Intervistë/Mertiri: Sistemi ynë i arsimit parashkollor vuan nga një mungesë e thellë profesionalizmi

0
191

Irini Mece

Para disa ditësh opinion publik u trondit nga një ngjarje e rëndë, të paktën kështu u emërtua nga të gjithë kur dëgjuan për të. Bëhet fjalë për rastin e dhunës së djalit 3 vjeçar nga administratorja e tij. Nuk ka ngelur sharje, mallkim për pronaren e kopshtit privat që rreh pa iu dridhur dora një fëmijë 3-vjeçar. Por ky nuk është rasti i vetëm që kemi dëgjuar kohët e fundit, mjafton të përmendim rastin skandal në jetimoren e Shkodrës, ku shumë fëmijë ishin abuzuar nga edukatoret.  Problemi më i madh qëndron se dhunën e kemi të pranishme çdo ditë, në çdo moment të jetës, pa përjashtuar as fëmijët. Shohim fëmijë që dhunohen në rrugë, në autobus, në lokal, që i detyrojnë të lënë shkollën e të lypin, kushedi sa fëmijë dhunohen në kopshte të tjera e nuk i shohim dhe që janë ta pazbuluara. Kushedi  sa femijë të tjerë kanë mbetur me trauma, kushedi sa foto të tjera reklamash në facebook fshehin nga pas lot femijësh? Edhe sa edukatore të tjera agresive mudn të ketë? Kushedi sa raste që nuk jemi në djeni. Problemi mbi të gjitha është është institucioni, sistemi parashkollor, prandaj këtu duhen kërkuar fillimisht si përgjegjësitë, ashtu edhe zgjidhja. Çerdhja, kopshti, shkolla etj., prej kohësh nuk shihen më si institucione me një rëndësi të veçantë për shoqërinë, por si biznese ku të përpiqesh të fitosh sa të mundësh. Roli i edukatores nuk shihet më si një detyrë dhe një përgjegjësi shumë të madhe në shoqëri , ku duhet të kujdesen dhe edukojnë fëmijët e të tjerëve.   huna në shoqerinë tone vjen nga një sërë faktorësh dhe viktimat më të mëdhja janë fëmijët, e nesërmja jonë të cilët ngelen me trauma gjatë gjithë formimit të tyrë. Ajo çka bie më shumë është edhe fenomeni “dhunë mbi dhunë” që po përçon shoqeria jonë çdo ditë e më shumë.

 

Intervistë me sociologun Ergys Mertir

Mertiri: Sistemi ynë i arsimit parashkollor vuan nga një mungesë e thellë profesionalizmi

 

 

Para disa ditësh ka bërë bujë ngjarja e rëndë e rastit të dhunës ndaj fëmijës 3 vjeçar nga administratorja e tij. Ç’mund të na thoni rreh kësaj ngjarje? Cili ka qenë reagimi juaj i parë kur dëgjuat për këtë rast?

Natyrisht që pamja e një akti të tillë ushtruar ndaj një fëmije të krijon indinjatë. Dhuna në vetvete, komunikon nëpërmjet imazhit dhe ka efekt të të drejtpërdrejtë mbi ndjeshmërinë e vëzhguesit, dhe ajo provokon reagim agresiv si dëshirë për kundërpërgjigje. E ushtruar kjo ndaj një fëmije, aq më tepër në një moshë të tillë, efekti shumëfishohet dhe reagimet kanë qenë të ashpra masivisht. Por natyrisht, në pozicionin e një studiuesi të shoqërisë, më duhet të zhvishem nga gjykimet emocionale dhe mendoj që ngjarja duhet parë me qetësi dhe objektivitet. Natyrisht nuk ka kurrfarë lajmi tek ngjarja në vetvete, pasi nuk ka dyshim që ngjarje të tilla ndodhin rëndom në Shqipëri, dhe jo vetëm në kopshte e çerdhe, por edhe në shtëpi, nga vetë prindërit. Ajo çfarë më ka interesuar e shqetësuar ka të bëjë më shumë me sistemin e arsimit parashkollor në vend e akoma më shumë mënyra sesi reagoi shoqëria.  Përsa i përket të parës, publikimi i ngjarjeve të tilla, përforcojnë opinionin e krijuar se sistemi ynë i arsimit parashkollor vuan nga një mungesë e thellë profesionalizmi, e madje shpesh edhe njerëzillëku, i ardhur më shumë nga mungesa e kulturës së edukatorëve që kujdesen për fëmijët në kopshte e çerdhe.  Përsa i përket të dytës, reagimi agresiv i shoqërisë, aq më tepër kur sheh një dëshirë të përbindshme për tu hakmarrë në mënyrën më të dhunshme të mundshme, është vërtetë për tu shqetësuar.

Sipas jush, nga se mendoni se u shkaktua ajo dhunë nga Anjeza Shabani ? Mund të ketë qënë një dobësi e momentit?

Nuk duket një dobësi e momentit, për shkak se dhuna ka qenë sistematike dhe majde, flitet edhe për raste të tjera në atë kopësht. Megjithatë, nuk mund të japim një gjykim përfundimtar, përsa kohë që ngjarja, të paktën në opinionin publik, nuk është zbardhur plotësisht dhe kjo është një arsye më shumë për të qenë më të kursyer në etiketime. Mund të ketë shumë arsye të brendshme që e kanë çuar Anjezën në këtë sjellje: depresion, çrregullim psikologjik, etj. gjëra të cilat vlen të shikohen më tej. Por sidoqoftë nuk duhet lënë jashtë analizës edhe trualli kulturor ku ndodh kjo ngjarje. Duhet thënë se shoqëria shqiptare sot, më shumë se kurrë, është mjaft e dhunshme, mjaft agresive e madje mund të thuhet edhe histerike e depresive. Ne shohim kudo agresivitet, duke nisur që nga faqet e gazetave, blogjet apo komentet e rrjeteve sociale. Ne ndeshim çdo ditë njerëz që dhunojnë gratë, prindërit, fëmijët, njerëz që vriten për një fjalë goje, njerëz që priren ta zgjidhin gjithçka me forcë. Shprehja e këtij agresiviteti e vendos shoqërinë në tension dhe bën që dhuna të amplifikohet edhe më shumë. Nuk mund të ecësh një ditë në rrugë pa u acaruar me njerëz e fenomene të shumtë që ta prishin qetësinë. Shqipëria është përgjithësisht një vend që të ngarkon psikologjikisht.

Cfarë pasojash ka ajo dhunë tek fëmija ? Po në shoqëri?

 

Sigurisht dhuna ka mjaft pasoja negative tek fëmijët. Ajo kultivon ndjenjë pasigurie tek ata, i ushqen me frikë e ankth, me mungesë vetbesimi e madje edhe me mungesë dashurie. Një fëmijë i dhunuar, përveç traumave që i shkaktohen, rritet në një mjedis që perceptohet si armiqësor, ku atij i duhet të mbijetojë me mjete të çfarëdoshme. Vlerat dhe parimet nuk janë referencë për të, por forca, imponimi dhe shpesh dredhia. Dhuna nuk është një mjet i mirë edukimi. Ajo krijon depersonalizim tek fëmija, gjë që vështirë ta rekuperojë në një moshë më të madhe. Natyrisht shoqëria më pas, nën ndikimin e përhapjes së dhunës, humbet komunikimin dhe aftësinë për të kërkuar mjete racionale në zgjidhjen e problemeve. Në një shoqëri ku dhuna bëhet dominuese, mbizotëron ligji i xhunglës dhe ajo pushon së qenë shoqëri. Ajo kthehet në gjendjen e kopesë, në gjendjen e primitivizmit.

 

Si duhet trajtuar tani rasti i djalit 3 vjeçar dhe ai vet pasi është dhunuar? Cfarë kujdesi duhet të kenë prindërit e tij, njerëzit që i rrinë afër?

Nuk duhet lënë pa thënë se prindërit kanë pjesën e tyre të fajit në këtë histori. Nëse fëmija ka qenë autik, ai ka pasur nevojë për trajtim të profesionalizuar dhe jo më të dërgohet në një çerdhe pa informuar edukatoret mbi problemet e fëmijës. Në të tilla kushte, natyrisht që prindërit tashmë duhet të jenë shumë të kujdesshëm me fëmijën, pasi kemi të bëjmë, jo vetëm me një fëmijë që ka kaluar një situatë traumatike, por kësaj i shtohet edhe autizmi, i cili agravohet shumë nga situata të tilla.  Sigurisht që fëmijës i duhet qendruar pranë dhe i duhet përcjellë shumë dashuri, jo vetëm nga prindërit, por nga i gjithë mjedisi që e rrethon. Por sidoqoftë, fëmija ka nevojë doemos për trajtim të specializuar nga psikologë që merren ekskluzivisht me fëmijët autikë. Gjendja kërkon shumë kujdes e vëmendje, e cila mund të realizohet vetëm në sajë të një bashkëpunimi shumë të ngushtë me specialistin.

Si mund të ketë ndikuar kjo ngjarje tek prindërit e djalit?

Natyrisht prindërit duhet të jenë gjithashtu të goditur nga kjo ngjarje, aq më shumë që përfshirja e publikut e amplifikon situatën. Kur pamjet e dhunës së ushtruar mbi fëmijën u kanë prishur gjakun masivisht njerëzve pa njohje me të, imagjino se si mund të ndjehen prindërit e tij. Megjithatë, ata duhet ta kapërcejnë këtë situatë dhe të vendosin në qendër të vëmendjes fëmijën. Nëse ata nuk janë të qetë, do ta kenë shumë të vështirë të adaptojnë sjelljet e duhura me të.

Si mund ta shpjegoni heshtjen e edukatores që ishte e pranishme gjatë dhunës së ushtruar ndaj fëmijës?

Heshjta e edukatores tregon një pamje tjetër të shoqërisë shqiptare, ku punonjësit, të detyruar nga nevojat për mbijetesë, ulin kokën, qepin gojën dhe pranojnë gjithçka, edhe kur padrejtësitë mbien mbi vetë ata. Buka e gojës është një presion që i bën shumë prej tyre të bëjnë çdo kompromis dhe këto janë tregues të një mjedisi shoqëror tejet dehumanizues.

Pasi ngjarja dhe video është publikuar, ka patuar një reagim shumë agresiv nga të gjithë, duke i vendosur emërtime të ndryshme Anjeza Shabanit edhe vetë aktit të ushtruar nga ajo. Si e shpjegoni ju këtë reagim kaq të fortë të shoqërisë ndaj këtij rasti?

Në gjykimin tim, shoqëria reagoi në mënyrë krejtësisht joracionale. Shumë komente sugjeronin burg të përjetshëm madje pati edhe që shprehnin se qenie të tilla nuk duhet të jetojnë. Dhe fatkeqësisht kjo lloj gjuhe u pa edhe nga shumë njerëz me ndikim në opinionin publik. Të sugjestionuar totalisht nga efekti mediatik i ngjarjes, si dhe nga prirja e përgjithshme për t’u konformuar me reagimet, inteligjenca u soll si turmë, e jo si kategori shoqërore që ofron qasje të arsyeshme e parimore. Mendoj që, duke reaguar në këtë nivel agresiviteti, shpeshherë, pak gjë na ndajnë nga Anjeza. Që fenomene të tilla ndodhin, kjo është e kuptueshme dhe nuk ka nevojë të shokohemi nga pamjet vizive për të reaguar në këtë mënyrë. Ajo që duhet bërë është analiza e fenomenit, kërkesa për një gjyq të drejtë ndaj edukatores, dhe jo një shfrim histerie që pushkaton në kor konsumuesin e një krimi. Shkrime gazetash apo edhe komente televizive ku edukatorja etiketohet si monstër, kafshë, shpirtkazmë etj. janë retorikë që nuk i përket inteligjencës, dhe nuk i sjell asnjë vlerë racionale shpjegimit të ngjarjes.

Mos ndoshta kemi të bëjmë me fenomenin “dhunë mbi dhunë”, pasi pothuajse të gjithë kanë reaguar duke thënë “të vendoset dënimi me vdekje”, të “vritet” etj.?

Pikërisht, një reagim i tillë tregon se shumica prej nesh, fsheh nga një “anjezë” brenda vetes dhe ky reagim tregon se jemi larg një shoqërie të arsyeshme që di të tregohet e matur, për të trajtuar me pjekuri problemet e saj. Shoqëria jonë nuk është mësuar të adresohet tek ligji dhe e drejta për problemet me të cilat përballet, por tek hakmarrja dhe shpagimi.

Çfarë duhet të bëjë shoqëria për ta minimizuar sa më shumë fenomenin dhunë?

Kjo kërkon kohë dhe përpjekje. Fillimisht duhet që elitat, mediat, aktorët socialë të flasin e krijojnë klimën e duhur për të kultivuar një shoqëri të arsyeshme e jo një shoqëri që i përgjigjet emocionalisht situatave. Nga ana tjetër, isntitucionet arsimore duhet të punojnë fort, për edukimin e fëmijëve dhe të rinjve në një tjetër klimë marrëdhëniesh shoqërore. Mirëpo jemi larg nga të dyja aspaktet.

Është folur shumë dhe sugjeruar vënia e kamerave në kopshte, shkolla etj. A mund të shërbejë vënia e kamerave në institucione që të mos ketë më dhunë ndaj fëmijëve? Mund të sensibilozohet shoqëria nga “frika”?

Kjo mund të jetë diçka që mund ta zbusë disi problemin, por nuk është një zgjidhje. Pikë së pari, varet kush i monitoron kamerat dhe sa i predispozuar është ai ta kryejë detyrën duke reaguar ndaj punonjësit të dhunshëm të institucioneve të edukimit. Së dyti, ai mësues apo edukator që ka prirjen për të qenë i dhunshëm, duke ditur vendosjet e kamerave, mund të zgjedhë hapësira jashtë fushëpamjes së tyre, për të ushtruar agresivitetin e tij mbi fëmijët. Megjithatë, edhe kjo mund të bëhet, por duke u shoqëruar doemos me transformime rrënjësore të sistemit të edukimit në këto institucione.  Një element i rëndësishëm është edhe programi që edukatoret zhvillojnë në kopshte. Shumë prej tyre e kalojnë pjesën më të madhe të orarit të punës duke bërë muhabet me kolegët e duke i lënë fëmijët pas dore, të cilët, në gjendje të lirë krijojnë situata që i bezdisin ata: bëjnë zhurmë, zihen me njëri-tjetrin, qajnë, ndoten etj. gjëra që më pas, bëhen shkak i agresivitetit tek edukatoret. Nëse programi i kërkuar do ti mbajë ato të angazhuara me ushtrime aktivitetesh si mësime, lojëra, e angazhime të tilla, edhe fëmijët do të jenë të përqendruar diku, edhe edukatoret do të jenë të përfshira në komunikim me fëmijët. Por këtu ka nevojë për një sërë ndryshimesh, duke nisur që nga profesionalizmi i edukatoreve, hartimi i programeve, monitorimi i tyre, etj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here