Kryeministri Edi Rama është detyruar të japë edhe një herë “shpjegime” për ligjin e miratuar në Kuvend për lejimin e importit të mbetjeve. Pas furtunës që së reagimeve që ka ngritur kjo çështje në rrjetet sociale, Rama është munduar të sqarojë me një status në Facebook se debati është një “zhurmë që bëhet për interesa politike”.
“Zhurma e orkestruar e atyre që duan të nxjerrin përfitime politike duke trembur njerëzit dhe e atyre që nuk duan të dëgjojnë po vetëm të flasin, është edhe këtë herë një thikë e cila u ngulet pabesisht në tru njerëzve që për shkak të tmerreve e poshtërsive që kanë parë apo pësuar në të shkuarën, e dëgjojnë këtë kor zhurmaxhinjsh profesionistë!” – shkruan Rama i cili më tej thotë se ligji i miratuar në Kuvend nuk ka lidhje me importin e mbetjeve për magazinim.
“Ligji i votuar mbrëmë nuk ka asnjë lidhje me plehrat ogurzeza, po është vetëm një hap i natyrshëm dhe i domosdoshëm për të normalizuar situatën ligjore në lidhje me riciklimin e mbetjeve të listës së gjelbërt të Bashkimit Europian; për të fuqizuar industrinë e lehtë të riciklimit me qëllim rritjen e përpunimit edhe të mbetjeve të vendit”- shprehet kreu i qeverisë shqiptare.
Në fund Rama “ngre zërin” duke mos u përmbajtur me ata që kritikojnë këtë ndryshim të Ramës.
“Dëgjojeni mirë: Falimentimi i kësaj industrie sot, do të thoshte një Shqipëri më e ndotur nesër! Jo më kot e gjithë pjesa e shëndoshë e specialistëve të mjedisit dhe e ambientalistëve që pasion ka mjedisin jo protestat pa arsye, kanë dhënë kontribut në hartimin e ligjit dhe e mbështesin atë.
Të tjerat janë broçkullat e radhës që dalin nga kazani i politikës së ulët të interesave të atyre që donin të digjnin në Shqipëri, plehrat e importit!” – e mbyll postimin e tij Edi Rama.