I ndjeri stadium!

0
172

Edmond Tupja

Sigurisht që bota po ndryshon. Sigurisht që Europa po ndryshon. Sigurisht që Ballkani po ndryshon. Sigurisht që Shqipëria jonë tmerrësisht demokratike po ndryshon. Sigurisht që edhe kryeqyteti ynë po ndryshon, ndryshim ky që, mjerisht, nuk po lë pa prekur edhe  trashëgiminë tonë kulturore. Përfshirë edhe stadiumin “Qemal Stafa”, ndjesë pastë. Ish-pjesë një ansambli arkitekturor me vlera historike. Ish-pjesë e së kaluarës së Tiranës. Pjesë e gjallë, gjithsesi, e kujtimeve të mia, e peizazhit tim shpirtëror. Sa e sa ndeshje apo manifestime të tjera sportive apo kulturore kam parë atje, qysh kur isha ende fëmijë e deri më sot që po plakem!

Ky stadium bënte pjesë në jetën time. Sidoqoftë, në Tiranë ka pasur edhe ndërtesa apo mjedise të tjera, si për shembull, Pazari i Vjetër, pikërisht në qendër të saj, atje ku ngrihet sot Opera me kolonat e saj, por, me gjithë kujtimet që ruaj prej atij, unë nuk ngul aspak këmbë që ai të rindërtohet patjetër, ashtu siç ishte para 60 e ca vjetësh.

Nuk ngul këmbë sepse ai Pazar ishte grahma e fundit e një së kaluare në hekë, por më kryesorja, nuk ngul këmbë ngaqë nuk jam as sentimentalist e as nostalgjik kryeneç i së kaluarës, prandaj edhe e mirëprita, me rastin e 90-vjetorit të hapjes së tij, zgjerimin e ndërtesës së gjimnazit “Qemal Stafa”, ku kam kryer studimet e mesme, sepse, me gjithë shtesat e mjediseve mësimore në oborrin e tij, nuk u prek asgjë nga ndërtesa e vjetër, me vlera historike edhe ajo. Megjithatë, sot më dhemb në shpirt shpërfytyrimi që po i bëhet Tiranës sime të dashur, më dhemb në shpirt betonizimi i saj, më dhemb, pra, në shpirt edhe përçudnimi i stadiumit “Qemal Stafa”; këtë dhimbje e ndaj me shumë e shumë tiranas jo vetëm të moshës sime, por edhe më të rinj. Mirëpo, ajo që më tmerron është fakti që ky përçudnim më duket fort ogurzi.

Fort ogurzi, po, po, dhe po nxitoj t’u shpjegoj lexuesve të ndershëm e të shqetësuar të këtij shkrimi përse mendoj kështu. A e keni vënë re ç’formë kishte i ndjeri stadium “Qemal Stafa”? Me siguri që po. Ai shtrihej nga veriu në jug në formë ovale, vezake, siç do të thuhej në shqipe të mirëfilltë. Ç’ju kujton ai? Nuk ju sjell asgjë ndër mend? Të paktën për mua, ai ishte djepi i futbollit shqiptar, por, para së gjithash më kujton shtrirjen gjeografike të vetë atdheut tonë nga veriu në jug, ndonëse Shqipëria, si vend me kufij shtetërorë, ka një formë gjashtëkëndore të tërhequr së gjati, që mund të kishte qenë edhe vezake sikur kufijtë t’i kishte pasur më pak të përthyer.

Rrjedhimisht e për pasojë të pashmangshme, ngjashmëria e shtrirjes gjeografike të Shqipërisë me atë të të ndjerit stadium “Qemal Stafa”, ngjashmëri që nuk mund kurrsesi të mohohet, më kall datën! Më kall datën sepse, po të vazhdojë siç ka nisur, që prej më se tre vjetësh, “rilindja” e trëndafiltë apo e mavijosur e Shqipërisë së një “gjenerate të re” që po rrokulliset tatëpjetë në “drejtimin e duhur”, fatin e të ndjerit stadium “Qemal Stafa” do ta pësojë krejt vendi ynë: gjithë objektet dhe hapësirat e tij pjesë të trashëgimisë sonë kulturore rrezikojnë të shpërfytyrohen në emër të një ristrukturimi më tepër tregtarist se modernist.

Frika ime është se, siç duken bathët (ende me “a” dhe jo me “y”!), një ditë edhe më fatzezë do të vijë kur, pasi të jetë kthyer e tëra në një shtet frankenshtajnesk, Shqipëria jonë tmerrësisht demokratike do të shfaqet para bashkësisë ndërkombëtare me tiparet e një stadiumi gjigant në formë varri ku do ta na detyrojnë, me kërbaç e me kulaç, që ndeshjet midis Pushtetit dhe Parasë t’i shohim, t’i duartrokasim e t’i brohorasim, të trallisur e të trullosur, të llahtarisur e të lemerisur para absurdit të një çmendurie qeverisëse të pashoqe.panoramasport

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here