Shkodër/ Vrau punëtorin në treg se i kërkoi rrogën, dënohet me 12.9 vite burg Ilir Hoxha

0
224

Gjykata e Shkodrës ka dënuar me 12.9 vite burg Ilir Hoxhën, i cili akuzohet për vrasjen e një 50-vjeçari në pazarin e këtij qyteti. Në tetor të 2014 Hoxha pas një sherri për një pagë të pa dhënë që i kërkoi viktima, i cili ishte punonjës i tij, qëlloi me pistoletë disa herë shtetasin Dedë Xhakja në tregun e fruta-perimeve në Shkodër duke e lënë të vdekur në vend. Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër, dënoi me 19 vjet heqje lirie autorin, ndërsa ai pranoi vrasjen dhe për këtë përfitoi uljen me një të tretën e dënimit. Ditën e djeshme togat e zeza dënuan përfundimisht me 12.9 vite burg Hoxhën. Pas seancave të zhvilluara në apel, gjykata vendosi që të lerë në fuqi të njëjtin vendim të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër. Vrasja e 50-vjeçarit Dedë Xhakaj nga ilir Hoxha para thuajse 2 vitesh tronditi qytetin e Shkodrës. Ndërsa pas vrasjes së 50-vjeçarit, i cili ishte babai i 2 fëmijëve, burime nga vendi i ngjarjes bënë me dije se Xhakja punonte si shofer i Ilir Hoxhës, pasi ky i fundit ishte tregtar fruta-perimesh. Sipas hetimeve të prokurorisë viktima i ka kërkuar pagën Ilir Hoxhës, por ky i fundit dyshohet se nuk ia ka dhënë. Ky ka qenë edhe motivi kryesor i debatit të tyre që përfundoi në mënyrë tragjike. Para trupit gjykues, autori i vrasjes tha se e kishte vrarë Dedë Xhakaj pasi ky i fundit e kishte fyer rëndë. Hoxha ka thënë se 50-vjeçarin ka punuar për të, por më pas e kishte pushuar nga puna.

 

Vrasja në tetor 2014

Ngjarja ndodhi mëngjesin e datës 5 tetor 2014 në tregun e shumicës së qytetit të Shkodrës, ku 50-vjeçari Dedë Xhakaj kishte shkuar për të takuar Ilir Hoxhën për ti kërkuar një rrogë të prapambetur që ai i detyrohej. Sipas dëshmitarëve, tregtare dhe qytetarë të cilët ishin të shumtë në momentin e krimit, 50-vjeçari u ndesh në treg me Ilir Hoxhën dhe nisën të debatonin me njëri-tjetrin. Më pas, 40-vjeçari ka nxjerrë një pistoletë tip “TT” dhe ka qëlluar në drejtim të Xhakjes me 10 plumba duke e lënë të vdekur në vend. Forca të shumta policie të cilat mbërritën në vendngjarje nisën hetimet, ndërsa nga marrja e dëshmive u bë i mundur edhe identifikimi i autorit. Ilir Hoxha u arrestua në banesën e tij dhe mësohet se nuk ka bërë rezistencë ndaj uniformave blu. Ndërsa u prangos, Hoxha deklaroi se e vrau Xhakën pasi e kishte fyer rëndë në sy të të gjithëve. Sipas prokurorisë, 50-vjeçari Xhakaj ishte i punësuar tek Hoxha dhe një javë përpara ngjarjes e ka pushuar nga puna, por në këtë moment kishin nisur edhe konfliktet pasi ky i fundit kishte pretendime për një sasi lekësh. Ndërsa debati kishte qenë i përsëritur mes tyre, duke degjeneruar deri në situatën, kur 40-vjeçari Hoxha nuk ka përballuar më ofendimet e shumta të Xhakajt, duke nxjerrë kështu pistoletën dhe qëlluar mbi të gjithë karikatorin. Menjëherë pasi e ka qëlluar, Hoxha ka deklaruar se ka hipur në automjetin e tij, ka mbushur karikatorin e dytë me 3 plumba për vetëmbrojtje dhe është larguar drejt banesës. Me të mbërritur në shtëpi ka njoftuar vjehrrin për ngjarjen dhe ky i fundit është drejtuar për në tregun e shumicës, ku ka parë trupin e pajetë të Xhakajt dhe policinë. Në bazë të informacioneve të marra nga dëshmitarët dhe më pas nga vetë vjehrri i Ilir Hoxhës, policia së bashku me këtë të fundit i janë drejtuar banesës, atje ku 40-vjeçari është vetëdorëzuar pa rezistencë duke pranuar krimin.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency