Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka ka akuzuar sot mazhorancën për standarde të dyfishta në Parlament, duke iu referuar përjashtimit 10 ditë nga Parlamenti të ish-Kryeministrit Sali Berisha.
Duke folur nga foltorja e Kuvendit, Ndoka përmendi kërcënimin e deputetit të PS Sadri Abazi të enjten e kaluar, që iu drejtua deputetit demokrat Sherefedin Shehu duke i thënë “t’i pres veshët”. Për këtë rast, u shpreh Ndoka, Sadri Abazi nuk u dënua, ndërsa ish-Kryeministri Berisha që denonconte ngjarje kriminale u përjashtua me 10 ditë nga Parlamenti.
Sa i përket takimit në parim mes Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD Lulzim Basha për reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore, kreu i demokristianëve e cilësoi një ftesë demagogji. Kjo pasi Kryeministri e ftoi Bashën më datë një 1 qershor, në festën e fëmijëve, duke lënë të nënkuptohej për joseriozitetin e këtij takimi.
“Një deputet kërcënon një profesor të ekonomisë dhe nuk ka asnjë masë nga Gjykata juaj e Parlamentit. Ndërsa sot nuk e kemi opozitën përsëri në sallë se e keni përjashtuar ish-Presidentin dhe ish-Kryeministrin përsëri nga Parlamenti. Z.Berisha e ka fituar monopolin e së vërtetës këtu në Parlament, janë disa skandale që z.Berisha i ka denoncuar ato.
E ka kthyer në institucion të vërtetën dhe ju ja mohoni të vërtetën. Ju keni zgjedhur rrugën shkurt duke e përjashtuar nga Kuvendi. Nuk e kuptoj këtë standard të dyfishtë që përdor kjo mazhorancë.
Përshëndes në parim ftesën që Kryeministri i ka bërë kreut të opozitës. Kjo ftesë është demagogji. Sepse akoma këto dy personazhe nuk u ngritën në lartësinë e elitave. Kryeministri i kërkon takim liderit të opozitës më datë 1 qershor. Le ta anashkalonte këtë datë”, u shpreh deputeti Nard Ndoka.