Rumunët provokojnë keq Shqipërinë, ja si e cilësojnë (FOTO)

0
110

Rumania duket se na nënvlerëson. Dhe ky është një lajm i mirë, sepse përgjigjen e “shqiponjave” duhet ta marrin në fushën e lojës, të dielën, në stadiumin e Lionit. Pas dy paraqitjeve tejet mbresëlënëse, ndoshta do të jetë “e treta e vërteta” për kuqezinjtë e drejtuar nga De Biazi. Ndoshta fati nuk do të na braktisë edhe në duelin me rumunët, si ndaj helvetëve dhe transalpinëve. Vërtet nuk kemi asgjë për të humbur, por ama kemi shumë për të fituar. Një trepikësh ndaj kundërshtarit të tretë në Grupin A me shumë gjasa nuk do të na kthente në shtëpi, por do të na dërgonte në fazën me eliminim direkt të “Euro 2016”.

Pra, gjithçka është e hapur, asgjë nuk ka mbaruar. Edhe për Rumaninë e Jordaneskut, që dje ka marrë pikën e parë në turneun e kësaj vere. Megjithatë, duke lexuar gazetën më të madhe sportive në këtë vend, “Pro Sport”, nuk mund të mos nënvizosh një fakt, që e thamë që në fillim të këtij shkrimi, se Rumania nuk na merr sa duhet seriozisht. Ndryshe nuk ka si të shpjegohet paragrafi i shkrimit të kësaj gazete për barazimin 1-1 me Zvicrën, në fund të tij, ku hapet “dritarja” edhe për ballafaqimin e radhës me shqiptarët: “Tani të mendojmë cinikisht si Jordanesku. E mavijosëm Shqipërinë A me një pikë dhe të dielën shkojmë drejt kualifikimit me Shqipërinë B”.

Pra, Zvicrën e 6 shqiptarëve e konsiderojnë si Shqipërinë A, më të fortën, kryesoren, të cilën e mavijosën, i morën barazim, ndërsa kombëtaren e kuqezinjve, jo pa ironi, jo pa shpotitje, e cilësojnë Shqipëria B, ndaj së cilës e kanë të sigurtë kualifikimin!!! Kjo ndarje në A dhe B, duke nënkuptuar edhe një “rregull treshi”, ku Shqipëria A e mundi Shqipërinë B; Rumania barazoi me Shqipërinë A, atëherë i bie që të triumfojë me Shqipërinë B, duket një provokim i rëndë, që do të rrisë edhe më shumë sedrën e kuqezinjve. Kjo është logjikisht “zgjidhja e ekuacionit”, nëse mund të merret i tillë paragrafi i mësipërm i “Pro Sport”, që kanë rumunët në letër për sfidën e së dielës, e cila do të luhet në Lion, të dielën, ora 21:00.

A i referohen pikës që kanë, e cila bën diferencën momentalisht mes dy kombëtareve, formës aktuale të të dyja skuadrave, apo ndonjë gjëje tjetër, kjo vështirë të “dekriptohet”. Në këtë qëndrim të sportives më të madhe rumune ka vetëm një fakt, që mund t’u krijojë atyre këtë lloj deliri paraprak. Kjo ka të bëjë me historikun e ballafaqimeve të së shkuarës. Në këtë pikë, Rumania është dukshëm më lart se kuqezinjtë tanë, sepse në 8 ndeshje zyrtare, në kualifikueset e Europianit dhe të Botërorit, kanë marrë 6 fitore dhe 2 barazime. Pra, asnjë humbje. Edhe golaverazhi flet qartësisht për ta: 22-5. A do t’ia dalë Shqipëria t’u marrë fitoren e parë rumunëve në sfida zyrtare, në garimin e saj të parë në finalet e një Europiani? Mundësitë janë, por fusha do ta tregojë. Kuptohet, duhet vlerësim maksimal dhe respekt për kundërshtarin, jo sikurse bën ky i fundit, duke na konsideruar si Shqipëria B./Telesport

dd-3

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here