Debate në Kuvend, Berisha: Reforma në arsim lojë e Soros, favorizon privatin

0
241

Kaosi dhe konfuzioni që ka krijuar formula e re e pranimit të maturantëve në universitete ishte kryefjala e debateve dje në Parlament. Kanabisi i përhapur pothuajse në të gjithë territorin është një tjetër problematikë që prej shumë seancash bëhet pjesë e debateve dhe akuzave të ndërsjella mes palëve politike. Në një fjalim të gjatë, ish-kryeministri Sali Berisha fillimisht u shpreh për maturantët, që sipas tij, qeveria po iu heq të drejtën të studiojnë në universitetet publike dhe synimi është t’u mbushin xhepat universiteteve private. Berisha kërkoi dorëheqjen e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, ndërsa u shpreh se procesi i pranimeve në universitete duhet të nisë nga fillimi. Po ashtu, ai hodhi dyshimin se reforma në arsim është bërë nga George Soros. “Së dyti, këta zotërinj, për të realizuar këtë hoqën kompjuterin dhe e kaluan në metodë manuale klasifikimin. Por me metodë manuale ke krijuar në çdo qelizë korrupsionin më të tmerrshëm. Mirë se vitin e kaluar të mbrojti Sorosi që korruptoi Transparency International, edhe këtë vit mund të të mbrojë se prapë e korrupton ai, por korrupsioni në pranimet arsimore është forma më virulente, më e egër, më çnjerëzore e korrupsionit dhe shumë shpejt do t’ia dëgjoni gjëmën që po bëni. Ndaj le të krijojmë një komision, të bëjmë të paqenë aktin madhor korruptiv”, theksoi Berisha. Në vijim, ish-kryeministri deklaroi se universitetet private, kur ai drejtonte qeverinë, i kërkonin të ndryshonin kriteret për t’i favorizuar që të merrnin maturantë me mesatare të lartë, por ai e ka refuzuar. Por sipas tij, në mënyrë korruptive, kërkesën e tyre e ka realizuar kryeministri Rama. “Dhe në këtë mënyrë Edi Rama realizoi atë që unë nuk e pranova kurrë. I thotë privatit ‘merrni ata me 9 dhe 10 se unë i fus edhe me 7’”, tha Berisha. Në replikë me Berishën, zëvendëskryeministri Niko Peleshi, tha se maturantët duhet të presin të mbyllet edhe faza e dytë e pranimeve në universitet. “Mërzia e një pjese të maturantëve lidhet me procesin. Jemi në fazën e parë të dy fazave. Kjo është e vërteta. Nuk ka faj asnjë maturant nëse ne nuk ia themi siç duhet, apo ia fshehim përmes fjalimeve këtu në Parlament, që janë fjalime politike për mua. Sepse nuk mund të bësh politikë me një proces që shumë shpejt do të sqarohet”, ka deklaruar Peleshi.

Droga

Ish-kryeministri Berisha në fjalën e tij në Kuvend akuzoi qeverinë se po mbjell çdo cep të vendit me kanabis. Ai përmendi emra fshatrash të mbjella me kanabis me bekimin e qeveritarëve, ndërsa duke iu referuar agjencive të huaja të përgjimit, përmendi tre emra që kanë lidhje me kanabisin. “Tre janë emrat që dalin në të gjitha përgjimet e agjencive të huaja: Rama, Tahiri dhe Peleshi. Qeshni, qeshni, unë fare mirë mund të them del kushërira, por nuk del. Fare mirë mund të them që del ky tjetri, por nuk del. Qenka Korça pa kanabis? Nuk dini ç’thonë ata të Qatomit, që na kanë marrë ujin e pijshëm për kanabisin. Pse të ma thonë mua, ta thonë ty. Ua keni marrë ujin për kanabis. Tre emra që kanë dalë në të gjitha përgjimet e agjencive”, tha Berisha. Ai shtoi se janë shumë zona në të gjithë Shqipërinë që janë mbjellur me kanabis. “Vetëm Kurveleshi ka 3.2 milionë rrënjë. Në Kuç, ne Guzmarë, Salari është plot me drogë”, tha Berisha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency