Deklarata shokuese e mjekut të “Koço Gliozhenit”: Nëna mund të ishte shpëtuar!

0
289
Shefi i Shërbimeve në maternitetin “Koço Gliozheni”, Orion Gliozheni deklaroi në Top Story se rasti i 35-vjeçares Aida Çakja, që humbi fëmijën dhe më pas edhe vetë jetën thuajse një javë më parë, mund të ishte trajtuar me sukses nëse në këtë spital do të ishin pajisjet e nevojshme.
“Nuk kemi mjek specialist kardiolog në spital dhe laboratori ynë nuk ofron një sërë analizash. Kjo nuk është normale. Një aparat ekografie në urgjencë është i domosdoshëm dhe nëse do të ishte, sigurisht varet edhe nga aftësia e mjekut të turnit, rasti në fjalë mund të ishte diagnostikuar”, tha ai.
Megjithatë, mjeku obstetër-gjinekolog thotë se nga analiza e thelluar që i është bërë rastit në fjalë është arritur në përfundimin që në gjendjen që ka mbërritur pacientja është tejet e vështirë që të diagnostikohet një çarje e shpretkës.
“Mjekësia ka shumë mundësi, por ka edhe gjëra të kufizuara. Mjeku shumë gjëra shëron, por shumë të tjera nuk mund t’i shërojë. Shumë të tjera janë të pabesa dhe të vështira për t’u diagnostikuar. Për rastin konkret, edhe literatura ndërkombëtare e specialistëve më në zë thotë se vdekshmëria e një gruaje shtatzënë që ka një çarje të shpretkës shkon deri në 75 përqind, ndërsa e fëmijës deri në 95 për qind”, deklaroi ai.
Mjeku u shpreh se sistemi funksionoi, por kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë që të njihet më thellë me problematikën e spitaleve.
“Ministria e Shëndetësisë të zgjohet dhe të bëjë një bashkëpunim më të mirë me të gjithë spitalet. Të dëgjojë problemet e tyre dhe t’i zgjidhë nëse ka mundësi. Ka një handikap, që Ministria ose nuk kupton problematikën, ose nuk ka mundësinë që t’i bëjë disa gjëra të vogla”, thotë mjeku Gliozheni.
Në fund, mjeku obstetër-gjinekolog pati kritika edhe për prokurorinë për mënyrën sesi e trajtoi rastin në fjalë.
“Për mua është e papranueshme, është e turpshme sjellja e drejtësisë me mjekët. Është krijuar një tension si rezultat i gjithë ndërhyrjeve që janë bërë nga drejtësia”, tha Gliozheni. / Top Channel
Tipi
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency