Qindra raste cdo javë në gjykatë për bllokim patente

0
310

Kur policia rrugore ka ndërmarrë fushatën ndërgjegjësuese për respektimin e rregullave të qarkullimit, duke gjobitur drejtues mjetesh që shkelin Kodin Rrugor, shumica e “të ndëshkuarve” i drejtohen Gjykatës Administrative vetëm kur u pezullohet patenta.

Të dhënat e Gjykatës Administrative të kryeqytetit tregojnë se, ndonëse në javë gjobiten afërsisht 4 mijë qytetarë, nuk rezulton asnjë qytetar që ta kundërshtojë gjobën në rrugë ligjore.

Por statistikat tregojnë se e kundërta ndodh për pezullimin e lejes së drejtimit, mesatarisht 50 ndëshkime në javë. Gjatë muajit gusht i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Tiranës 70 persona dhe për javën e parë të shtatorit janë 35 paditës të cilëve u është hequr patenta kryesisht për kundravajtje.

Në kërkesat e tyre, qytetarët mbrohen me faktin se nuk kishin dijeni për sinjalistikën e re treguese në akse të cilave u është ndryshuar sensi i kalimit, ndërkohë që të tjerët mohojnë të kenë qenë të dehur për rastet kur janë kapur duke drejtuar makinën nën ndikimin e alkoolit nga masa 0.2 deri në 0.5 miligramë për litër, sepse nëse kapen me masën 0,5 mg për litër çështja kthehet në penale dhe shoferi arrestohet.

Me ndryshimet ligjore që sollën hapjen e Gjykatës Administrative, gjobat e policisë konsiderohen akte administrative dhe rruga e shfuqizimit të tyre është gjykata nëse rezultojnë të pambështetura në prova.

Por pas ndryshimeve në Kodin Rrugor, kalimi me semafor të kuq nuk parashikon më heqjen e patentës, por gjobë nga 20 deri në 30 mijë lekë.

Derisa ndodhën këto ndryshime, për pezullimin e lejes së drejtimit për shkelje të semaforit 300 qytetarë e kundërshtuan këtë ndëshkim me kërkesën se policia duhet të sillte prova që kishin kryer këtë shkelje. Por shumica e këtyre kërkesave u rrëzua pasi gjatë marrjes së masës vetë drejtusi i mjetit kishte hedhur firmën.

/ Top Channel

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency