Nobelistja Shirin Ebadi në Prishtinë: Mbajtja e shamisë sipas islamit nuk është detyruese

0
123

Bartja e shamisë nga femrat, sipas islamit, nuk është detyruese. Kështu u shpreh në Prishtinë, Shirin Ebadi, aktivistja iraniane për të drejtat e njeriut dhe fituese e çmimit Nobel për paqe në vitin 2003.

Deklaratën e saj ajo e bëri në Prishtinë, në ditën e parë të konferencës “Interfaith Kosova”, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovë, raporton lajmi.net.

Ajo tha se ky është interpretim që vjen nga dijetarë të njohur islam. Deklarimi i saj pasoi pyetjen se si ajo si myslimane që është, nuk bartë shami.

“Bartja e shamisë është opsionale. Varet se si ajo zgjedh dhe nuk është detyrim për femrën”, tha Ebadi.

Megjithatë, ajo tha se ka respekt për gratë që e bartin, ndonëse kjo nuk është detyrim për to.

Në këtë konferencë ku po marrin pjesë 300 persona nga shumë vende të botës dhe e cila do të zgjasë tre ditë, Ebadi foli edhe për ‘Burkan’, me të cilën disa femra myslimane, përveç tërë trupin, mbulojnë edhe fytyrën në tërësi.

Ebadi foli edhe për diçka që femra myslimane e ka të ndaluar. E ajo tha se është pikërisht ‘Burka’ ose ‘Ferexheja’.

“Burka është e ndaluar tërësisht në Islam dhe nuk bën të bartet nga femra myslimane”, tha ajo.

“Burka është haram”, tha Ebadi, duke dhënë shpjegimin se përse konsiderohet e tillë. “Presupozohet se femra duhet të shkojë në pelegrinazhin e Mekës në haxh. Atje fytyra e saj duhet të jetë e hapur dhe jo e mbuluar”.

Në konferencën ‘Interfaith Kosova’, po marrin pjesë mbi 300 pjesëmarrës nga 50 shtete të botës, përfshi edhe shumë sosh që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here