në rrugë dhe nuk t’i bie askush telefonit. Nëse lë sportin, nuk ke se ku të punë- sohesh, të ikin pagat, të ikin të gjitha dhe s’di ç’të them…

izmir-smajlaj

Aktivitetet e ardhshme?

Është kampionati ballkanik në shkurt të vitit të ardhshëm në Turqi, Lojërat Mesdhetare, kampionati europian i sallave të mbyllura dhe kampionati botëror dhe në të gjitha këto gara të rëndësishme pretendoj për medalje. Në kampionatin ballkanik dhe Lojërat Mesdhetare pretendoj medalje të artë, në kampionatin europian të sallave të mbyllura pretendoj finalen dhe një prej tre vendeve të para, pra medalje, dhe të njëjtën gjë edhe në kampionatin botëror. Besoj se mund t’ia arrij qëllimit, edhe pse me kushtet që janë në Shkodër është shumë e vështirë. Duhet që të kemi mbështetje dhe të na i paguajnë disa gjëra dhe të na i mundësojnë disa gjëra që kemi nevojë.

Sa do të ndikojë eksperienca në Olimpiadë për të arritur rezultate pozitive?

Ndikon, sepse atje është një eksperiencë ndryshe. Kam arritur që të mësoj shumë gjëra të reja, të shoh gjëra të reja, të kontaktoj me shumë atletë të huaj për stërvitjen apo gjëra të tjera. Besoj se 2017-ta ka për të qenë viti i suksesit edhe më shumë se 2016-ta.

Ndiheni si i vetmuar për shkak të problemeve që ju vetë thatë?

Nuk kam pasur mbështetjen e duhur dhe kështu i bie. E kisha pagën në Shkodër nga “Sport Klub Vllaznia” 30 mijë lekë të rinj dhe vetëm dy muajt e fundit m’u bë 40 mijë lekë të rinj. Normalisht që më vjen keq dhe kërkoj mbështetje, sepse një sportist pa përkrahje s’ka sesi i arrin rezultatet.

Nëse ju largoheni nga Shkodra, i trembeni një paragjykimi në Shkodër, cili do të ishte qëndrimi juaj?

Nuk jam i vetmi sepse janë larguar edhe sportistë më të mirë se unë. Njeriu ikën sepse kërkon të krijojë diçka në të ardhmen dhe, nëse e lë sportin, çfarë mund të bëj unë këtu në Shkodër? Nëse Shkodra më ofron vend pune, më gjen sponsor, më rrisin rrogën, atëherë unë qëndroj, sepse jam në shtëpinë time.

Në të kundërt?

Në të kundër do të largohem./panoramasport

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency