Mijëra njerëz po përgatiten për festivalin e përvitshëm “La Tomatina”, që këtë vit do të karakterizohet nga masa më të larta sigurie sesa vitet e mëparshme.
100 policë i janë shtuar forcave të sigurisë me qëllim reduktimin e rasteve të ngacmimeve seksuale ndaj grave dhe vjedhjeve.
Anëtarë të Policisë dhe Mbrojtjes Civile spanjolle kontrolluan hyrjen e të gjithë personave në event, duke mos lejuar kalimin e personave të cilët mbanin sende si shishet prej xhami dhe shkopat selfie.
Duke ndjekur sulmet më të fundit në Francë, disa persona u shprehën se ata janë vigjilentë në evente të tilla publike, por shumica janë dakort se jeta duhet të vazhdojë.
Për momentin, Spanja është në nivelin e katërt të rrezikut, një nivel tepër i lartë, i cili u rrit që prej qershorit të vitit të kaluar, për shkak të sulmeve në Francë, Tunizi e Kuvajt. Ministri i Brendshëm u shpreh në nëntor të vitit të shkuar, se alarmi i sigurisë do të qëndronte në atë nivel.
Festivali i përvitshëm “La Tomatina” zhvillohet në qytetin Bunol, rreth 38 km në veri të Valencias dhe tërheq rreth 20.000 persona. Në thelb të këtij festivali është lufta me domate, që zhvillohet në rrugët e ngushta të qytetit.
Të martën, u transportuan rreth 150.000 kg domate ndërkohë që shtëpitë tashmë janë mbuluar për t’u mbrojtur nga lëngu i kuq dhe tuli i domateve që do të përdoren për luftën.
Kjo luftë e ka origjinën në vitin 1945 dhe sipas historive erdhi si protestë për shprehjen e pakënaqësisë nga disa banorë të qytetit. Që prej atij viti, ajo u kthye në traditë për spanjollët. Festivali u ndalua gjatë kohës së diktaturës të Gjeneralit Franco, në vitet ’50, për shkak se nuk kishte asnjë rëndësi fetare, por u rikthye në vitet ’70, pas abdikimit të tij.
Ky festival është i famshëm edhe jashtë kufijve të Spanjës dhe sidomos në vitet e fundit ka tërhequr shumë turistë ndërkombëtarë.