Administrata publike e mbushur me të dënuar për vepra penale, 50 punonjës rrezikojnë detyrën

0
106

Ligji i dekriminalizimit duket se tashmë ka filluar të japë efektet e tij edhe në Departamentin e Administratës Publike, DAP. Pak kohë më parë, ky institucion dërgoi në Prokurorinë e Përgjithshme për verifikim 150 formularë të punonjësve të administratës publike, për të cilët kishte indicie se ishin subjekt i ligjit për dekriminalizimin. Struktura e Posaçme për Dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme, menjëherë nisi hetimet e thelluara për formularët që iu dorëzuan, ashtu siç e parashikon edhe ligji për dekriminalizimin, miratuar me konsensus të gjerë nga të gjitha forcat politike në vend. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme, deklarojnë se nga verifikimi i formularëve deri tani, rezulton se 50 prej tyre rezultojnë me vendime gjyqësore të formës së prerë. Bëhet fjalë për shkelje të cilat janë subjekt i ligjit të dekriminalizmit dhe si rrjedhojë, këta punonjës pritet të largohen shumë shpejt nga postet që mbajnë. Ajo që bie në sy është fakti që bëhet fjalë për persona të cilët kanë mbajtur poste shumë delikate në administratën publike, madje edhe drejtorë shkollash në të gjithë vendin, të cilët kanë rezultuar me dënime të formës së prerë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. “Janë verifikuar një pjesë e mirë e formularëve të marrë nga DAP dhe puna vijon edhe për të tjerët. Rezulton se deri tani 50 persona janë konstatuar me dënime të formës së pretë të gjykatave, si brenda ashtu edhe jashtë vendit”, deklarojnë burime nga Prokuroria e Përgjithshme. Gjithsesi, fakti më shqetësues është që mes personave me precedentë penalë renditen poste kyçe të administratës. Konkretisht bëhet fjalë për drejtorë shkollash, në të gjithë vendin, staf, punonjës prefekturash në të gjithë vendin, administratorë të njësive të qeverisjes vendore, të cilët janë në varësinë e qeverisë pas hyrjes në fuqi të reformës territoriale. Po ashtu, burimet saktësojnë se mes 50 personave bëjnë pjesë edhe individë që mbajnë poste të tjera të rëndësishme si zyrtarë të regjistrimit në hipoteka, në disa qarqe të vendit si edhe drejtorë të drejtorive rajonale në varësi të ministrive të ndryshme.

Sanksionet

Sipas ligjit për dekriminalizimin, personat që rezultojnë me precedentë penalë, pra që kanë dënime të formës së prerë nga gjykatat për shkelje të cilat janë subjekt i ligjit për dekriminalizimin, do të largohen nga postet e tyre. Pikërisht, kjo konfirmohet edhe nga burimet pranë Prokurorisë, të cilat saktësojnë se vendimi dhe emrat konkretë të punonjësve të administratës do të bëhen publikë në momentin që të përfundojë i gjithë procesi i verifikimit të 150 formularëve të dorëzuar nga DAP. Pavarësisht se një pjesë e punonjësve të administratës me precedentë penalë, kryesisht ata të emëruar politikisht, zgjodhën të largohen në mënyrë të vullnetshme nga postet e tyre menjëherë sapo u miratua ligji, pjesa tjetër nguroi ta bënte diçka të tillë. Deri tani është bërë verifikimi vetëm i gjysmës së 150 formularëve të dërguar nga DAP dhe janë konstatuar 50 me probleme serioze, por deri në fund kjo shifër mund të rritet edhe më shumë. Ndërkohë duhet theksuar se DAP është institucioni i vetëm që ende nuk i ka publikuar online formularët e vetëdeklarimit për administratën publike, me arsyetimin se shkelet privatësia.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here