Kosova po bënë përpjekjet e fundit që në mesin e saj të ftojë lojtarët më të mirë, të cilët prej shumë vitesh përfaqësojnë Kombëtare të tjera, në mënyrë që të jenë gati për kualifikimet e Kampionatit Botërorë, që fillojnë me 5 shtator të këtij viti
Trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki ka bërë të gjitha përgatitjet, të gjitha gjërat e nevojshme që në Kombëtaren e Kosovës të vijnë dhe të luajnë futbollistët më të mirë, të cilët luajnë për Kombëtare të tjera. Ai së fundmi ka qenë mjaft aktiv në kontaktimin e këtyre futbollistëve, ku arriti që të bindë katër futbollistët e parë Milot Rashica, Alban Meha, Herolind Shala dhe Sinan Bytyqi që t’i bashkohen Kosovës.
Ditët e fundit Bunjaki ka kontaktuar dhe ftuar futbollistët më të mirë kosovarë që luajnë në Premierligën angleze, ku nga e premtja deri këtë të hënë ka biseduar me Valon Behramin (Ëatford), Xherdan Shaqirin (Stoke City), Adnan Januzajn (Manchester United/Sunderland), Granit Xhakën (Arsenal), Shani Tarashajn (Everton) dhe të tjerët, nga të cilët ka kërkuar që të vendosin nëse do të vijnë të luajnë për Kosovën. Bunajki përveç yjeve të Premierligës, ka ftuar edhe golashënuesin më të mirë të kampionatit në Australi, Besart Berishën dhe mesfushorin e Chievos dhe Kombëtares së Finlandës, Përparim Hetemaj.
Kjo është konfirmuar nga Nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili gjatë një bisede për Gazeta Express tha se, brenda pak ditësh do të dihet edhe vendimi i tyre.
“Lojtarët që i ka kontaktuar përzgjedhësi Bunjaki, ne si federatë jemi të angazhuar maksimalisht që t’i kemi në mesin tonë, sigurisht po bëhet fjalë për emrat më të mëdhenj të futbollit tonë që deri me tani kanë përfaqësuar Kombëtare të tjera”, tha fillimisht Haxhiu. “Bunjaki ka qenë nga e premtja deri të hënën në Angli për të kontaktuar, Valon Behramin, Xherdan Shaqirin, Adnan Januzajn, Granit Xhakën, Shani Tarashajn dhe të tjerët, ku përzgjedhësi ua ka bërë më dije se është momenti që ata të përcaktohen nëse dëshirojnë që ta përfaqësojnë Kosovën”, vazhdoi ai.
Ai po ashtu njoftoi se ata ende nuk kanë vendosur, por tha se Kosova ka bërë të gjitha përgatitjet dhe u ka ofruar kushte më të mira se sa Kombëtaret për të cilat luajnë.
“Deri me tani ende nuk kanë vendosë. Disa prej tyre kanë dhënë sinjale pozitive dhe po presim që ata vërtetë të reflektojnë. Të gjithë sytë e njerëzve janë të drejtuar nga ne dha ata. Ne si federatë e kemi bërë punën tonë, i kemi kryer të gjitha procedurat që na takojnë për t’i kontaktuar dhe për t’ua ofruar mundësinë dhe kushtet veç më të mira që i kanë në federata tjera dhe po presim përgjigje”. Ai po ashtu tha se tashmë është momenti që futbollistët që luajnë për Kombëtare të tjera, të e kthejnë dashurinë e kosovarëve drejtuar atyre. Kosova ka nevojë, Kosova i ka nderuar ata deri me tani dhe nuk do të duhej t’ua kthenin shpinën Kosovës, sepse Kosova ka nevojë që sot të përfaqësohet denjësisht në arenën ndërkombëtare. Mendoj që me kompletimin e asaj që është quajtur përfaqësuesja e ëndrrave të Kosovës, kualifikimi në Kupën e Botës në Rusi është i mundshëm dhe normalisht kjo do të varej edhe nga lojtarët që i kemi kontaktuar e do të zgjedhin Kosovën”, tha në fund Haxhiu.
Kujtojmë se përgjigjja e tyre pritet të vijë shumë shpejtë, pasi Kosova ndeshjen e parë zyrtare do ta zhvillojë me 5 shtator kundër Finlandës.