Nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, shpreh besimin për miratimin me konsensus të 7 ligjeve për reformën në drejtësi. Ajo thekson rëndësinë e kalimit të këtyre ligjeve me konsensus duke shpresuar se palët do të dakordësojnë qëndrimet e tyre njësoj si në rastin e votimit të ndryshimeve kushtetuese. Sipas saj, miratimi me konsensus i ndryshimeve kushtetuese theu tabunë e dialogut politik në vendin tonë. “Ne arritëm të thyejmë një tabu në Shqipëri, tabunë e dialogut politik. Pasi u ulën bashkë liderët e forcave të ndryshme politike, dhe u diskutua dhe u ra dakord për reformën. Kjo është padyshim me rëndësi. Besoj se edhe 7 ligjet do të miratohen me konsensus ashtu siç edhe paketa kushtetuese. Ka ardhur momenti t’i gjejmë një term në shqip vetingut, por s’do ishte një fjalë e vetme pasi është “komisioni i cili do të vazhdojë kriteret që duhet të plotësojnë gjyqtarët e prokurorët për të qenë pjesë e sistemit”.
Me miratimin e ndryshimeve kushtetuese me konsensus, edhe diskutimet e tjera besoj do jetë po këtë linjë. Edhe vetingu është një pikë me rëndësi që po çon për para këtë proces. Duhet që këto ligje t’i miratojmë brenda gushtit, në mënyrë që të vihen në zbatim”, ka thënë Mehmetaj. Sipas saj është e rëndësishme që Kuvendi të mblidhet brenda gushtit për miratimin me konsensus të 7 ligjeve. Deputetja e LSI theksoi se efektet e kësaj reformë do të jenë pozitive për qytetarët dhe do të vlejnë për jetën e qytetarëve në vitet e ardhshme. “Kjo është nga ato reforma që realisht efektet pozitive do t’i ketë te qytetarët. Këto janë ndryshime dhe një reformë që nuk bëhet fjalë sot për nesër, por për jetën e shqiptarëve në 30 vitet e ardhshme. Jemi treguar të kujdesshëm që për efektin që do të ketë kjo reformë, të largohemi nga interesat e vogla dhe ta dalim përtej, aty për të cilën na kanë besuar dhe na kanë votuar”, tha Mehmetaj.
Duke u ndalur tek projektligjet në të cilët Mehmetaj ka qenë iniciatore, ajo tha se ky ka qenë një proces me shumë rëndësi.