Ervin Kaduku
Disa ditë më parë, gazeta “Standard” botoi një shkrim me titull: “FMN: Mungon transparenca me koncesionet”. Kritika, në fakt, nuk mundi t’i shpëtojë vigjilencës së stafit të posaçëm pranë kryeministrit Edi Rama, që paguhet për të bërë analizën e shtypit dhe përgjigjen flakë për flakë të çdo kritike të bërë në adresë të punës së qeverisë. Kështu, pasoi një reagim në portalin zyrtar “transparenca.al”. Në përputhje me ligjin për shtypin, ky reagim u botua në numrin e djeshëm të “Standard”-it, nga redaksia e gazetës, pikërisht për të treguar publikisht se nuk është vetëm sektori i koncesionimit dhe i prokurimeve publike në tërësi ai që çalon në Shqipëri, por edhe sektori i kundër-propagandës, që paguhet me taksat e taksapaguesve shqiptarë për të mbuluar atë që nuk mund të mbulohet.
Së pari, ajo çka bën përshtypje që në fillim nga reagimi kryeministror është fakti që përgjigja i jepet gazetës. Kjo nuk mund të të mos çuditë. Shkrimi bazohet në një dokument, që nuk përgënjeshtrohet as nga Kryeministria e Republikës së Shqipërisë, autor i të cilit është … Fondi Monetar Ndërkombëtar. Natyrisht, shkrimi përmban edhe elemente të tjera, por pohimi se ka problem me transparencën në procesin aktual të dhënieve të koncesioneve me formulën e re publik-privat është i FMN-së. Pra, në rast se duhej të bëhej një përgënjeshtrim, qeveria shqiptare duhej të zihej për flokësh me ekspertët e FMN-së dhe jo me ata që pasqyrojnë në mënyrë korrekte atë çka ka kritikuar institucioni financiar ndërkombëtar në punën e Ekzekutivit. Citojmë edhe një herë fillimin e shkrimit tonë: “Fondi Monetar Ndërkombëtar vazhdon të këmbëngulë se problemi kryesor në Shqipëri është mungesa e transparencës në politikat e qeverisë, veçanërisht në politikat koncesionare. Në njoftimin për shtyp publikuar me rastin e dhënies së këstit të radhës të borxhit, FMN, paçka se ka përgëzuar qeverinë për nisjen e disa reformave, ka kërkuar më shumë transparencë për Partneritetet Publike Private (PPP). Klima jo e mirë e biznesit dhe niveli i lartë i kredive me probleme ishin të tjera çështje për të cilat FMN-ja u shpreh në raport.
Sugjerimet kryesore të FMN-së janë:
- Duhet më shumë transparencë për procedurat që përdor qeveria për koncesionet apo PPP-të.
- Për çdo koncesion apo PPP, qeveria duhet të hartojë dhe publikojë një analizë kosto-përfitimi dhe të ndjekë me rigorozitet praktikat ndërkombëtare, etj”…
Zhgënjen përgjigja e qeverisë. Citojmë reagimin e saj:
“Prej shtatorit të vitit 2013, për të gjitha procedurat koncesionare të zhvilluara gjatë kësaj periudhe, nuk ka munguar asnjëherë transparenca në portalin e Agjencisë së Prokurimit Publik, me njoftimin e kontratës dhe njoftimin e fituesit”.
Po kjo ka ndodhur gjithnjë. Kërkesa për të pasqyruar në një buletin të rregullt procesin e tenderimit dhe fituesit është një risi, për të cilën autorësinë nuk e ka qeveria aktuale, por është konsoliduar, bashkë me prokurimin 100% elektronik, nga qeveria Berisha, vite më parë. Fondi Monetar nuk kritikon, në fakt, pasqyrimin e hapave të kryera për prokurimin, por analizat e kostos dhe të përfitimit nga shteti, që mungojnë tërësisht në sytë e publikut. Kështu që ne, sipas logjikës së qeveritarëve tanë, duhet të besojmë se, në rast se anulohet HEC-i i Skavicës dhe HEC-i tjetër do të bëhet në Katund të Ri, kjo do të jetë në interesin e të gjithëve, po ashtu sikurse duhet të bindemi për zemërgjerësinë e ministrave të qeverisë Rama se Spitalla duhet të jepet pikërisht në duar të filan apo fistek investitori për ta zhvilluar atë si zonë ekonomike. Po këto janë llafe. Ashtu sikurse nuk janë gjë tjetër veç llafeve edhe justifikimet që përdor “transparenca.al” në përgënjeshtrimet apo sqarimet e produkteve mediatike.
Qeveria shton se “me ndryshimet e fundit ligjore në fushën e koncesioneve të miratuara në gusht të vitit 2015, është synuar rritja e përgjegjshmërisë së institucioneve të përfshira në këtë proces. Tashmë, Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve është pjesë e të gjithë procedurave për dhënien me koncesion, për të standardizuar procedurat por dhe për të promovuar praktikat me të mira ndërkombëtare”. Që është synuar në letër, kjo nuk diskutohet. Por, gjithashtu, syrit të ekspertëve ndërkombëtarë nuk i ka shpëtuar fakti që një gjë e tillë nuk mjafton. Ndryshe, ata nuk do të adresonin tek qeveria shqiptare kritikat për transparencën e munguar në procesin e partneritetit publik-privat. Një gjë del si konkluzion i pashmangshëm: Çka është shkruar në atë shkrim, është FMN-ja që e ka thënë…