U çel dje sesioni i ri parlamentar. Në një mbledhje të posaçme që zgjati rreth 30 minuta, kreu i Parlamentit, Ilir Meta, mbajti një fjalim ndërsa në seancë ishin të pranishëm ambasadorë,drejtues të klerit në vendin tonë, dhe Motra të Urdhrit të Nënë Terezës. Seanca ishte e shkurtër, ndërsa pas një fjalimit të kryeparlamentarit Meta u miratua kalendari i punimeve të Kuvendit për periudhën 5-23 shtator 2016. Kalendari nuk është publikuar ende në faqen zyrtare të Kuvendit, ndërsa gazeta ka mësuar se pjesë e punimeve janë edhe 6 ligjet e mbetura të paketës së reformës në drejtësi. Në datën 30 gusht, në një seancë të posaçme u miratua vetëm me votat e mazhorancës ligji që do të kalojë në skaner gjyqtarët dhe prokurorët ose ligji i vetingut, ndërsa në seancat në vijim pritet miratimi edhe i 6 ligjeve të tjera, të quajtura ndryshe ligjet e emergjencës të reformës në drejtësi.
Sipas burimeve, PS dhe LSI brenda 22 shtatorit pritet që të bëjnë miratimin e tyre. Deri në këtë datë pritet që këto ligje të kalojnë në komisionin e posaçëm dhe më pas në seancë plenare. Nuk dihet si do të veprojë Partia Demokratike, e cila nuk ka marrë pjesë në asnjë prej mbledhjeve të komisionit të posaçëm gjatë diskutimeve të projektligjeve. Opozita ndërkohë ka kundërshtuar dhe e ka vlerësuar anti-kushtetues ligjin për vetingun, që aktualisht është duke u shqyrtuar nga Presidenti Bujar Nishani. Dy ligjet më të debatueshme janë ai për Prokurorinë e Posaçme ose SPAK dhe ligji që parashikon arkitekturën e sistemit të ardhshëm të gjyqësorit. Futja e ligjeve të reformës në kalendar është kundërshtuar nga PD dhe për këtë arsye kalendari u hodh me votim në sallë.
Finalizimi i reformës
Kreu i Parlamentit, Ilir Meta, ndërsa çeli sesionin e ri parlamentar, u shpreh për prioritetet që do të ketë Parlamenti gjatë këtij sesioni. Meta tha se së pari duhet të finalizohet reforma në drejtësi. Ai shtoi se miratimi i projektligjeve të mbetura është i rëndësishëm pasi vendi pret të hapen negociatat për anëtarësimin me të drejta të plota në Bashkimin Europian. “Së pari, për të ecur me finalizimin e reformës në sistemin e drejtësisë, për miratimin edhe të projektligjeve të tjera prioritare, përveç atij të vettingut që do t’i hapë rrugë zbatimit të plotë të dispozitave të reja të Kushtetutës që miratuam me konsensus të plotë në 21-22 korrik të këtij viti. Finalizimi i reformës në drejtësi merr rëndësi të veçantë edhe në kuadër të detyrimeve që vendi ynë ka për procesin e integrimit në Bashkimit Europian, si dhe në përmbushje të detyrimeve prioritare të përcaktuara për marrjen e një rekomandimi pozitiv nga Komisioni Europian, por edhe Këshilli për hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, theksoi Meta.
Reforma zgjedhore
Një tjetër reformë e rëndësishme është ajo për zgjedhjet. Meta tha se komisioni i posaçëm duhet të nisë së shpejti me punën. “Komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore duhet të fillojë të nxjerrë frytet e para të punës për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it si dhe në bashkëpunim me të gjithë aktorët e shoqërisë civile dhe të institucioneve të interesuara për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të standardeve më të larta europiane”, theksoi kryeparlamentari. Meta përmendi edhe reformat e tjera që janë prioritet për përshpejtimin e hapjes së negociatave për integrimin. “Njëkohësisht, në fokus të punës së këtij sesioni do të vijojnë të jenë proceset integruese të vendit në Bashkimin Europian, në kuadër të përmbushjes së detyrimeve për çeljen e bisedimeve për anëtarësimin e vendit tonë ne Bashkimin e Europian”, tha Meta.