Çaushesku, diktatori që përgjoi edhe vajzën e vet

0
173

Përgjimet telefonike janë një nga mjetet më efikase për grumbullimin e informacionit që është njëkohësisht edhe pushtet si dhe garanton superioritet të padiskutueshëm mbi kundërshtarin politik ose armikun. Duke pasur parasysh dëmin që mund të shkaktojnë individë të veçantë me një pushtet të pakufizuar, në shtetet demokratike janë vendosur masa ligjore mjaft të forta që nuk lejojnë përdorimin e paligjshëm të kësaj fuqie teknologjike me dimensione gjithpërfshirëse me impaktet e veçanta që krijon. Si shëmbull mjaft të njohur sjellim skandalin e përgjimeve në Shtëpinë e Bardhë që u shoqërua me dorëheqjen e Presidentit Nikson. Po të famshme kanë qënë edhe përgjimet e zonave të lindjes, duke filluar nga ish BS, Gjermania Lindore etj.

Një nga shtetarët që e ka përdorur paturpësisht përgjimin e paautorizuar ka qenë edhe Nikolae  Çaushesku, udheheqësi komunist rumun që përfundoi i ekzekutuar. Këtë “ves”, siç tregojnë vartësit e tij, ai e mësoi nga Nikita Hrushovi. Dhe që kur ua mësoi vlerat e vërteta dhe pushtetin që i siguronin këto përgjime, për të mikrofonët e përgjuesve qenë bërë realisht si  përfaqësuesit kyçë të pushtetit të tij diktatorial. Sipas ish bashkëpunëtorit të tij, Shefit të Shërbimeve Sekrete Rumune Gjeneral Leitnant Johan Paçepa, kur më 1954 Nikolae Çaushesku i dalë nga shkollat sovjetike u bë Sekretar i Partisë Komuniste, duke pasur nën kontroll forcat e armatosura dhe shërbimet e sigurimit, pas udhëzimeve që i dha Hurushovi organizoi DGTO-në, një shërbim shumë i rëndësishëm, që merrej me operacione dëgjimi dhe interpretimi të bisedave telefonike dhe censurimin e postës në të gjithë vendin. DGTO-ja gjithashtu, duke iu referuar të njëjtave burime, organizonte kontrollin e të gjitha shtëpive private dhe të institucioneve publike, si dhe survejonte amabasadat perëndimore, shërbimet e shtypit etj. Në fokusin e DGTO-së ishte dhe regjistrimi i të gjitha komunikimeve të NATO-s me Europën Qendrore. Sipas Paçepës, kur Çaushesku u bë udhëheqës suprem ai e shndërroi spiunimin e popullsisë në një operacion të gjerë pa precedentë. Sipas përkthimit nga frëngjishtja në shqip të Lazam Koldashit në “Prapaskenat e Shtëpisë së Çausheskut”, qindra dhe mijëra mikrofonë u fshehën në zyrat dhe dhomat e gjumit, duke filluar nga ato të Byrosë Politike e më tej. Ai dëshmon mes të tjerave se si: “Duke ndjekur shembullin e Hrushovit, Çaushesku ngriti një sallë speciale, pranë zyrës së vet, që të mund të dëgjonte pa dëshmitarë regjistrimet”.

 

Synimi: Të përgjohet e gjithë popullsia

 

Ish bashkëpunëtori i tij sjell edhe një detaj interesant. Grykësia e Çausheskut për informacion shkonte deri në shkallët e marrëzisë, saqë duke i u referuar Paçepës, ai kishte gjithmonë si objektiv të politikës së brendshme që të vinte nën mbikqyrje të gjithë popullsinë rumune. Dhe për këtë ai nuk ka kursyer as mjete financiare dhe as fuqi punëtore. Në vitin 1965 kur ka marrë pushtetin, forcat e sigurimit rumun (Sekuritatea) kishin vetëm një qendër kombëtare përgjimi të ngritur nga KGB-ja, 11 qendra krahinore dhe 5 njësi kombëtare censure të postave. Në vitin1978 DGTO-ja kishte 10 qendra kombëtare përgjimi, 24 qendra lokale si dhe ishte fuqizuar me rreth 1000 njësi të lëvizshme për të mbuluar qytetet e vegjël, vendet e pushimit dhe manastiret si dhe rreth 48 qendra shërbimi të censurës postare. Në ekspozitën e vitit 1984 të DGTO-së, shefi i këtij sektori Gjeneral Leitnant Diakonesku i cili ishte një specialist inxhinier i shkëlqyer, i është drejtuar çiftit Çaushesku: “Shoku komandant suprem dhe shumë e respektuara shoqja Elenia. Kjo ekspozitë ka për temë zhvillimin e TGDO-së, që do të japë mundësinë, siç keni urdhëruar ju, të vihet nën survejim gjithë popullsia e atdheut tonë të dashur, Republikës Socialiste të Rumanisë”.

 

Çaushesku nën survejim të bijën

 

Gruaja e Çausheskut mësohet se ka lënë një porosi që e bija Zoja, e cila kishte kritikuar kultin e individit dhe gjendjen e rëndë ekonomike të popullsisë së thjeshtë rumune, të survejohej çdo minutë të jetës. Për këtë apartamenti i saj është mbushur me mikrofonë në të gjitha dhomat dhe deri në banjo. Shefi i shërbimeve Paçepa shkruan se asaj iu vendos përgjues madje dhe në kupenë e saj Mercedes, që njihej nga e gjithë rinia e artë e Bukureshtit: “Disa agjentë u ngarkuan ta ndiqnin ditë e natë. “Më 1977 mbulimi i Zojës, u bë njëri nga funksionet e mia në DIE”, thekson kryespiuni rumun i atyre viteve. Një skenë spikatëse që vjen në kujtimet e bashkëpunëtorëve, është edhe një moment kur e shoqja e diktatorit në prani të shefit të sigurimit, ndjek përgjimin që sjell mbi tavolinën e saj momente intime të së bijës gjatë një seance seksi me të dashurin, i papreferuar i prindërve të gjithpushtetshëm. Ajo dëgjonte fjalët pasionante të çiftit dhe shante me fjalë të ndyra të bijën duke ulëritur… Mihai, korrespondent i  “ Lumea”-s, revistë e politikës së jashtme rumune, është përgjuar dhe survejuar disa muaj dhe nga përgjimet shumëplanëshe të bëra; u qartësua se gazetari ishte i dashuri i Zojës dhe se kishin raporte seksuale. Që nga konstatimi i këtij relacioni të fshehtë, pasi gjithçka ishte fiksuar në materialet e përgjimit që i dërgoheshin rregullisht mbi kontaktet seksuale të vajzës së saj, gruaja e diktatorit vendosi ta çojë gazetarin në Afrikë për të mundësuar eleminimin pa zhurmë të tijë në ndonjë aksident të rastësishëm të sajuar, që s’mund të vërtetohej si vrasje…. siç kishte ndodhur edhe me disa të tjerë më parë.

 

E gjithë Rumania nën përgjim

 

Çausheskut i janë paraqitur disa propozime nga ata që ja dinin oreksin dhe ambicjen që kishte, për të prodhuar pajisje moderne përgjimi për të arritur që të ishin në gjendje për të manipuluar njëkohësisht 10 milionë mikrofona. Duke arritur që të kontrollohej periodikisht çdo familje rumune në Janar 1984! Duke e cilësuar si krenari që do të arrinin të parët në botë dhe i vetmi vend në planet që arrin të marrë vesh se çfarë mendon secili nga qytetarët e vet. Një shtet unik si i tillë në Traktatin e Varshavës ku bënte pjesë Rumania. Si një ndër rrugët për ta realizuar këtë survejim masiv do të ishte pajisja e të gjithë televizorëve me mikrotransmetues në të gjitha zonat rurale, ku jo të gjitha banesat kishin telefonë, edhe ato në qytete me përgjues mjaft të ndjeshëm. Po ashtu në të gjitha lokalet, tavllat prej qeramike dhe vazot qenë porositur që të pajisen më parë me mikrofona në miniaturë, që mund të  aktivizoheshin nga çdo agjent i Sekuritatea-s të kamufluar me rrobën e kamarierit apo të garsonave, të pajisur me butona afërsisht sa një kokë gjilpëre me vete. Po ashtu u vendos që me porosinë e shefit komunist, të prodhoheshin dhe të vendoseshin në të gjithë vendin telefonë unikalë të autorizuar që bënin të mundur të përgjoheshin bisedat në të gjitha dhomat e banesës. Megjithatë përgjimet nuk ia siguruan dot jetëgjatësinë në pushtet. Çifti Çaushesku përfundoi para togës së ekzekutimit, të komanduar nga ish miqtë e tij ushatarakë, që i kishte përgjuar “miqësisht”.

Dhe ironia e fatit: Në shtypin përendimor është shkruar se shërbimi sekret rumun kishte interceptuar biseda mbi planet për eleminimin e Çausheskut, por Shefi i Sigurimit e kishte mbajtur për vete këtë informacion. Një shërbim që e fuqizoi me pasion por që në momentet finale kur mund t’i hynte në punë, iu kthye kundër.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here