Kryeparlamentari: Problemet që kanë fqinjët dhe partnerët tanë janë dhe problemet tona dhe anasjelltas
Gëzim Saliu
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta organizoi dje një pritje në Pallatin e Brigadave me përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila po zhvillon punimet 3-ditore në Tiranë. Në event merrnin pjesë anëtarë të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranën, përfaqësues të medias si edhe personalitete të tjera. Kryeparlamentari shqiptar vlerësoi organizimin e këtij evenimenti për herë të parë në vendin tonë, si një moment mjaft të veçantë që tregon për sfidat të cilat ka kaluar Shqipëria. Duke përshëndetur samitin, Meta deklaroi se NATO është një zëdhënëse e paqes dhe stabilitetit. “26 vite më parë kjo pritje në Shqipëri do të ishte përtej imagjinatës. Ne ishim si armiqtë e pamëshirshëm për njëri-tjetrin, por për fat të mirë historia ka ndryshuar, dhe ka ndryshuar për mirë. Sot ju ndodheni këtu si partnerët tanë dhe si mysafirë për të diskutuar rreth sfidave strategjike dhe gjithashtu për të përjetuar mikpritjen e mrekullueshme shqiptare, historinë dhe kulturën. Shqipëria është një vend i vogël, por një aleat dhe ithtar i madh i NATO-s dhe misionit të saj. Ne krenohemi me faktin që shqiptarët janë një kulturë dhe një popull i lashtë, që ka ditur gjithmonë si të jetojë në paqe, krah për krah me fqinjët tanë”, u shpreh Meta. Ai vlerësoi gjithashtu se Shqipëria është një faktor stabiliteti në rajon. “Problemet që kanë fqinjët dhe partnerët tanë janë dhe problemet tona dhe anasjelltas. Jam i lumtur që jemi mbledhur këtë mbrëmje, pas dy ditëve të para të punimeve të asamblesë së NATO-s, një takim që afron edhe më tepër vendet tona”, pohoi Meta. Po ashtu Kryetari i Kuvendit kujtoi se shumë shpejtë do të nisë dhe Evropiani “Francë 2016”, ku këtë vit debuton dhe Shqipëria. “Këtë vit do jemi dhe ne përkrah shumë prej jush në finalet e Europianit dhe për këtë ju uroj të gjithëve suksese”, deklaroi Meta.
Kreu i Asamblesë
Ndërkaq për kreun e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Michael Turner, Shqipëria ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për paqen në botë. Ai theksoi se shqiptarët kanë qenë një popull i privuar nga liria, por sot janë pjesë e aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake të globit. ” Shqipëria ka qenë një partnere dhe aleate e rëndësishme e jona. Është kënaqësi e madhe të jemi në Tiranë në këtë eveniment të rëndësishëm. Shqipëria ishte mbyllur hermetikisht nga pjesa tjetër e botës. Nuk është ekzagjerim të thuash që shqiptarët ishin të burgosur e të privuar nga liria, fizikisht e psikologjikisht. Por ky komb sot është transformuar. Shqiptarët kanë përqafuar vlerat mbi të cilat është themeluar aleanca jonë”, u shpreh Turner. Ai vlerësoi marrjen e ftesës nga Mali i Zi, duke e cilësuar këtë sukses për të gjithë rajonin. Në këtë kontekst Turner tha se Shqipëria ka qenë mbështetëse e anëtarësimit të Malit të Zi. “Integrimi i Malit të Zi është një sukses jo vetëm për këtë shtet, por edhe për Shqipërinë. Është pikërisht Shqipëria ajo që ka patur një angazhim të madh në këtë proces. Ju tashmë keni eksperiencë, keni një vend të bukur dhe një popull të mrekullueshëm”, theksoi Turner. Kjo është hera e parë që Shqipëria merr përsipër organizimin asamblesë së NATO-s. Në pritjen e dhënë me këtë rast në Pallatin e Brigadave merrnin pjesë përfaqësues të NATO-s, politikanë shqiptarë e përfaqësues të medias.
Asambleja e NATO-së në Tiranë
Shqipëria shqyrton mundësinë që të bëhet pjesë e operacioneve anti ISIS në terren
Shqipëria po shqyrton mundësinë që të bëhet pjesë e operacioneve të koalicionit anti ISIS në terren. Lajmi u bë i ditur dje nga Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli gjatë referimit në ditën e dytë të punimeve të Asamblesë parlametare të NATO-s, në Komitetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë. . Po ashtu ministrja bëri të ditur se po shikohet mundësia edhe e përfshirjes së vendit në operacionin detar të NATO-s në Detin Egje, për të ndihmuar në krizën e refugjatëve. “Ne jemi në proces shqyrtimi dhe krijimi të hapësirave ligjore, për të mbështetur përpjekjet e koalicionit anti-ISIS në terren, si dhe jemi duke vlerësuar nga afër përfshirjen në operacionin detar të NATO-s në Detin Egje, për të ndihmuar në krizën e refugjatëve. Në kuadër të BE-së, prej nëntorit 2015, kemi dërguar një ekip çminimi (EOD) në Mali dhe jemi duke kontribuar me oficer shtabi në operacionin ALTHEA, në Bosnje-Hercegovinë. Gjithashtu, mbetet shumë e rëndësishme për t’u theksuar ndihma e Shqipërisë në projektimin e stabilitetit përtej kufijve të NATO-s. Aktualisht personeli ynë po këshillon dhe ndihmon disa vende partnere, si Gjeorgjia, Ukraina etj, për të ndërtuar kapacitetet e tyre mbrojtëse dhe ripërtëritëse”- tha ajo. Kjo është hera e parë që forcat detare të Shqipërisë do të marrin pjesë në një operacion detar në detin Egje dhe Mesdhe, në ndihmë të forcave të NATOS për misionin e menaxhimit të krizës së refugjatëve.“Ne jemi sot në përfundim të diskutimit për të nisur një anije në mbështetje të projektit NATO që mbështet projektin europian të menaxhimit të krizave në detin Egje e Mesdhe me një anije tonën e cila do të ketë një rrotacion të caktuar”, u shpreh ministrja.
Konfliktet e reja
Duke sjellë në vëmendje konfliktet e reja, ministrja e Mbrojtjes kërkoi nga NATO dhe BE përqëndrim të Ballkanit Perëndimor si një zonë që edhe pse relativisht larg nga Rusia dhe Lindja e Mesme mbetet e indikuar nga ideologjia e Moskës dhe fondamentalizmi. “Sipas pikëpamjes tonë në kohë të tilla, konflikte të tilla të mundshme mund të parandalohen nëpërmjet proceseve integruese. Integrimi përhap stabilitet dhe siguri si dhe ofron një nxitje kryesore për vendet aspiruese që të ndërmarrin reforma demokratike.”. Lidhur me konfliktet e reja në Botë, foli dje edhe ish-kryeparlamentarja Topalli e cila theksoi se rruzulli tokësor është sot drejt një të ardhme shumë të pasigurt. “Dy vite pas Wales, kompleksiteti i i shtuar nga sfida duale lindje- jug, është rritur. Sot bota shikon drejt një te ardhme , shume e pasigurte. ” Lindja( Rusia) dhe Daesh( Jugu) jane lidhur me njeri tjetrin. Këto janë një kërcenim qe mund te shkule themelet e qytetërimit tone.” Ndërkohe Libia është drejt shpërthimit. Kriza e refugjateve pritet te thellohet. Ku po shkojmë ? Ku po shkon bota? Cili do jete roli i Nato-s ne këto kushte? Çfarë pritet nga Samiti i Warshavës ? Këto ishin disa nga pyetjet e çështjet , qe u diskutuan sot ne Asamblenë e Natos”, bëri të ditur Topalli.
Zgjedhjet në PS
Pas Përmetit edhe Vau i Dejës, si baza socialiste po rrëzon kandidatët e vetëm në garë
Krtikat e shtuara në dy vitet e fundit për shkëputjen e kryesisë nga baza nuk u mirëpritën nga përfaqësuesit më të lartë të PS-së por duket se realiteti po i jep të drejtë të tilla deklaratave. Proccesi i brendshëm zgjedhor duket se është një ndër anët treguesi të këtij aspekti, ku një pjesë e kandidaturave të përzgjedhura nga kryesia për kryetarë dege nuk është votuar nga baza. Pas Përmetit, Vau i Dejës u bë dje bashkia e dytë në vend që rrëzon me votë një kandidaturë të Kryesisë së PS-së për drejtimin e degës së partisë. I përzgjedhuri i koordinatorit Ditmir Bushati Sokol Shkreli, ishte kandidatura e vetme, edhe pse baza kishte propozuar më shumë se një emër. Duket se skualifikimi emrave alternativë dhe miratimi i një emri të vetëm, ka revoltuar anëtarësinë e asamblesë socialiste. Në këto kushte Shkreli ka humbur garën me vetveten pasi ka marrë vetëm 27 vota pro nga anëtarët e asamblesë socialiste të bashkisë Vau Dejës, kundrejt 30 votave kundër dhe 1 abstenimi. Nisur nga ky rezultat, pritet që zgjedhjet në këtë bashki të përsëriten. Ndërkohë në bashkitë e tjera të vendit lidhur me zgjedhjet e brendshme të PS-së ka pasur këto rezultate:Në bashkinë Shkodër u shpall fitues Arvit Osja i cili mori 168 vota pro dhe 15 kundër nga 183 anëtarë të asamblesë që votuan; Në bashkinë e Malësisë së Madhe doli fitues Lulzim Zara me rreth 99. 7% të votave, ku 103 anëtarët e kanë zgjedhur atë me 101 vota pro; Në Bashkinë e Beratit, Valbona Zylyftari u shpall fituese me votat e152 anëtarë të asamblesë. I dërguari i kryesisë së PS-së në këtë bashki, Arben Ahmetaj,e cilësoi si mjaft të rëndësishëm procesin e votimit të kryetarëve të rinj të degëve, pasi në këtë mënyrë sipas tij PS bëhet gati për zgjedhjet e 2017, pasi praktikisht nis puna për fushatën elektorale. “Çdo pjesë e Partisë së Socialiste ka nevojë për përmirësim, për më shumë unifikim dhe për më shumë frymë sepse mbi të gjitha ky është një proçes. Si të gjitha njësitë e PS-së në vend dhe PS e Beratit ka nevojë për më shumë punë dhe për më shumë kohezion”, tha Ahmetaj. Votimi u krye dhe në bashkinë e Elbasanit, ku fitues u shpall Ardit Demiri i cili mori 230 vota nga 233 gjithsej. “Elbasani i njerëzve punëtorë dhe i socialistëve të ndershëm, ashtu si në procesin e ristrukturimit të Partisë, edhe në procesin për zgjedhjen e Kryetarëve te rinj tregoi sërish se është në pararojë të aplikimit të modeleve të suksesshme të organizimit dhe drejtimit të partisë. Proces i hapur, transparent dhe i rregullt.”-u shpreh koordinatori i zonës Taulant Balla.