Protesta para Kryeministrisë/ Maturantët: Mos na mohoni të drejtën për në universitet, ministrja të dorëhiqet

0
217

Bashkë mund t’ia dalim! Sistemi i nxori jashtë loje maturantët duke u krijuar kaos e paqartësi në përzgjedhjen e fituesve

 

Sejrie Baleta

Qindra maturantë, të cilët nuk janë klasifikuar si fitues në listën paraprake të fituesve nga universitetet, kanë protestuar përpara godinës së Kryeministrisë, ditën e djeshme.  Ata janë mbështetur nga familjarët, studentët dhe aktivistë  për të denoncuar dështimin e skemës së re të pranimit në universitete publike, që rezultoi me përjashtimin nga e drejta për arsim të lartë publik të një numri të lartë maturantësh në këtë raund të parë regjistrimesh. Mungesa e informimit mbi rregullat e reja të aplikimit dhe përllogaritjet e pikëve; ndryshimi i rregullave në mes të lojës përsa u përket lëndëve me zgjedhje; paqartësia për raundet në vazhdim dhe mënyrën e procedimit; numri i lartë i humbësve kundrejt atyre që kanë fituar shkollën; frika e përfundimit nëpër fakultete private etj. ka shkaktuar një revoltë të madhe të këta maturantë, të cilët kanë bërë thirrjë për protestën e radhës ditën e nesërme në e sotme në orën 10:00 përballë Parlamentit. Por ditën ë djeshme gjatë protestës së realizuar përpara Kryeministrisë,  ata janë shprehur kundër reformës në arsimin e lartë, pas së cilës janë bërë edhe publikimet e listave të fituesve në universitete. Sipas maturantëve, fitues në fazën e parë janë shpallur maturantë të cilët nuk kanë rezultate të larta, ndërkohë që maturantët që kanë pasur nota të mira ende nuk janë shpallur fitues në asnjë degë. Ata janë shprehur kundër mënyrës së përzgjedhjes së kandidatëve për në universitete. Nga ana tjetër, ka reaguar edhe Ministria e Arsimit, e cila ka sqaruar se lista përfundimtare vetëm për fazën e parë do të publikohet më datë 20 Shtator nga çdo universitet.
“Konkurrenca në fazën e parë është shumë e lartë pasi maturantët me rezultatet më të larta mund të jenë fitues deri edhe në 10 programe. Ndaj me zgjedhjen e vetëm një programi që një aplikant do të vendosë të ndjek, të 9-ta programet e tjera për të cilat është fitues, do të mbeten në dispozicion të raundit të dytë. Jeni të lutur të ndiqni me vëmendje udhëzimet nga universitetet”, njofton MAS.

 

14183876_1088062441231739_241280448071185129_n 14184290_1088062664565050_3493488000528650419_n 14233169_1088062574565059_6446867960411910120_n

Thirrjet e maturantëve

Gjatë protestës maturantët treguan raste e tyre dhe se si janë jashtë loje nga sistemi i arsimit të lartë duke mos u shpallur fitues edhe pse ishin me rezultate mjaft të mira. Shkak për situatë e krijuar ata bëjnë sistemin e ndërtuar nga MAS për pranimin në universitet, i cili i ka përjashtuar nga gara. Ndonëse kanë mesatare mbi 9, këta maturantë nuk kanë fituar asnjë degë nga 10 preferencat që kanë zgjedhur, pasi mënyra sesi funksionin sistemi i ka nxjerrë ata jashtë garës. Ndërsa maturantë me mesatare më të ulët, kanë rezultuar fitues në degë të ndryshme universitare. “Kam qenë nxënëse e “Qemal Stafës”, me mesatare 9.2, dhe nuk kam mundur të fitoj. Ndërsa nxënës me mesatare më të ulët tek unë kanë fituar degë që unë doja. Duhet bërë një zgjidhje pasi ne nuk mund të rrimë pa të ardhme”, thotë një maturante.  “Shkollë, punë dhe liri” ka qenë thirrja e tyre drejtuar godinës së kryeministrisë me shpresë se zëri i tyre do dëgjohej nga shefi i qeverisë. Një studente iu drejtua ministres së Arsimit Lindita Nikolla: “Urime e dashur, do mbahesh mend për dy gjëra, e para për një citim që ndiheshe krenare për vajzën që studionte në Francë dhe e dyta që dështove me sukses’. “Jep dorëheqjen”, ishte thirrja e maturantëve që pasoi këtë deklaratë nga studentja. Maturantët kërkojnë takim me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, dhe hartuesit e ligjit për Arsimit e Lartë për të gjetur një zgjidhje për këtë problematike të tyren. Në të kundërt ata thonë se do të vijojnë protestat.

Maturantja

Arselda Zyberi është një nga maturantet që ka zgjedhur rrugën e protestës pasi përzgjedhja e fituesve në universitet siç tha ajo nuk i referohet kriterit meritë preferencës. 18-vjeçarja thotë se nota mesatare është 10 dhe ka arritur të dalë fituese vetëm në Infermieri që ishte preferenca e saj e fundit. Arselda Zyberi: “Jam me mesatare 10. 14 e kam dhe me diplomë dhe rezultojë të jem fituese vetëm në Infermieri. Është turp për mua që të fitoj Infermieri kur vitet e tjera kjo është fituar edhe me mesatare 7. Ndërsa tek Drejtësia kanë marrë me mesataren 7, pasi nuk na kanë informuar për Sociologji dhe Filozofi të cilat ne nuk i kemi bërë në shkollë. Dhe nuk na kanë informuar që do të përfshiheshin në përllogaritje”. Të tjerë maturantë ankohen se edhe pse me mesatare lartë nuk kanë dalë fitues në asnjë nga 10 programet ku kanë aplikuar për të vazhduar studimet e larta. Në protestë maturantët kërkuan ndryshimin e formulës së hyrjes në universitete pasi ka dhe një padrejtësi tjetër që lidhet me kurrikulat, sipas tyre, ku zerohet mesatarja e disa lëndëve sociale.

Studentë dhe maturantë që  protestuan

Maturanti: “Ti lëmë bindjet politike, të gjithë këtu kërkojmë të drejtat tona si njerëz, si studentë. Shpresojmë që Ministria e Arsimit të reagojë sa më shpejt sepse ne nuk do të ndalemi. Kjo protestë tregon se ne të rinjtë e Shqipërisë kemi zë dhe do të vazhdojmë kështu deri sa të fitojmë të drejtat tona”.

Studenti: “Prej gati dy vitesh ne studentët kemi protestuar kundër reformës së arsimit të lartë që i solli maturantët, studentët e nesërm, në këtë situatë që është sot dhe Ministria e Arsimit bashkë me Kryeministrin na quanin gënjeshtar. Ndërsa sot po dalin se janë ato. Prej dy vitesh kemi thënë se kjo reformë përjashton nxënësit dhe i privon ata nga e drejta për tu shkolluar që është një e drejtë kushtetuese dhe universale dhe nuk duhet ti privohet asnjërit. Sot maturantët janë këtu duke kërkuar të drejtat e shkollës dhe MAS përveçse keqdashëse është dhe klienteliste. Kërkon tu çojë në Universitetet private dhe të mbushë xhepat e klientëve të MAS dhe Kryeministrit. Prandaj të ngremë zërin fort sot, për tu thënë se e drejta për tu shkolluar është e drejtë e çdo qytetari në Republikën e Shqipërisë”. Maturantët kërkuan një reflektim nga Ministria e Arsimit, në të kundërt thanë ata, do të përshkallëzojnë protestat.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency