Skandali ne Spitalin Amerikan, drejtori në Ministrinë e Shëndetësisë: Nuk e kemi inspektuar qendrën e dializës

0
119

Tuba që lidhin trupin në një pajisje. Pamundësi për të lëvizur. Zjarr. Hekura në dritare. Mjafton kaq për të krijuar një panik të tmerrshëm te kushdo që mund të ishte i pranishëm në zjarrin e rënë në Spitalin Amerikan mëngjesin e së hënës, 25 korrik 2016.

U përfol mungesa e një sistemi kundër zjarrit, por pak u kuptua. Por kangjellat në dritare janë pak të vështira për t’u harruar, pikërisht sepse ishte përshtypja e parë e atyre që panë pamjet e ngjarjes. Një sallë e përshtatur “kohët e fundit” për t’u përdorur për shërbimin e dializës, sallë për të cilën Ministria e Shëndetësisë mohon të ketë pasur dijeni, ndërsa që nga ana e Shërbimit Zjarrfikës pohohet se në dritaret e saj nuk duhet të kishte kangjella.

Ministria e Shëndetësisë nuk e ka inspektuar më parë qendrën e hemodializës në Spitalin Amerikan, ku edhe ndodhi zjarri. Drejtori i Administrimit Spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë, Petro Mersini, i kontaktuar në telefon nga gazeta “Shëndet+” pohoi se ishte i habitur kur dëgjoi për ngjarjen, sepse nuk e dinte që qendra e dializës së këtij spitali ndodhej aty.

Përshëndetje, z. Mersini! Donim të pyesnim lidhur me ngjarjen e ndodhur tek Spitali Amerikan. A i plotësonte kushtet e sigurisë reparti i hemodializës që u përfshi nga zjarri?

Kjo qendër e re e dializës nuk është inspektuar nga Ministria e Shëndetësisë. Kjo duhet të jetë një qendër e re, e cila e ka ofruar shërbim tani shpejt. Kur ndodhi ngjarja, unë nuk e dija që ishte aty qendra e dializës, sepse ne kemi inspektuar qendrën tjetër që ndodhet tek Spitali Amerikan 2. Në fakt, as nuk e dimë nëse Spitali Amerikan e ka marrë licencimin për hapësirën ku ka ofruar shërbimin.

Mund të na thoni si licencohet një spital për të ofruar shërbimet shëndetësore ndaj pacientëve?

Qendra e Licencimit na sjell dosjen në ministri dhe më pas ne dalim dhe inspektojmë spitalet për kriteret dhe standardet që duhet të kenë. Pasi bëjmë inspektimin, dërgojmë dosjet në qendrën e licencimit.

Atëherë, ju po thoni se këtë qendër nuk e keni inspektuar para licencimit?

Jo. Ne nuk kemi bërë inspektim të këtij ambienti për dializën para licencimit. Po ju them se kemi inspektuar një qendër tjetër dialize dhe që është tek Spitali Amerikan 2.

Po pas ngjarjes a e keni inspektuar, z. Mersini?

Tani që ndodhi ngjarja, mendoj se është çështje e Prokurorisë për ta inspektuar. Po e përsëris. Unë personalisht as që e dija se spitali përdor atë qendër për dializën, sepse ne kemi inspektuar para licencimit pjesën tjetër të dializës të Spitalit Amerikan.

Teksa thotë se në përgjithësi Spitali Amerikan i plotësonte masat parandaluese për mbrojtjen nga zjarri, Goxhaj për gazetën “Shëndet+” shprehet se “godina e tillë është përshtatur, nuk ka qenë pjesë e godinës së Spitalit Amerikan. Mendoj se ka shërbyer për shërbime të tjera dhe kohët e fundit është shndërruar në një formë të tillë”.

I pyetur nëse është normale që një godinë që ofron shërbim shëndetësor për pacientët të jetë me kangjella (që mund të jetë një formë shpëtimi në rast zjarri), Goxhaj pohon se “me kangjella metalike në kohën që është sallë që trajton qytetarët, nuk besoj se është e lejueshme”.

Teksa Spitali Amerikan 1 u shpall kontraktor i dializës për 10 vite, i pyetur nëse kanë bërë kontrolle dhe lënë këshilla për përmirësimin e këtij problemi (kangjellat), drejtori Goxhaj thotë se për këtë çështje duhet të shihen aktet e kontrollit që kanë lëshuar në objekte.

Nga ana tjetër, kur burime nga prokuroria e Tiranës kanë pohuar se nuk ka funksionuar siç duhet sistemi kundër mbrojtjes nga zjarri, Goxhaj thotë se nuk e shikon të nevojshme sistemin “Sprinkler” (në rastet e zjarrit lëshon automatikisht ujë). Sipas tij, sistemi “Sprinkler” është për ambiente të veçanta që paraqesin rrezikshmëri, ku mund të mbahen lëndë lehtësisht të djegshme, si alkooli dhe lëndë të tjera që janë të rrezikshme”.

Një përgjigje e tillë e drejtorit të Shërbimit Zjarrfikës lë shumë vend për debat, teksa është e çuditshme se si mund të pohohet që spitalet, si dhe salla të tilla ku alkooli hyn në procedurat rutinë të punës, nuk paraqet rrezikshmëri, aq më tepër kur flitet për njerëz me lëvizshmëri të reduktuar për shkak të procedurës të veçantë mjekësore (Pacientët e dializës janë të lidhur me aparaturën dhe nuk mund të lëvizin nëse nuk shkëputen prej saj, shkëputje që duhet të bëhet nga personeli mjekësor).

Lidhur me këto çështje, përgjegjësia më e madhe bie pikërisht mbi institucionet shtetërore, veçanërisht Ministrinë e Shëndetësisë, që teksa u jep para kontraktorëve , nuk sigurohet t’i mbajë ata nën tensionin e kontrolleve dhe monitorimeve të vazhdueshme dhe të detyrueshme, si pasojë e mungesës së të cilave tre pacientë humbën jetën nga zjarri i ditës së hënë, teksa merrnin shërbimin që pretendohej t’ua shpëtonte atë jetë./Marrë nga Shëndeti.com.al/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here