Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta zhvilloi sot një bisedë telefonike me trajnerin e ekipit kombëtar të futbollit, z. Gianni De Biasi, të cilin e uroi për ndeshjen e jashtëzakonshme dhe fitoren historike ndaj Rumanisë.
Djemtë e ekipit kombëtar i dhanë krenari gjithë kombit shqiptar dhe dhanë një leksion të shkëlqyer se si fryma e grupit dhe ekipit mund të kapërcejnë çdo vështirësi dhe sesi ëndrrën mund ta kthejnë në realitet.
Urimet më të përzemërta për lojën e zhvilluar, për solidaritetin e ekipit dhe fitoren. Fitorja e mbrëmshme është një mesazh i madh për Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët. Është një mesazh i sakrificës, i përkushtimit, i kohezionit dhe drejtimit me vizion.
Urimet më të përzemërta dhe të gjithëve tifozëve kuq e zi, të cilët me mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme i dhanë zemër djemve të kombëtares për paraqitjen dinjitoze në finalet e këtij kampionati evropian, si dhe treguan vlerat më të mira të kombit tonë me shfaqjen e jashtëzakonshme kuq e zi në të gjitha ndeshjet e zhvilluara nga ekipi kombëtar.