Quo Vadis?/ “Eulex-i”, sistemi i drejtësisë dhe Kushtetuta e Shqipërisë

0
171

download

Propozimi i PD-së: Ndërkombëtarët rol vëzhgues jo ekzekutues

Ja roli që do ketë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit  në procesin e Vetingut

 

Kur kanë ngelur vetëm 7 ditë nga votimi në Kuvend i reformës në drejtësi, propozimi i demokratëve, i bërë publik ditën e djeshme ndryshon vetëm në një pikë, nga propozimi hibrid që ndihmës/sekretarja e shtetit amerikan,Victoria Nuland u serviri palëve këtë të dielë. Propozimi i kampit blu nuk u jep ndërkombëtarëve fuqi vendimarrëve në procesin e vettingut ndërkohë që amerikanët sygjerojnë në variantin e tyre, të marrin në drejtim Komisionin Ndërkombëtar të Vetingut. Demokratët propozojnë që shpalljen e aplikimeve për 3 pozicione në strukturat e Vetingut ta bëj Avokati i Popullit.Më  pas, Avokati i popullit harton listën e kandidatëve pa përjashtuar asnjërin prej tyre dhe ja dërgon Kuvendit. Ky proces vëzhgohet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Kuvendi krijon dy komisone ad – hock, njërin me 12 anëtarë dhe tjetrin me 6 anëtarë.Në të dyja komisionet përbërja e anëtarëve është 50% – 50%.Komisioni me 6 anëtarë shqyrton kandidatët dhe verifikon përmbushjen e kritereve të shpallura për kandidim. Ky komison ka të drejtën që bazuar në prova dhe në ligj të përjashtojë kandidatët që nuk përmbushin kriteret.Në fund të procesit të seleksionimit do të dalin 3 lista: lista me kandidatët për komisonerë, lista me kandidatët për komisionerë publikë dhe lista me kanidatët për gjyqtarë. Edhe në këtë rast , Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka të drejtë të marrë pjesë në seacat e shqyrtimit të kanidatëve pas asnjë pengesë. Kandidatët e përjashtuar nga komisioni ad hoc kanë të drejtë të ankohen ndaj vendimeve administrative të komisionit ad hoc, në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkaq Komsioni me 12 anëtarë  do të zgjedhë 12 komisionerët e Komisionit të Kualifikimit. Me votë të fshehtë, ku secili anëtar voton vetëm për njërin kandidat.  Ky proces mundëson që zgjedhjet të jenë sekrete duke shmangur kështu etiketimin politik të kandidatëve.Po ky komision do të zgjedhë edhe 2  komisionerët Publikë, përsëri pa debat, përmes një votimi të fshehtë. 2 kandidatët që marrin më shumë vota do të quhen fitues. Zgjidhja e gjyqtarëve të Apelit do të bëhet nga komisioni me 6 anëtarë. Ky komison do të zgjedhë në fillim 6 nga 7 gjyqtarët e dhomës së Apelit. I njëti komison do të përzgjdhë edhe gjyqtarin e 7 të dhomës së apelit midis kandidatëve të mbetur pas votimit të parë. Kuvendi mund të pranojë ose rrëzojë listën e kandidatëve në bllok me një shumicë të cilësuar (2/3). Pra nuk është e mundur të pranojë ose rrëzojë vetëm një pjesë të listës.

 

Reagimi

 

Në propozimin e tyre, ekspertët e  PD – së sqarojnë rolin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, pikën për të cilën palët ende nuk po bien dakort. “Vëzhgues nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kanë të drejtë të marrin pjesë në seancat e shqyrtimit të kandidatëve pa asnjë kufizim. Kjo trupë ka të drejtë të ketë akses të plotë dhe të papenguar tek çdo dokumentacion që administron komisioni. Pas përfundimit të shqyrtimit të kandidatëve nga komisioni ad hoc, ONM ka të drejtë t’i dorëzojë Kuvendit një raport të detajuar me vlerësim për secilën kandidaturë, sipas kritereve kushtetuese dhe ligjore dhe dokumentave dhe provave të administruara nga komisioni. Raporti i vihet menjëherë në dispozicion çdo deputeti,” – thuhet në deklaratën e të djathtëve. Megjithatë opozita nuk i atribuon rol vendimarrës Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit,  sepse siç  sipas tyre pushteti diskrecional do ta kthente ONM në një institucion me supra – sovranitet brenda kornizës kushtetuese shqiptare.

 

 

largea_lulzim-basha1392056037

Qëndrimi i demokratëve

Basha: Propozimi hibrid një hap larg konsensusit, ONM rol monitorues

 

“Ku ta drejtojë gishtin qytetari shqiptar? Te kryeministri i Finlandës, tek kryeministri i Zvicrës? Nuk mund të ketë kompetenca kushtetuese pa pasur llogaridhënie kushtetuese”.

 

Kryedemokrati Lulzim Basha  shpjegoi qartazi se tashmë propozimi hibrid i ndërkombëtarëve është vetëm një hap larg konsensusit të shumëkërkuar. Në një dalje për mediat, pas mbledhjes së përjavshme të grupit parlamentar, lideri I selisë blu, deklaroi se vendim unanim, depuetët demokratë i qëndrojnë propozimit të bërë publik ditën e djeshme. Sipas Bashës propozimi i PD – së reflekton 95% të propozimit të ndërkombëtarëve me përjashtim të rolit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ku palët ndahen. Për demokratët, misioni I ONM – së është vetëm monitorues,I përcaktuar edhe nga Komsioni i Vencias. “Deputetët janë njohur me propozimin e PD-së jo për të rrëzuar, por për të pranuar dhe çuar drejt përfundimit pjesën kushtetuese të reformës në drejtësi. Diskutimi ka përfunduar në një qëndrim unik, unanim të grupit në mbështetje të propozimit tonë. Në këtë propozim PD inkorporon 95% të propozimit hibrid me të cilin jemi njohur të shtunën. Kemi diskutuar edhe me znj.Nuland, e cila ma përshkroi si propozimin e Lu dhe Vlahutin dhe shprehëm shqetësimin tonë për mos-reflektimin e vërejtjeve të Venecias sa i përket rolit të Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Ndryshe nga gënjeshtrat që tha sot kryeministri, dua t’u konfirmoj së pari se Partia Demokratike jo vetëm nuk e ka refuzuar por e konsideron propozimin hibrid një hap larg marrëveshjes për Reformën në Drejtësi. Dhe hapi që duhet të përmbushet është sjellja në përputhje të plotë me Komisionin e Venecias të rolit të misionit ndërkombëtar të monitorimit duke e fuqizuar dhe jo duke e dobësuar atë,” – u shpreh Kryeopozitari.

 

Qëndrimi

Basha argumentoi qëndrimin e demokratëve, duke theksuar se ky mision nuk mund të ketë kompetenca kushtetuese pa pasur llogaridhënie kushtetuese.” Jemi ne, pra që kemi vënë në lëvizje dhe kemi mbështetur dhe mbështesim kompetencat më të gjëra dhe më të pakufizuara të Komisionit Ndërkombëtar të Monitorimit, por jo kompetenca kushtetuese dhe as kuazi-kushtetuese. Për një arsye të thjeshtë, që e ndava edhe me bashkëbiseduesen të dielën, edhe me bashkëbiseduesit e tjerë drejtpërdrejtë apo në telefon dhe dua ta ndaj sot me qytetarët shqiptarë. Nëse diçka nuk shkon mirë apo shkon tmerrësisht keq ku ta drejtojë gishtin qytetari shqiptar? Te kryeministri i Finlandës, tek kryeministri i Zvicrës? Nuk mund të ketë kompetenca kushtetuese pa pasur llogaridhënie kushtetuese. Dhe këtu Venecia është fare e qartë: monitorim, dhe Partia Demokratike është fare e qartë, monitorimin më robust, më të fuqishëm të mundshëm por jo ndërtimin e perdeve, alibive apo kthesave ku projekti i reformës në drejtësi mund të përplaset me interesat e Edi Ramës,” – tha ai. Lideri i të djathtëve bëri me dije se partia Demokratike ka vullnetin për të arritur një marrëveshje dhe kërkoi nga kryeministri Rama të autorizojë ekspertët e mazhorancës, me qëllim arritjen e një konsensusi.

 

donal lu

Lu: Jam i zhgënjyer, Basha: Miqtë flasin hapur me njëri – tjetrin

 

Ambasadori amerikan Donald Lu u shpreh i zhgënjyer me qëndrimin e kryedemokratit Lulzim Basha për propozimin hibrid të reformës në Drejtësi. Sipas ambasadorit propozimi i demokratëve nuk është në përputhje me opinionin final të Venecias. “Jemi të zhgënjyer me përgjigjen e Zotit Basha ndajpropozimit hibrid për reformën në drejtësi. Propozuam një zgjidhje në mirëbesim – gjysmën nga qeveria dhe gjysmën nga opozita. Z. Basha propozoi diçka që ai vetë ka pranuar se është në konflikt interesi dhe jo në përputhje me paragrafin 61 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias,’’ – deklaroi Lu. Megjithatë ,përfaqësuesi I SHBA – në vendin tonë, theksoi se nuk do ti ndalë përpjekjet për arritjen e konsensusit mes palëve. Nga ana tjetër, I pyetur nga mediat, Basha theksoi se ambasadori amerikan ngelet një kontribues i jashtëzakonshëm dhe i kujtoi se miqtë flasin hapur me njëri – tjetrin. “Ambasadori amerikan ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Ne jemi në kushtet e një aleance strategjike për të cilat unë kam dhënë në të kaluarën, sot, e do vazhdoj të jap edhe nesër në detyrën time të ardhshme kontributin tim. Miqtë flasin hapur me njëri tjetrin, edhe kur bien dakord dhe kur nuk bien dakord. Dhe do të vazhdojmë të flasim hapur,” – u përgjigj lideri demokrat. Në përpjekje për ti bindur demokrattë për implementimin e propozimit hibrid, Donald Lu u ndal sërish ditën e djeshme në selinë blu ku zhvilloi  një takim  kokë më kokë me Lulzim Bashën.

 

 

BE:Keqardhje që lidershipi i PD- së e refuzoi kompromisin

 

Pas qëndrmit të demokratëve lidhur me propozimin hibrid, Delegacioni i Bashkimit Europian me anë të një deklarate shpreh keqardhje që lidershipi I PD – së refuzoi kompromisin.  Në deklaratë, delegacioni i  BE – së thekson se një rol i kufizuar specifik i komunitetit ndërkombëtar përmes Operacionit Ndërkombëtar Monitorues është thelbësor.” Na vjen keq që lidershipi i Partisë Demokratike e refuzoi propozimin për kompromis.Besueshmëria e reformës në drejtësi varet përgjithësisht nga besueshmëria e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për ta garantuar këtë, një rol i kufizuar specifik i komunitetit ndërkombëtar përmes Operacionit Ndërkombëtar Monitorues është thelbësor.Kjo përputhet plotësisht me Opinionin e Komisionit të Venecias që e parashikon këtë rol për Operacionin Ndërkombëtar Monitorues. Propozimi aktual për kompromis reflekton pozicionin tonë të qartë që komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurojë monitorim të fuqishëm për të garantuar besueshmërinë e procesit, përfshirë pre-vetingun e anëtarëve të organeve të vetingut, duke dhënë, sipas rastit, rekomandime negative,’’ – thuhet në reagimin e Bashkimit Europian.

 

10835350_842539795797203_6306339448563856245_o (1)

 

 

Megjithëse lideri demokrat Lulzim Basha, tha në fjalën për mediat që grupit parlamentar demokrat me vendim unanim i qëndron propozimit të fundit, debatet në mbledhjen e djeshme nuk kanë munguar.Deputetët Atrit Patozi, Arben Imami, Genc Ruli dhe Majlinda Bregu kanë qenë skeptik për qëndrimin që kampi blu duhet të mbajë në lidhje me rolin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe propozimin hibrid. Ndërkohë që kryedemokrati Lulzim Basha ka shpjeguar se ende vazhdojnë tentativat për zgjidhjen, disa deputetë kanë kërkuar të dinë lëvizjet politike që të djathtët do bëjnë. “  Dua lëvizjen politike që bëjmë, jo detajet e kundërpërgjigjies. Duhet të diskutojmë lëvizjet politike,” – ngumoi deputetja Bregu. Edhe deputeti Atrit Patozi tha se kjo sjellje  do të ketë një faturë politike. “Sjellja jonë politike do të jetë një faturë dhe këtë faturë politike nuk e caktojmë ne, por qytetarët e ndërkombëtarët,”- u shpreh Patozi. Ndërkaq ish kryeministri Sali Berisha i qëndroi mendimit se ndërkombëtarët duhet të kenë rol vëzhgues.Berisha u largua më herët nga mbledhja e grupit parlamentar, kjo sepse sepse ish shefi i qeverisë, zhvilloi një takim kokë më kokë me ambasadorin amerikan Donald Lu.

 

Debatet

 

Lulzim Basha:E vërteta është me ne, siç ndodhi me dekriminalizimin, siç ndodhi më Byronë Kombëtare të Hetimit. Monitoruesit ndërkombëtarënuk mund të jenë ekzekutivë, sepse nuk japin llogari para qytetarëve shqiptarë.Monitoruesit monitorojnë dhe ofrojnë garanci. Pra s’mund t’i japësh pushtet vendimarrës dikujt që nuk jep llogari para qytetarëve.

 

Arben Imami: Jam dakort, por duhet të kishim thënë përpara që nuk e pranojmë

Astrit Patozi: Sjellja jonë politike do të jetë një faturë.  Dhe këtë faturë politike nuk e caktojmë ne, por qytetarët e ndërkombëtarët. Ne kemi kërkuar vetë si PD që të jenë të pranishëm në proces ndërkombëtarët si garanci. Tani duket sikur kemi ndryshuar mendim.

 

Majlinda Bregu: E kemi kërkuar ne rolin e Operacionit Ndërkombëtarë të Monitorimit. Ne nuk mund të marrim koston e moskoherencës tonë. Kush na garanton që gjithë puna që bëmë nga shtatori për përmirësimin e draftit që ka ndërruar 90% me ndërhyrjet tona nuk ka rënë poshtë?! Jemi identifikuar se ‘Nuk e duam reformën”. Çfarë ndodh me këtë parti, është çështja? E kemi me partnerët apo me Edi Ramën? Në këtë spirale ku kemi hyrë, na thuaj: Çfarë ndodh nëse nuk votohet? Dua lëvizjen politike që bëjmë, jo detajet e kundërpërgjigjies. Duhet të diskutojmë lëvizjet politike jo detajet e kundërpropozimit.

 

Genc Ruli: Këtë që thoni ju unë e kam thënë shumë përpara kohësh.

 

Sali Berisha: Ndërkombëtarët sipas Venecias, vëzhgues dhe kurrë vendimmarrës.U tha që gjithmonë kemi shprehur 3 gjëra. Mos Kapjen, sovranitetin dhe të drejtat  e njeriut. Por vazhdojmë të kemi kapje nëse shkelim sovranitetin me funksione ekzekutive të ndërkombëtarëve. Jemi investuar shumë tek rekomandimi 88 I Vencias që e ka të detyruar sovranitetin.

 

Lulzim Basha: Çfarë kanë thënë mediat deri tani nuk është e vërtetë. Nuk kemi dhënë përgjigje zyrtare. Jemi në tentativa për zgjidhjen, nuk pranohet dot që Vettingu të bëhet nga ndërkombëtarët në rol vendimmarrës. Kemi rikthyer propozimin për Gjykatën Kushtetuese, por jo si vendimmarrës por si organ apeli .I kemi çuar ambasadorit Lu propozimin parimor. Dhe vetë ndërkombëtarëve nuk ua lejojnë Kushtetutat e vendeve të tyre rolin ekzekutiv dhe vendimarrës në një vend tjetër.

 

 

rama deklarate

Rama: PD u kujtua për sovranitetin dhe kërkon t’i vërë kufirin te thana Amerikës dhe Europës

 

“PD nuk e do reformën në drejtësi, refuzon ndërkombëtarët se do të mbrojë të korruptuarit e saj në drejtësi. Ftoj Bashën të mos udhëhiqet nga frika, të ulemi bashkë për zgjidhje”

 

Gëzim Saliu

 

 

Pas qëndrimit të Partisë Demokratike lidhur me propozimin hibrid të SHBA dhe BE, reagoi dje përmes një konference të posaçme për shtyp kryeministri Rama. Për kreun e qeverisë, qëndrimi i PD-së e cila solli në tryezë një tjetër propozim zgjidhjeje të çështjes tregon se opozita nuk e do reformën në drejtësi. Duke u marrë përkatësisht me kërkesën e PD që ekspertët ndërkombëtarë të kenë vetëm rol monitoruesi të procesit, Rama tha se ky refuzim vjen për shkak të interesave korruptive që ka forca kryesore e opozitës te sistemi aktual gjyqësor. “Nuk më vjen i papritur ky refuzim i radhës, sepse përgjatë një viti e gjysmë të procesit të hartimi të draftit të Reformës në Drejtësi, Partia Demokratike i ka dhënë me të gjitha mënyrat sinjalet që nuk e do Reformën në Drejtësi. Është tallur me partnerët strategjikë të Shqipërisë, duke ju thënë se ka vetëm një hall, si të mos e kapi Edi Rama drejtësinë dhe ky hall zgjidhet me vende të rezervuara. Pastaj ka sjellë një propozim për të zgjidhur hallin, duke kaluar nga vendet e rezervuara tek vendet e blinduara dhe duke kërkuar barazi të plotë pjesëmarrjeje në komisioni “ad hoc” të përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit të Kualifikimit, 6 nga shumica dhe 6 nga opozita. Kur ne kemi pranuar edhe këtë propozim, ka marrë 48 orë kohë nga takimi me Ndihmës Sekretaren Nuland, jo për ta pranuar, por për ta rrëzuar. Duke nxjerrë një kundërpropozim, që në fakt nxjerr në pah të vërtetën e fshehur për një vit e gjysmë: Partia Demokratike nuk i do partnerët strategjikë të Shqipërisë apo të huajt nëpër këmbë. Sepse, i friket pikërisht paanshmërisë, profesionalizmit dhe besnikërisë së tyre ndaj ligjshmërisë në procesin e skanimit të pasurive, vendimmarrjeve dhe aftësive të gjykatësve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë”, theksoi kryeministri.

 

Reagimi

 

Sipas kreut të qeverisë, PD e ka bojkotuar procesin, fillimisht, për një kohë të gjatë dhe më pas ka hyrë e ka dalë në proces, duke futur e duke nxjerrë, theksoi ai,letra pa lidhje vetëm për ta ngatërruar rrugën e reformës. “A i keni dëgjuar ndonjëherë të thonë që nuk duan që ndërkombëtarët të fusin hundët në pazarin e madh, që pushteti i Partisë Demokratike, për t’u siguruar jetë e mot se nuk preket nga drejtësia për zullumet që e çuan Shqipërinë drejt falimentit moral dhe ekonomik, ka krijuar brenda kufijve të sistemit të drejtësisë? Natyrisht jo! As këtë nuk e kanë thënë kurrë. Ndoshta, krenaria e luftëtarit për drejtësi me gjasme, i ka shtyrë ta besojnë vërtet përrallën që kanë treguar çdo ditë, me gogolin, një vit e gjysmë rresht, ku i gjithë problemi ishin “kthetrat e mia” në sistemin e drejtësisë. Duke e besuar edhe vetë këtë përrallë, nuk e kanë menduar që do vinte dita të dilnin kaq zbuluar para popullit dhe para partnerëve tanë strategjikë, të zhgënjyer, sepse të befasuar nga “jo”-ja, pasi këta tanët nuk e kanë menduar se ne do ta pranonim propozimin e tyre, të hartuar në fakt jo për kompromis me ne, por vetëm që ne të thoshim “jo””, u shpreh Rama. Më tej ai nënvizoi se PD nuk ka më justifikime për të shprehur kundërshtinë ndaj reformës, pasi edhe kundërshtia sipas  tij e bërjes së vetingut nga ndërkombëtarët bie poshtë me arysertyimet e ndërmarra më parë nga forca kryesore e opozitës. “shpresoj dhe besoj që ju nuk e keni harruar se sa herë ka ndodhur që në Kuvendin e Shqipërisë, Partia Demokratike të kërkojë hetime ndërkombëtare, prokurorë ndërkombëtarë, madje dhe vetë Byronë Federale të Hetimit, FBI-në, që të vijnë këtu, të marrin në dorë situatën, të zbardhin histori korrupsioni apo skandale të sajuara nga ata vetë. Ju nuk e keni harruar, besoj, sa herë kanë kërkuar edhe votim në Kuvend, që Kuvendi i Shqipërisë të miratonte, – a thua se Amerika s’ka sovranitet, – përfshirjen e hetuesve amerikanë në hetime për çështje të veçanta të drejtësisë shqiptare”. Për Ramën gadishmëria e partnerëve për të ndihmuar seriozisht në procesin e reformimit të sistemit të drejtësia po refuzohet nga opozita pa argumenta. “Partia Demokratike na u kujtua për sovranitetin dhe kërkon të vërë kufirin te thana Amerikës dhe Europës. Një koleg, nga një vend i BE, njohës i mirë i procesit të integrimit, të bashkimit të vendeve ish komuniste më tha: “Shqipëria është rasti i parë që, jo qeveria, por opozita pengon projektin e përbashkët të një vendi që është në proces integrimi me BE për Reformën në Drejtësi”. Të gjitha Reformat në Drejtësi të vendeve që më pas u anëtarësuan në BE janë bërë në bashkëpunim me BE dhe SHBA, sepse nuk ka aplikuar BE të integrohet në Shqipëri, por Shqipëria të integrohet në BE. Nuk ka vend të BE që të pretendojë sovranitet mbi mënyrën si i kupton dhe si i zbaton normat dhe standardet e Familjes Europiane. Nuk ka!”. Çështjen e debatit, kryeministri e aktualizoi edhe me Brexitin e Britanisë, ku tha se,: Në emër të sovranitetit britanikët e morën veten në qafë. Nëse në emër të sovranitetit ky refuzim është një ftesë, që ta marrim dhe ne veten në qafë. Kjo është një ftesë që asnjë shqiptar, socialist, demokratik, pa parti, në Shqipëri, jashtë Shqipërisë nuk mund ta pranojë”. Në fund pas akuzave ndaj demokratëve, kryeministri e kishte edhe një ftesë për negociata por duke i sugjeruar kryedemokratit që të mos udhëhiqet nga frika. “Unë e ftoj Lulzim Bashën të ulemi përsëri, të flasim si dy shqiptarë që sot janë në krye të partive, por nesër do të jenë njësoj si 4.4 milionë shqiptarë apo po të doni, 10 milionë shqiptarët e zakonshëm që janë apo s’janë shtetas të Shqipërisë, e duan dhe e meritojnë Shqipërinë europiane, shtet të së drejtës së garantuar nga një drejtësi e drejtë”.

 

 

Komisioni i posaçëm parlamentar

Diskutohen institucionet e korrupsionit, nesër mbyllet diskutimi i paketës

 

Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi zhvilloi dje mbledhjen e radhës, ku u diskutua projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”. Fill pas përfundimit të mbledhjes, deputetja socialiste Vasilika Hysi tha se priten ende propozime nga e interesuara, duke theksuar se të premten do të bëhet edhe diskutimi i projektligjeve. “Në këtë ligj roli i ndërkombëtarëve ka qenë i pranuar që në fillim. Ne nuk mund të presim pafundësisht, pasi varemi nga procedurat. Për projektligjet që i kemi diskutim të premten i ftojmë që sugjerimet t’i bëjnë deri këtë ditë. Besoj se paketa duhet mbyllur. Është ngritur një grup pune nga qeverie, nga ministri të ndryshme, për të diskutuar për paktën financiare që përfshin rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët”, tha deputetja Hysi. Në të njëjtën linjë deputeti tjetër socialist Ulsi Manja, anëtar i komisionit të posaçëm parlamentar ftoi të gathë aktorët e sistemit të drejtësisë që të japin komentet e tyre në funksion të përmirësimit të projektligjeve që po diskutohen në komisionin e posaçëm. “E gjitha paketa e projektligjeve që po diskutohet ka qenë e hapur dhe vazhdon të jetë e hapur në fazën e diskutimit nen për nen. Çdo gjyqtar e prokuror apo aktor i sistemit të drejtësisë mund ta japë komente në funksion të përmirësimit të projektligjeve. Përsëri vlen e njëjta ftesë për të gjithë aktorët”, tha Manja.

 

Pa syze politike

“Eulex-i”, sistemi i drejtësisë dhe Kushtetuta e Shqipërisë

 

Sapo kryedemokrati Basha bëri të ditur propozimin e ri të opozitës, madje pa mbyllur ende fjalën e tij të plotë para selisë blu, në media e rrjete sociale u shfaq titulli kryesor: “PD kundër propozimit të SHBA”. Më tej shtjellimi i “jashtëm” i qëndrimit dhe propozimit të ri të demokratëve u plotësua me ngjyrime të tjera, duke i qëndruar linjës sipas së cilës opozita është kundër ndërkombëtarëve në kuadër të reformës në drejtësi. Por nëse shohim me vëmendje dhe në detaje propozimin e djeshëm të demokratëve, i cili në 95 % të tij mbështet formulën e hedhur në tryezë nga Nuland pak ditë më parë, së paku duhet të tërhiqemi nga akuzat që kanë në qendër tezën e përhapur gjerë kohët e fundit për një “PD kundër imperialistëve”.

Së pari në formulën e propozuar nga demokratët thuhet se,: “Vëzhgues nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kanë të drejtë të marrin pjesë në seancat e shqyrtimit të kandidatëve pa asnjë kufizim. Kjo trupë ka të drejtë të ketë akses të plotë dhe të papenguar tek çdo dokumentacion që administron komisioni. Gjithashtu, ONM ka të drejtë të dorëzojë pranë komisionit ad hoc dokumentacion që vërteton kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit në përputhje me Ligjin e Dekriminalizimit dhe që nuk disponohen nga institucionet shqiptare. Pas përfundimit të shqyrtimit të kandidatëve nga komisioni ad hoc, ONM ka të drejtë t’i dorëzojë Kuvendit një raport të detajuar me vlerësim për secilën kandidaturë, sipas kritereve kushtetuese dhe ligjore dhe dokumentave dhe provave të administruara nga komisioni”. Po ashtu në propozimin e PD-së në pjesën e shënimeve theksohet se,: “Propozimi i jep ONM rol vezhguesi me akses të plotë në proces dhe dokumentacion, prova apo çdo fakt të shqyrtuar, por pa pushetet diskrecional i cili do ta kthente ONM në një institucion me supra-sovranitet brenda kornizes kushtetuese shqiptare dhe pa përgjegjshmëri (accountability) demokratik. Ky do të ishte një rast sui generis dhe një përjashtim absolut në raport me eksperiencat e vendeve të tjera që kanë hasur probleme po kaq të mprehta me gjyqësorin përpara anëtarësimit në BE, si Rumania apo Kroacia”.

Duke ju referuar vetëm këtyre dy pikave në draftin e PD-së arrijmë në disa përfundime që bien së paku në kundërshti me logjikën sipas së cilës opozita nuk e do reformën në drejtësi se i trembet ekspertëve ndërkombëtarë. Kështu PD me propozimin e saj i jep ONM( nënkupto ndërkombëtarët) disa kompetenca që nuk i kanë pasur deri më tani me asnjë reformë që është zhvilluar në vend. Operacioni ndërkombëtar i monitorimit do ketë rol vëzhguesi , ashtu sic edhe rekomandimi i Venecias propozon (monitorues), me akses të plotë në proces dhe dokumentacion. Po ashtu ONM-së i jepet e drejta  të dorëzojë pranë komisionit dokumentacion që vërteton kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit në përputhje me Dekriminalizimin si dhe e drejta për një raport të detajuar me vlerësim për secilën kandidaturë. Në këto kushte, kërkesa në draftin aktual që vjen si propozim i SHBA dhe BE, i jep ONM-së të drejta eskluzive në procesin e vettingut ose sic e pëlqen ta quajë kryeministri, radiografisë së gjyqtarëve. Në këtë formë, de facto dhe de jure, propozimi bën që drejtësia shqiptare të zhvendoset jashtë Kushtetutës dhe jashtë vullnetit politik të përfaqësuesve të zgjedhur. Modeli i reformës ne drejtesi, ku të huajt marrin vendime për liritë dhe te drejtat themelore te shtetasve shqiptar dhe ndërkohë vetë shqiptarët janë të privuar nga proçesi është nje model i përdorur për shtete që vuajnë pasojat e luftës apo që akoma nuk jane shtete sovrane. Vendosja e një “Eulexi” për Shqipërinë, përtej rëndësisë që kanë ndërkombëtarët në proçeset demokratike të vendit, do ishte jashtë çdo lloj logjike. Dhe duke mbetur pikërisht tek logjika, ajo që shton edhe më shumë paqartësistë për ONM-në është mungesa e shpjegimit publik nga pala mbrojtëse e kësaj formule. Asnjë prej përfaqësuesve socialist në komisionin e posaccëm, po ashtu asnjë përfaqësues i SHBA dhe BE , nuk kanë argumentuar se pse kjo strukturë ndërkombëtare ( ONM) duhet të përfshijë aq thellë duart në një procces sa bie në kundërshtim jo vetëm me themelet e veprimtarisë së një shteti por edhe me rekomandimin e Komisionit të Venecias. Ky i fundit në rekomandimin final për reformën në drejtësi i jep qartazi ndërkombëtarëve një rol moniturues së proccesit dhe jo vendimmarrës. Dhe në fund duke ju referuar një deklarate epike të kryeministrit sipas së cilit nuk është njeriu që korruptohet, por është sistemi që e kthen atyë në të tillë, lind pyetja e natyrshme: Cilat janë garancitë që japin kreu i qeverisë dhe mbështetësit ndërkombëtarë të kësaj formule se ekspertët që do përbëjnë ONM-në do jenë të pakorruptueshëm në një vend ku korrupsioni është sistem?!

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here