Detaje të reja kanë dalë sa i përket grabitjes së një çifti të moshuarish, në Rrilë të Lezhë. Policia thotë se rreth orës 01.17 është njoftuar se persona të armatosur kanë hyrë për të vjedhur në shtëpinë e 66-vjeçarit, Vasil Sela.
Pasi janë ndeshur me rezistencën e kryefamiljarit grabitësit e kanë qëlluar me armë zjarri. Pas të shtënave ata janë larguar, pa mundur të vjedhin gjë.
Pas ndihmës së parë mjekësore në spitalin e Lezhës, 66-vjeçari është dërguar për trajtim më të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA po krehin zonën. Dyshohet se autorët janë larguar në këmbë duke përfituar nga terreni dhe errësira. Nga veprimet hetimore paraprake janë shoqëruar disa persona për tu marrë në pyetje dhe dyshohet se autorët nuk janë të zonave të Lezhës.
Dy ditë më parë pre e grabitëse ka rënë edhe këngëtari i muzikës folklorike Zef Beka. Këtij të fundit i kanë marrë 15 milionë lekë si dhe automjetin. Por pas një ndjekje nga policia grabitësit kanë lënë makinën në një kanal dhe janë larguar në këmbë./tvklan.al