Partia Demokratike përmes një deklarate të kryetarit të FRPD, Belind Këlliçi është shprehur se sot është Dita Ndërkombëtare e Rinisë dhe qeveria shqiptare nuk ka ndërmarrë asnjë diskutim që të ketë në fokus të rinjtë.
Ai ka thënë se një diskutimi i tillë është luks i tepërt për qeverinë përderisa 40% e të rinjve në vend enden rrugëve të papunë e të pashpresë. Këlliçi ka folur për politikat që do të ndjekë Partia Demokratike ku ka thënë: ‘’ Përsa i përket arsimit, PD do i japë mundësinë çdo të riu të arsimohet duke ulur tarifat e edukimit përmes bashkëfinancimit direkt për çdo student nga buxheti i shtetit’’.
Deklarata e plotë
Të dashur miq, 16 vjet me pare, me 12 gusht 2000, Kombet e Bashkuara (United Nations) vendosen këtë datë si Ditën Ndërkombëtare të Rinisë. Kjo ditë shërben si një shans për qeveritë e mbarë botës për të tërhequr vëmendjen drejt çështjeve dhe politikave rinore. Slogani për vitin 2016 është: “Rruga drejt vitit 2030: Eliminimi i varfërisë dhe arritja e konsumit dhe prodhimit te qëndrueshëm”.
Miqtë e mi, sot qeveria e vendit tone, si qeveritë e mbarë botës, duhej të diskutonte me të rinjtë për politika punësimi, rritjen e kuotave për studentet qe duan te ndjekin universitetin, uljen e tarifave për arsimin e lartë, gjallërimin e jetës artistiko kulturore ne vend, e shume çështje të tjera që shqetësojnë rininë.
Por ky është një luks i tepërt për qeverinë e palmave dhe jaguareve, për qeverinë ku i biri i Kryeministrit shëtit me syze dielli 70.000 euro ndërkohë që rreth 40% e të rinjve enden rrugëve të papunë e të pashpresë e ku një djalë 17 vjeçar vdiq vetëm para pak ditësh në landfillin e Sharrës, duke punuar mes plehrave për të mundësuar blerjen e librave shkollore.
Është e tepërt sot të flasësh për eliminimin e varfërisë mes të rinjve në një vend ku qeveria premtoi hapjen e 300.000 vendeve të reja të punës, e ndërkohë mbi 100.000 shqiptare, shumica të rinj deri në moshën 35 vjeç të aftë për punë, lanë Shqipërinë vetëm vitin e kaluar. Mbi 200.000 qytetarë të tjerë aplikuan për Lotarinë Amerikane pikërisht sepse kjo qeveri ka vrarë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë, të ardhmen e rinisë.
Por si një forcë politike serioze dhe alternativë konkrete për daljen nga kriza ku është zhytur vendi, PD me ne krye z. Lulzim Basha ka bërë një serë premtimesh konkrete për të rinjtë e vendit.
Platforma e PD për daljen nga kriza e thellë ekonomike ku na ka zhytur Rama është: taksë e sheshtë 9%, TVSH 15%, mbështetje nga buxheti për sipërmarrje të mëdha që punësojnë të rinjtë dhe investime publike qe hapin vende te reja pune.
Përsa i përket arsimit, PD do i japë mundësinë çdo të riu të arsimohet duke ulur tarifat e edukimit përmes bashkëfinancimit direkt për çdo student nga buxheti i shtetit. Masa e bashkëfinancimit do të përcaktohet nga dega dhe cilësia e universitetit e pikërisht kjo do të rrisë konkurrencën mes universiteteve për cilësi si dhe do të orientojë të rinjtë të studiojnë në bazë të nevojave të tregut.
Për ta mbyllur me premtimet dhe përkrahjen që PD do t’i ofrojë të rinjve, nuk duhet të harrojmë se në zgjedhjet e ardhshme, plot 35% e kandidatëve zyrtarë për deputetë të PD, do të jenë të rinj nga radhët e FRPD. Përzgjedhja e tyre do të bëhet përmes një formati Amerikan të përballjes me debate dhe platforma konkrete për rininë.
#Rinia do të jetë me mirë pa Edi Ramën.