Presidenti i Republikës Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë, Princin e Arabisë Saudite, Lartësinë e Tij Mbretërore, Sultan bin Salman bin Abdulaziz Al-Saud, President i Komisionit të Turizmit dhe Trashëgimisë Kombëtare të Arabisë Saudit, i cili ndodhet për një vizitë disa ditore në Shqipëri.
Presidenti i Republikës përshëndeti vizitën e Princit saudit në Shqipëri dhe e konsideroi atë si një vëmendje e dëshirë të qartë për t’i nxitur më tej marrëdhëniet mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e turizmit dhe të trashëgimisë kulturore, si dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që personalisht Princi dhe Arabia Saudite po japin për disa projekte të rëndësishme të ruajtjes së trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
Kreu i Shtetit vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira e miqësore që ekzistojnë mes dy vendeve, si dhe shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Arabia Saudite dhe Familja Mbretërore i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve ndër vite. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Nishani vlerësoi mbështetjen e dhënë përmes Fondit Saudit për Zhvillim, si dhe theksoi nevojën e shfrytëzimit më të mirë të potencialeve të investimeve dhe prezencës së biznesmenëve sauditë në Shqipëri, duke e siguruar Princin se investimet saudite do të kenë të gjitha siguritë e nevojshme ligjore e institucionale. “Projektet zhvillimore të mbështetura nga Arabia Saudite kanë qenë shumë efiçente dhe të suksesshme dhe jam i bindur se kjo eksperiencë shumë e mirë do të vijojë edhe në të ardhmen.” – u shpreh Presidenti i Republikës.
Presidenti Nishani shprehu falënderimet edhe për mbështetjen që Arabia Saudite i ka dhënë pavarësisë së Kosovës, si një akt në shërbim të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit dhe shprehu besimin se Arabia Saudite do të vijojë mbështetjen dhe nxitjen e njohjeve të mëtejshme të Kosovës nga vende të tjera të Ligës Arabe dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islamik.
Kreu i Shtetit, duke iu referuar sezonit të rëndësishëm të Haxhit për myslimanët anë e mbarë botës, vlerësoi rolin, angazhimin dhe mundësitë që Arabisë Saudite i ka krijuar pelegrinëve, veçanërisht atyre shqiptarë, përmes mikpritjes dhe kushteve shumë të mira, si dhe uroi që ky sezon i Haxhit të shkojë sa më mirë dhe që pelegrinët të kthehen më të plotësuar shpirtërisht.
Mes dy bashkëbiseduesve u diskutua edhe për bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, ku Presidenti Nishani vlerësoi rolin dhe kontributin e Arabisë Saudite në këtë aspekt, si dhe të ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajonin e Lindjes së Mesme dhe më gjerë. Presidenti Nishani e siguroi Princin saudit se Shqipëria, në përputhje me mundësitë reale të saj, është e vendosur për të qenë gjithnjë krah aleancës ndërkombëtare në këtë luftë.
Në fund të takimit, Presidenti Nishani i përcolli përshëndetjet më të përzemërta e miqësore Kujdestarit të Dy Xhamive të Shenjta dhe Mbret të Arabisë Saudite, Madhërisë së Tij Salman bin Abdulaziz Al-Saud, si dhe mirëpriti me kënaqësi një ftesë për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite në një kohë sa më të përshtatshme.