Analiza e fenomenit/ Rikthimi i “fluturakëve”, 3-vjetori i qeverisë dhe beteja e kanabisit

0
316

Rikthimi i fenomenit të trafikimit të drogës përmes rrugëve ajrore u rishfaq në kulmin e debatit mes palëve politike pas zgjedhjeve në Dibër

 

Gëzim Saliu

 

Në 15 shtator të vitit 2013, qeveria “Rama” u betua para Presidentit për të nisur rrugën e saj në plotësim të mandatit 4-vjeçar të fituar në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Për rastësi, po në këtë ditë, por tre vite më pas, pra në 15 shtator 2016, në lumin e Ishmit ra “fluturaku” i radhës pas atij të Riformatos. Avioni i tipit ‘Piper” i rrëzuar pranë Durrësit i cili pas dëshmive të pilotit u vërtetua se ishte pjesë e trafikimit të drogës në rrugë ajrore mund të cilësohet si  “dhurata” më e pakëndshme për qeverinë e majtë në 3-vjetorin e pushtetit të saj. Rikthimi i fenomenit të trafikimit të drogës përmes rrugëve ajrore u rishfaq në kulmin e debatit mes palëve politike pas zgjedhjeve në Dibër, ku opozita akuzoi mazhorancën qeverisëse se fitoi garën vetëm në saj të lidhjeve me kartelin e kanabisit. Sigurisht që këtë “dhuratë” nuk do e kishte pritur as kryeministri dhe as ministri i Brendshëm, “surprizë” e cila ju erdhi bash në kohën kur po flisnin në Parlament për sukseset e luftës së qeverisë ndaj drogës.

 

download

Misteret e avionit dhe droga si fenomen

Do të duhej një deklaratë e deputetit demokrat Flamur Noka nga salla e Parlamentit për t’i bërë të ditur qytetarëve se në Ishëm ishte rrëzuar një avion. Menjëherë pas këtij njoftimi live nga deputeti u vu re se ministri Tahiri nisi në sallë një sërë telefonatash  e ndërsa policia e Durrësit nisi të vihej në lëvizje. Ndërkaq burimet bën të ditur se policia e kishte zbuluar që në mëngjes avionin, por nuk kishte dhënë asnjë njoftim për të, duke e lënë ngjarjen në terr për 4 orë. Avioni kishte rënë në orën 08.45 minuta të mëngjesit të së enjtes të kësaj jave dhe policia ishte në dijeni të ngjarjes, por nuk e njoftoi. Mungesa e njoftimit për këtë ngjarje, në një kohë kur policia njofton edhe për ngjarje shumë herë më të vogla për nga rëndësia, ngre një valë dyshimesh lidhur me veprimtarinë e forcave të rendit. Por nëse publikisht nuk u njoftuar asgjë derisa deputeti demokrat bëri denoncimin, policia nga ana tjetër kishte marrë në pyetje pilotin italian, duke zbardhur më vonë në media njoftimin sipas së cilit 69 vjeçari Guido Guido kishte bërë ulje të detyruar për shkak të një defekti. Vetëm pak minuta më pas prokurorët e Durrësit dhe ata të Krimeve të Rënda u nisën drejt vendi të ngjarjes për të hetuar çështjen. Nga ky hetim është zbuluar një pistë 1.5 kilometër e gjatë, e hapur që para 10 ditësh, e madje pranë saj qëndronte edhe një pjesë e shtruar me beton. Por ndërkohë që në publik vazhdonte qëndrimi zyrtar sipas së cilit piloti për shkak të kohës së bukur kishte vendosur të hynte si “pa kuptuar” edhe në territorin shqiptar, do të vinte një deklaratë nga gazetari Artan Hoxha. Ky i fundit nga emisioni “opinion” do të deklaronte se piloti  kishte pranuar para prokurorëve se kishte ardhur në kuadër të një operacioni për trafik droge dhe se kjo rrugë ishte vetëm për të provuar pistën. Kjo deklaratë i “kushtoi” tre orë në prokurori gazetarit, i cili u shoqërua për shkak të nxjerrjes së sekretit hetimor si edhe për burimin që i dha lajmin. Por në fund gazetari nuk dha asnjë indicie për burimin dhe për këtë ju sekuestruan të dy telefonat celularë që mbante, për të cilat gazetari tha se po të publikohej përmbajtje e tyre do kishte të dhëna të forta, duke filluar që nga kryeministri e deri tek instancat më poshtë tij. Ndërkohë sipas një varianti tjetër të përhapur dje në media dhe që u ripërsërit edhe nga PD, burimi i informacionit të publikuar nga gazetari në emision kishte qenë vetë ministri ose njerëzve të afërt pranë tij, me arsyen për t’i dhënë mesazh të përfshirëve në operacionin e drogës se piloti ka folur. Por përtej kësaj pjese, ajo që mbetet në fund në këtë çështje është se avioni i cili ra në Ishëm është konfirmuar se ishte një “Riformato i dytë”, duke i dhënë kështu edhe më shumë vërtetësi tezave të opozitës për një rritje të frikshme të shifrave të trafikimit të kanabisit.

Debati për drogën në Shqipëri mori hov të madh thuajse një vit e gjysmë më parë kur ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami deklaroi në Parlament se forcat e Armatosura dhe bazat e saj po përdoreshin në trafikun e drogës. E ndërsa opozita nisi një vrull akuzash ndaj qeverisë lidhur me këtë çështje, të majtët mohuan çdo lloj implikimi. Por fill pas denoncimit të ish-kryeministrit Berisha për disa vende ku bëhej trafiku ajror i drogës, në Divjakë në 10 maj 2014 ra një avion që ishte fakt i vërtetimit të akuzave për ekzistencën e linjave ajrore të trafikimit të drogës. Nga kjo ditë e në vazhdim nisi një betejë e fortë mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me këtë çështje, ku madje të djathtët ndërmorën një sërë protestash kundër qeverisë. Madje në atë kohë kryedemokrati Basha krijoi edhe “Aleancën kundër Drogës”, duke i dhënë përmasa edhe më të mëdha përplasjes mes palëve. Por nëse denoncimet e demokratëve vazhduan periodikisht ndaj qeverisë për këtë çështje, interesi i qytetarëve ra ndjeshëm duke mos i dhënë më mbështetjen e duhur opozitës në protesta e saj. Javët e muajt në vazhdim duket si i dhanë qetësinë e dëshiruar qeverisë në këtë çështje e ndërsa zhvillimi i zgjedhjeve vendore në 2015 e zbehu edhe më shumë diskutimin, të paktën publikisht, pasi akuzat e demokratëve për trafikun e drogës vazhdonin të ishin të shpeshta. Ngritja e aksionit në Lazarat si piedestalin e luftës ndaj drogës pa dyshim ka qenë përgjigja kryesore e qeverisë ndaj akuzave të opozitës. Por denoncimet e shpeshta në vazhdim nga demokratët, media si edhe nga qytetarë të ndryshëm për rritjen e kultivimit të lëndëve narkotike në zona të ndryshme të vendit sollën të tjera debate mes palëve. Së fundmi opozita akuzoi qeverinë e përkatësisht kryeministrin Rama se ka krijuar lidhje të ngushta me atë që e cilëson si kartelin e drogës. Sipas demokratëve humbja në Dibër nuk erdhi për shkak të votës së qytetarëve por si pasojë e angazhimit të këtij karteli në favor të kandidatit të së majtës. Nga ana e saj qeveria i ka neglizhuar tërësisht këto akuza, duke folur për një opozitë që nuk ka më besimin e qytetarëve. E ndërsa, pikërisht kur palët po debatonin për garën e Dibrës dhe çështjen e drogës, në vend u ul “fluturaku” i radhës. Ky i fundit që pilotohej nga 69-vjeçari Guidi, i cili fillimisht u  prezantua si “turist i humbur” , i dha jo pak prova në favor, akuzave të demokratëve. Ndonëse mbetet për t’u provuar lidhja apo përfshirja e strukturave të shtetit në këtë çështje, ajo që qëndron më së paku si fakt është mungesa e aftësisë për të kontrolluar këtë trafik. Ripërsëritja e rastit të trafikut ajror të drogës përmes avionëve të vegjël nuk është aspak një ngjarje e mirë për Shqipërinë, aq më tepër kur qeveria është e akuzuar si palë e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Shanset që kjo çështje të kthehet në kryetemë të diskutimeve në javët e muajt të vazhdim janë të mëdha, aq më tepër që afrimi i zgjedhjeve konsiderohet si një kryesfidë nga palët. Për mazhorancën do jetë një angazhim maksimal për të rifituar një mandat 4-vjeçar, ndonëse nuk dihet se cili do të jetë fati i marrëdhënies PS-LSI. Ndërsa për demokratët zgjedhjet e ardhshme shihen si një çështje me rrezik të lartë për votën e qytetarëve, pikërisht për shkak të lidhjes që kanë sipas tyre, kryeministri dhe ministri i Brendshëm me njerëzit e kartelit të drogës. Në këto kushte, me siguri mund të themi se çështja e trafikut të drogës do jetë ende në plan të parë të betejës politike mes palëve, kjo edhe si pasojë e përqendrimit të opozitës tek ky diskutim. Ky diskutim e madje përplasje mes palëve, së paku mund të shërbejë sa mundet për të kufizuar fenomenin e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, ndonëse tani jemi pikërisht pranë stinës kur nis procesi i “transferimit” jashtë vendit.

 

avioni_10

“Riformato 2”/ Konfirmohet dyshimi, avioni i rrëzuar do  përdorej për transport droge, zbardhet dëshmia e pilotit

 

Guido Guidi pranon para prokurorisë faktin se avioni do të përdorej për drogë. Piloti do paguhet 20 mijë euro për ngarkesën 200 kilogramë lëndë narkotike. Vijojnë hetimet, prokuroria sekuestron celularët e hetuesve, për të mos dekonspiruar hetimet

 

Besar Bajraktaraj

 

Detaje të reja zbardhen çdo orë e më shumë lidhur me rrëzimin e avionit me drejtues pilotin italian Guido Andrea Guidi, në fshatin Gotull në grykëderdhjen e Ishmit, në Thumanë. Fillimisht pak orë pas ngjarjes është liruar 69-vjeçari italian i cili pilotonte avionin. Piloti italian është liruar për t’u  hetuar në gjendje të lirë pas një marrëveshje me prokurorinë dhe policinë. Guidi në marrëveshjen e bërë ka treguar emrat e porositësve të mallit që do të transportohej nga pista ku u rrëzua avioni tip “piper”, dy ditë më parë. Gjatë marrjes në pyetje piloti italian është shoqëruar dhe njëherë në vendin ku u rrëzua avioni për të treguar detaje më të hollësishme mbi mënyrën se si do të kryhej transportimi i drogës. Shoqërimi në vendin ku u rrëzua avioni është bërë që piloti të japë detaje të reja për prokurorinë. Guidi e pranoi para grupit hetimor se kishte ardhur në Shqipëri për të testuar pistën e improvizuar në mënyrë që rrugën tjetër të mund të merrte sasinë prej 200 kilogramësh lëndë narkotike. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes pas dëshmive të pilotit italian 69-vjeçarit Guido Andrea Guidi. Ai fillimisht është shprehur se kishte qenë duke shikuar territorin shqiptar pas kthimit nga Milano dhe se avioni i tij kishte pësuar defekt.

Shtetasi italian hyrjen në Shqipëri nuk e kishte për herë të parë pasi kishte hyrë dhe 2 herë të tjera. Herën e parë ai ka hyrë në territorin tonë në Rinas më datë 6 nëntor të vitit 2013 dhe ka dalë nga Shqipëria po atë ditë. Herën e dytë ai ka hyrë nga pika kufitare e Muriqanit në Shkodër dy muaj më pas, më saktësisht më 10 janar 2014. Ka lënë vendin tonë një ditë më pas duke u larguar nëpërmjet aeroportit të Rinasit.  Gjithashtu prokuroria po heton dhe lidhur me pistën e improvizuar për uljen e avionëve, se si u krijua dhe kur u krijua. Fillimisht pista ka qenë e mbuluar me shkurre e ferra dhe tokë e punuar siç janë dhe parcelat rreth saj. Gjatësia e pistës prej 1.5 kilometrash të lë të kuptosh se pista nuk është bërë për një kohë të shkurtër por ishte planifikuar prej kohësh. Kështu prokuroria po heton se kush i preu shkurret e ferrat në këtë zonë, me çfarë u punua, prej sa kohësh dhe kush qëndron pas improvizimit të kësaj piste? Piloti italian Guido Andrea Guidi ka thënë për hetuesit shqiptarë disa emra mes tyre shtetas italian e shtetas shqiptarë ndërsa prokuroria e cila po heton këtë ngjarje po përgatit urdhër arrestet e para. Vetë Guidi është nën akuzë për shkelje të rregullave të fluturimit ajrorë ndërsa burimet bëjnë me dije se atij i është ndaluar dalja nga Shqipëria deri në përfundim të hetimeve si dhe është kërkuar që ai të mbahet nën mbrojtjen e policisë.

 

Dëshmojnë pronarët e tokës, policia avioni nuk do të lëvizet

Në hetimet për zbardhjen e ngjarjes ditën e djeshme janë përfshirë dhe pronarët e tokës ku u improvizua pista. Policia ditën e djeshme shoqëroi pronarët e tokës. Ata deklaruan se e kishin dhënë me qira tokën prej disa kohësh. Sipas pronarëve, qiramarrësi e kishte sheshuar tokën prej rreth 2 javësh dhe kishte deklaruar se do ta përdorte si pistë hipizmi. Në vendin ku ra avioni tip “Pipper’, i drejtuar nga italiani Guido Andrea Guidi, është konstatuar një pistë me gjatësi 1.5 deri në 2 kilometra, e cila rezulton të jetë punuar dhe sheshuar me mjete të tonazhit të rëndë ditët e fundit. Kjo pistë bëri që dyshimet e prokurorëve, për një rrjet trafiku drogë të shtohen ndjeshëm. Nga hetimet e para rezulton se avioni ka mbërritur në Gotull paraditen e të enjtës në momentin e uljes, rrota ka pësuar dëmtime, por pavarësisht kësaj ekspertët thonë se piloti ka tentuar të largohet. Por gjatë kësaj tentative, ai ka dështuar, pasi rrota e avionit është këputur dhe mjeti ka rrëshqitur në gjendje të lirë përgjatë afro 100 metrave dhe ka ngelur në disa shkurre, pikërisht në grykëderdhjen e lumit Ishëm. Mësohet se piloti italian Guido Andrea Guidi ka pranuar se e kishte ulur avionin në Ishëm për të testuar pistën, me qëllim që të kthehej më vonë për të transportuar 200 kg lëndë narkotike.

Ditën e djeshme ka reaguar dhe policia e Durrësit e cila deklaroi se mjeti nuk do të zhvendoset nga vendi ku ndodhet. Burime nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku pohuan se avioni do të qëndrojë aty ku ra për një kohë të pacaktuar dhe se do të mbahet nën mbikëqyrjen e punonjësve të policisë. Ky vendim ka ardhur edhe për shkak të vështirësisë së lëvizjes nga terreni i vështirë. Ndërsa nuk ka ende një deklaratë zyrtare se do të kryhet zhvendosja e avionit. Ndërsa nga dëshmitë e zbardhura është mësuar se piloti 69-vjeçar Guidi ka rrëfyer se ka ardhur në Shqipëri për të verifikuar zonën ku do të ulej dhe se do të kthehej sërish për të marrë një ngarkesë me 200 kg drogë.

 

Prokuroria sekuestron telefonat e hetuesve

Prokuroria po vijon hetimet për zbardhjen e porositësve të drogës e cila do të transportohej me avionin “Piper” i cili u ul dy ditë më parë në zonën e Ishmit, i ardhur nga Italia. Hetimet do të kryhen në sekret të plotë dhe për të garantuar këtë, janë sekuestruar telefonat celularë të të gjithë anëtarëve të grupit hetimor. Kjo siç duket ka ardhur pas shoqërimit të gazetarit investigativ Artan Hoxha, i cili deklaroi se piloti italian kishte ardhur për të testuar pistën dhe më pas do të transportonte sasinë prej 200 kilogramësh lëndë narkotike. Kjo u cilësua nga prokuroria si sekret hetimor dhe bëri shoqërimin e gazetarit në mesnatë për rreth 3 orë e gjysmë. Për Hoxhën është absurditet shoqërimi i tij në Prokurori dhe lirimi i pilotit, ndërsa ka apeluar që hetuesit të mos rrëmojnë në celularin e tij pasi ka fakte që komprometojnë figura të larta politike, që nga kryeministri e poshtë.  “Mua mu sekuestruan 2 celularët. Njëri është celulari privat. Dhe tjetri është pronë e “Neës24”, dhe unë e përdor prej 15 vitesh. Dhe e përdor edhe redaksia për qëllim të punës. Nuk e shoh me vend dhe normale që një gazetari t’i hiqen mjetet e punës. I kam bërë me dije prokurorit që dy celularët i kam dorëzuar të fikur. Këto telefona kanë edhe arkiv. Kam materiale me video dhe audio që akoma nuk i kam publikuar. U bëj thirrje që mos të gërmojnë aty. Nëse i hapin aty do të gjejnë gjëra komprometuese, nga Kryeministri e poshtë. Bëhet fjalë për afera, përfshirje në aktivitete të paligjshme të zyrtareve të administratës, kontakte me botën e krimit. Plus edhe gjëra të mia private. Nëse ato dalin, çanta e zezë e “Baba Takut” do të jetë hiç gjë para memories së një iphone 6”, tha ai. Ky vendim i titullarëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka ardhur pas dyshimeve për dekonspirim të hetimeve. Nuk dihet ende nëse ky avion është përdorur herë të tjera për transport të lëndëve narkotike. Piloti italian është liruar nga policia, pas një pakti të tij me Prokurorisë. Ai tregoi përpara hetuesve emrat e porositësve të drogës, shqiptarë dhe italianë, duke pranuar kështu bashkëpunimin me institucionet ligjzbatuese, Prokurori e Polici. 69-vjeçari italian pritet të merret sërish në pyetje nga grupi hetimor. Përkohësisht ndaj tij rëndojnë vetëm dy akuza, shkelje të rregullave të fluturimit dhe shkelje të paligjshme të kufirit.

 

guido-guidi

Piloti italian rrëfen: Do merrja 20 mijë euro për 200 kg hashash

“U ula në tokë dhe në momentin që do të ngrihesha, avioni më doli nga kontrolli”. Pas qëndresës fillestare për të mos folur, kështu e ka nisur rrëfimin piloti italian Guidi, i cili gjatë mbrëmjes së të enjtes ka folur me emra për njerëzit me të cilët ka negociuar për t’u bërë transportues droge. “Një miku im në Itali që ka qenë i dënuar për çështje droge ka takuar një shqiptar, gjithashtu i dënuar. Më folën dhe pranova. Do paguhesha prej shqiptarit 20 mijë euro për një rrugë në të cilën do të kaloja në Itali 200 kilogramë kanabis”, ka thënë piloti. Në dëshminë e tij, piloti italian ka dhënë emrat e njerëzve me të cilët ka bërë tregti, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur për shkaqe hetimi. Sipas rrëfimit të tij, ai kishte fluturuar drejt Shqipërisë për të parë nga afër pistën nëse ishte e mundur apo jo ulja dhe më pas do të rikthehej. Aktualisht, prokuroria po tenton ta kthejë pilotin italian në një bashkëpunëtor të drejtësisë, ndërkohë që pohimet e tij do të duhet të provohen edhe me të dhëna të tjera që priten nga shteti italian, siç janë të dhënat e dy shtetasve të dënuar për çështje droge. Aktualisht, piloti Guido Andrea Guidi po ruhet në një vend të posaçëm. Ai rezulton i arrestuar gjatë vitit 2006 në Itali për një aksident të ndodhur në vitin 2003.

 

itali-avioni-640x474

“La Repubblica”: Piloti italian trafikim me pista sekrete në Bari e Brindizi

Lajmi i uljes së një avioni të vogël në zonën e Ishmit në Durrës, ku dyshohet se ka testuar terrenin për të transportuar drogë në të ardhmen, është publikuar edhe në mediat italiane. E përditshmja “La Republicca” shkruan se piloti Guido Guidi avioni i të cilit mbeti i bllokuar në territorin shqiptar dyshohet se ka lidhje me klane kriminale të trafikut të drogës dhe armëve dhe trafikimin me avionë me anë të pistave sekrete në Bari e Brindizi. E përditshmja thekson se avioni i vogël tip “Piper” është ulur për shkak të një defekti shumë larg zonave të banuara në një vendpushim që ndodhej 30 kilometra larg kryeqytetit shqiptar. Më tej, ajo citon së piloti Italian ishte arrestuar në 2006 pas një aksidenti të ndodhur në 2003 ku kishin humbur jetën dy persona dhe ku Guidi ishte pjesë e kompanisë së avionëve Eurojet.

 

Dëshmia e pilotit italian, Noka: Tahiri nxori sekretin hetimor

Ish-ministri i brendshëm Flamur Noka ka akuzuar ditën e djeshme ministrin Saimir Tahiri se nxori sekretin hetimor dhe prishi hetimet lidhur me avionin që u rrëzua dje në grykëderdhjen e Ishmit. Sipas Flamur Nokës, ministri i brendshëm Saimir Tahiri nxori lajmin se piloti Italian nisi të tregonte porositësit e drogës.  “Saimir Tahiri u kap mbrëmë në shërbim ndaj kartelit të drogës. Ai i dërgoi fjalë trafikantëve se italiani ka filluar të flasë, duke i këshilluar ata që të lëvizin, të marrim masa, të largohen, ti shpëtojnë ligjit. Është pikërisht Saimir Tahiri njeriu që nxori lajmin mbrëmë se piloti italian i rënë me avion në Ishëm, ka nisur të rrëfejë se kishte ardhur për të transportuar drogë e të tregojë porositësit. Saimir Tahiri ka nxjerrë sekretin hetimor, ka prishur hetimet.”, deklaroi Noka. Sipas deputetit demokrat, krimin nuk e kanë kryer gazetarët që transmetuan lajmin, por ministri Tahiri. Sipas deputetit të PD, krimin e ka kryer burimi që ka dhënë lajmin. Noka i kërkon prokurorisë të hetojë me shpejtësi ngjarjen.  “Kjo është jo vetëm një provë e lidhjes së drejtpërdrejtë me bandat e trafikantët, por është po ashtu një vepër e rëndë penale, për të cilën ai duhet të mbajë përgjegjësi. Partia Demokratike i kërkon prokurorisë ta hetojë me shpejtësi dhe vendosmëri këtë skandal dhe autorin e vërtetë të këtij krimi. Krimin nuk e kanë kryer gazetarët që transmetojnë lajmin. Krimin e ka kryer  burimi që ka dhënë lajmin. Krimin e ka kryer Saimir Tahiri. I cili prej tre vitesh ka dalluar me të gjitha mënyrat si shërbëtor besnik i bandave të drogës e i trafikantëve, duke u dhënë edhe makinën private, duke djegur provat në laboratorin e shtetit, e së fundmi duke nxjerrë sekretin hetimor.”, deklaroi deputeti i PD. Deputeti demokrat deklaroi Rama dhe Tahiri tentuan të fshehin ngjarjen që ai raportoi dje në parlament.  Noka kërkon që ministri Tahiri të merret në ndjekje penale, duke e cilësuar si një “rrezik për drejtësinë”

“Karteli i drogës me Tahirin e me Ramën ndërtuan në mes të Shqipërisë një pistë avionësh, 1.5 kilometra të gjatë, ndërkohë që qytetarët nuk rregullojnë dot çatinë e shpive të tyre sepse nuk i lejon policia. Karteli i drogës e ka Tahirin edhe zëdhënës, pasi pas denoncimit që unë bëra dje në parlament, ai bashkë me Ramën tentuan ta mohojnë ngjarjen, ta fshehin të vërtetën. Tahiri me pushtetin e ministrit të brendshëm po tregon se është një rrezik serioz për shtetin ligjor në këtë vend, ai është rrezik serioz për drejtësinë, për luftën ndaj krimit , dhe luftën ndaj drogës. Ai duhet të merret menjëherë, sot, në ndjekje penale e të japë llogari para ligjit.”, tha Noka.

 

Berisha: Në telefonin e pilotit u gjetën numra zyrtarësh të lartë

Ish-kryeministri Sali Berisha përmes një postimi në rrjetet sociale akuzoi kreun e qeverisë dhe Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri se fshehën për afro pesë orë ngecjen e avionit në Ishëm, të Durrësit. Berisha thotë se “piloti Italian si dhe aerodromi i ndërtuar për uljen e avionëve nxorën cullak Edvinin dhe Tahirin dhe se porositësit e drogës janë njerëz të lidhur me ta”. Pas denoncimit të bërë nga oficerë nga komisariati i Durrësit, shkruan Berisha, Rama dhe Tahiri në Parlament sikur te ishin avoketër të Guido Guidit deklaronin në mënyre të përsëritur se piloti ishte nisur nga Bari për në Itali të Veriut dhe se ai thjesht kishte ngatërruar rrugën. Por piloti Italian, shkruan ish-kryeministri, zgjodhi interesin e tij. “Refuzoi të bëjë në hetuesi deklaratën që Rama dhe Tahiri bënë në Parlament, pasi e dinte se fshehja e krimit rëndonte ndëshkimin e tij dhe se nark -aeroporti dhe narko – avioni nuk mund të fshiheshin. Në telefonin e tij, sipas një burimi policor janë gjetur numra zyrtaresh të lartë e shumë te lartë kanabist të qeverisë!”, përfundon postimin e tij ish-kryeministri Berisha.

Ambasadori austriak: Kultivimi i drogës përbën problem në disa zona

Ambasadori austriak Johann Sattler, ka folur sot gjatë vizitës në Kukës lidhur me avionin e rrëzuar një ditë më parë në Ishëm të Durrësit. I pyetur në lidhje me këtë, ambasadori tha se Bashkimi Europian po e ndjek nga afër këtë situatë dhe po bashkëpunon me ministrinë e Brendshme dhe Misionin Italian. “Kultivimi i drogës përbën problem në disa zona. Ky fenomen nuk është problem vetëm për Kukësin”, tha gjithashtu ambasadori austriak në vendin tonë.

 

Rrëzimi avionit, reagon Ministria e Punëve të Brendshme

Ministria e Punëve të Brendshme, në një deklaratë për shtyp, reagoi ndaj akuzave të deputetit demokrat Flamur Noka, i cili tha se ministri Saimir Tahiri prishi hetimin e avionit të rrëzuar në Ishëm.  “Nuk ka asgjë të re në deklaratat e Partisë Demokratike dhe të deputetit Flamur Noka. Edhe kjo e sotmja i shtohet tufës së mbi 2.000 deklaratave kundër Ministrit të Punëve të Brendshme për të përbaltur figurën e punën e tij dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nëqoftëse Flamur Noka është në rolin e tellallit, atëherë le të tregojë se cili është prokurori që i ka dhënë këtë informacion; Nëqoftëse Flamur Noka është në rolin e dëshmitarit, atëherë le të paraqitet në Prokurori dhe të depozitojë të gjithë të dhënat që ka në lidhje me këtë ngjarje. Por, ka disa pyetje që mbeten ende pa përgjigje: për cilën arsye Flamur Noka doli në Kuvend dhe bëri botën me dije për rrëzimin e avionit, një çështje për të cilën Policia e Shtetit dhe Prokuroria kishin nisur një hetim? Për cilën arsye Flamur Noka bëri publik hetimet mbi avionin?”, lexohet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme. MPB-ja shton se “me këto pyetje, nuk po aludojmë se Flamur Noka ka lajmëruar trafikantët, por janë pyetje që presin përgjigje”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency