Miss & Mister Droga

0
244

Nga Edmond Tupja

Kur, më në fund, u shemb diktatura hoxhiste dhe Shqipëria jonë, e lirë në miell dhe e shtrenjtë në krunde, u shndërrua në një shtet tmerrësisht demokratik duke hedhur një hap të guximshëm drejt integrimit të pashmangshëm në gjirin e vendeve të zhvilluara demokratike të shtrenjta edhe në miell, edhe në krunde, u shfaq madhështore dhe e papërballueshme një dukuri e panjohur deri atëherë për shqiptarët, një dukuri kulturore (gjuhët e liga thonë pseudokultorore), e cila, paralelisht me seritë amerikane dhe telenovelat latino-amerikane, i ngazëlleu, gati i mrekulloi gratë e të rejat shqiptare.

E kam fjalën dhe penën për spektaklet e tipit “miss” (për një germë do të kishim “mish”) të tilla si Miss Universi e Miss Globi, Miss Europa, Miss Shqipëria e Miss Albania, Miss (Krye)Qyteti e Miss Fshati, Miss Universiteti e Miss Gjimnazi, Miss Shkolla e Miss Klasa, Miss Pallati e Miss Shkalla (sidomos për paraadoleshentet që, brenda disa vitesh, harruan ose lanë mënjanë lodrat e moshës së tyre si shtëpiash, ngrivashkriva, petash, kukafshehtas, topagropthi, luftash e ta lashë), pa hyrë në hollësi të tilla si, për shembull, Miss Buzëqeshja, Miss Fotogjenia e ndonjë tjetër.

Për fat të mirë, nga kjo mani socialkulturore shpëtuan institucioni të tilla si Kryeministria e ministritë, prokuroritë, gjykatat e burgjet, ambulancat, klinikat dhe spitalet me pavijonet e tyre (E përfytyroni dot, të dashur lexues të rregullt e të çrregullt të kësaj rubrike të përjavshme, një situatë në kuadrin e së cilës të thuhej e të shkruhej “Miss/Mister Kryeministria takoi Miss/Mister Spitalin psikiatrik; Miss/Mister Ministria e Drejtë- sisë apo Ministria e Brendshme takoi Miss/ Mister Burgun etj., etj?).

Kjo dukuri, për mendimin tim krejt modest, por jo krejt të gabueshëm, ngjalli shpresa të mëdha te masa e të rejave shqiptare për t’u afirmuar jo vetëm në shkallë kombëtare (nuk qenë fort të rralla ato Miss Shqipëria apo Miss Albania që gjetën vende pune në poste të rëndësishme si, për shembull, shefe kabineti pranë filan ministri), por edhe në shkallë ndërkombëtare falë konkurrimit për Miss Europën, Miss Globin e Miss Universin (ndoshta me shpresë për t’u bërë shefe kabineti në strukturat e Bashkimit, Parlamentit apo Komisionit Europian, Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe, në një të ardhme të përfytyrueshme, në institucionet përfaqësuese të planetit Tokë jashtë sistemit të saj diellor).

Por e tashmja e lumtur dhe e ardhmja edhe më e lumtur e Shqipërisë sonë tmerrësisht demokratike i rezervojnë rinisë entuziaste shqiptare një surprizë fantazmagorike: Në kuadrin e çmuar të rritjes së sipërfaqeve të mbjella në vendin tonë me një bimë shpëtimtare për jashtëzakonisht të bollshme që sjell furnizimi me atë i tregjeve ndërkombëtare dhe, pas disa vitesh, ndërplanetare, duket se së shpejti në skenën e Pallatit të Kongreseve do të kemi kënaqësinë, nderin, privilegjin dhe lumturinë e parrëfyeshme të jemi të pranishëm në një spektakël, qëllimi i të cilit do të jetë konkurrimi për një Miss dhe një Mister të tipit më befasues në historinë e misseve dhe të misterve shqiptarë: Miss & Mister DROGA.

Thuhet se më të fuqishmit e rruzullit tokësor kanë vendosur që kjo ngjarje me rëndësi botërore, e cila do të shënojë një etapë të re në superzhvillimin e njerëzimit, do të rrezatojë nga Tirana dhe pikërisht nga Pallati i saj fatlum i Kongreseve. Shqiptarja dhe shqiptari që do të shpallen Miss dhe Mister Droga do të emërohen Ajo Sekretare e Përgjithshme dhe e Veçantë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndërsa Ai Kryetar Ekzekutiv Ekskluziv i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kështu do të përmbushet më në fund dëshira e zjarrtë e Naim Frashërit, i cili, në fund të shekullit XIX, shkruante për Shqipërinë ende nën zgjedhën e pushtuesve osmanë: “Lum kush të rronjë / Ta shohë Zonjë!”/panorama

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency