Mes lotëve dhe dhimbjes së familjarëve, nderimeve shtetërore dhe premtimeve të kolegëve, ka nisur sot homazhet në nderim të policit të FNSH-së së Shkodrës, Ardian Kodra. 50-vjeçari mbeti i vrarë ditën e djeshme gjatë operacionit për të kapur një 27-vjeçar në Torovicë të Lezhës, i cili për disa orë ka qëlluar me armë në drejtim të forcave të policisë.
Në homazhet që po zhvillohen në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës, marrin pjesë dhjetëra qytetarë, kolegë, drejtues të Policisë, politikanë e krerë të shtetit, të cilët janë përulur me nderim para figurës së Ardian Kodrës, dhe arkivolit të mbuluar me flamurin kuq e zi. Prej 20 vitesh, Ardian Kodra i ka shërbyer Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërsa në vitet ’90 ka punuar në repartin e Zallherit. Ai ishte i martuar dhe baba i dy djemve, ndërsa ata që e njohin e cilësojnë si polic i zoti dhe prind shembullor. Ditën e djeshme, polici i vrarë në krye të detyrës Ardian Kodra u shpall Dëshmor i Atdheut. Pas nderimeve dhe homazheve, trupi i pajetë i Ardian Kodrës do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve.bw