Finalja e Kupës së Shqipërisë mes Laçit dhe Kukësit do të gjykohet nga një treshe italiane. Federata Shqiptare e Futbollit bëri të ditur edhe emrat.
Kryesori Marco Guida, një gjyqtar i Serie A prej vitit 2010 do të ndihmohet nga Lorenzo Manganelli dhe Alessandro Costanzo. Guida në karrierën e tij ka gjykuar edhe derbin e Milanos. Kjo nuk është hera e parë që ndeshje të rëndësishme në Shqipëri, gjykohen nga të huaj.
Sfida do të luhet të dielën në orën 19:00 në stadiumin “Qemal Stafa”. Laçi është fitues i Kupës së Shqipërisë në fuqi, pikërisht në finalen e luajtur vitin e kaluar me Kukësin, që synon trofeun e parë të rëndësishëm.
Kuksianët kanë patur probleme me dëmtimet. Stafi mjekësor riaftësoi Shametin dhe po përpiqet të bëjë të njëjtën gjë me kapitenin Malota dhe Hasanin.
Fituesi i Kupës së Shqipërisë kualifikohet në turin e parë të Europa League. Kukësi e ka të sigurtë nga kampionati, por nëse e fiton këtë trofe i jep mundësi Teutës të përfaqësohet në Europë si vendi i katërt në Superligë.