Dr. Ndriçim Mehmeti
Shumë kujt mund t’i kujtohet, filmi ku luajnë disa aktorë shqiptar me shumë emër. Fusha e blertë e “Shallvareve”, në kohën e pushtimin italian, u përgjak në film nga përleshja mes shqiptarëve dhe italianëve, në një ndeshje, që filloi si miqësore. Natyrisht që sherrin e filluan italianët dhe shqiptarët u vetëmbrojtën?
Po tani, që nuk kemi më pushtues, kush i përgjak fushat e futbollit?
Ato që dikur quheshin rastet e izoluara të dhunës në futbollin shqiptar, e kanë zgjeruar hartën në veri e verilindje, jug dhe juglindje dhe Shqipëri e mesme. Pra nuk ka mbetur tani asnjë pjesë e territorit pa u përfshirë nga dhuna, sharjet, shkuljet e stolave, rrahjet barbare të lojtarëve ndaj arbitrit, lojtarët vendas që rrahin miqtë. Dhe e gjitha kjo ndodh nën vëzhgimin e kamerave, nën kontrollin e policisë, me pjesëmarrjen e pushtetit vendor, nën vështrimin e deputetëve të parlamentit, krerëve të shtetit. Këta gjithsesi, “tifozët” sypatrembur, kanë vënë kokën në trastë, në një shtet, që s’i bën përshtypje dhuna dhe e ushtrojnë atë pa ndonjë ndjenjë vetëpërmbajtje. Po në fund të fundit nga kush të kenë frikë? Nga Federata Shqiptare e Futbollit, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, nga aktivistët deputetë të sportit që çirren, se tani “sporti ka rilindur”? Ata nuk tremben prej askujt se këta që u përmendën më lart i kanë futur në xhep. Tani fusha e futbollit është vënë nën thundrën e të papërgjegjshmeve. Tani futbolli, basketbolli, peshëngritja, sporti në tërësi janë pushtuar prej biznesit, politikës, njerëzve me të kaluar të dyshimtë, gangestërve të qytezave, mëkëmbësve të tyre, njerëz që nuk kanë lidhje me asnjë sport, e padyshim prej të pafytyrëve, që janë në skalionin e parë të tribunave VIP. Disa mendojnë se kjo ishte një kronikë e vrasjes së paralajmëruar, të tjerë mburren se e paralajmëruan më shumë se njëherë, të tjerr, dalin dhe “kërkojnë” ndjesë. A janë të gjithë këta njerëz që duhen besuar në atë që thinj dhe shfaqin në shtyp e televizon? Padyshim që jo. Ka prej tyre, që siç thotë populli “i zuri gjuha lesh” duke folur kundër fenomenit të dhunës. Ashtu sikundër ka njerëz, që kanë drejtuar këtë vend, që të paktën duhet të heshtin. Me bekimin e këtyre shtetarëve, janë vendosur drejtorët e klubeve, që zbresin në fushë, dhe luajnë rolin e të fortit sa herë që t’ju teket. Me bekimin e tyre, të pafytyrët janë shtuar gjithnjë e më shumë në sportin shqiptar. Po ka shumë jo për nga numri, por për nga rëndësia, që nuk flasin fare, nuk dëgjojnë askënd, nuk duken në asnjë konferencën tryezë. Ata që dalin nga strofkulla, ku janë futur sa herë që ju porositnin një kamerë, t’i ndjek në vrapin e tyre me brekë të shkurtra e atlete “Zita”, që rrinë këmba mbi këmbë në cep të ndonjë fushe të blertë me “shikimin e tyre largpamës”, tani që plasi dhuna, fshihen më keq se punëtori i fushës ku kërcet druri. Federata ka në dorë dënimin, policia nuk di ku të shkojë më parë, klubet tundin supet dhe ftojnë tifozët të bëhen më të urtë, emisionet në televizion, shërbejnë pak për ata që e anë ndarë mendjen se fusha ju përket atyre.
Në Shqipëri, është shumë e thjeshtë, që një gabim i arbitrit e deri edhe tek një festë për kualifikim, të kthehet në betejën e muskujve, nga stafet e ekipeve, tek policia bashkiake, tek rojet, badigard, shofera klubi e familjesh të presidentëve. Kur e gjithë zallamahia, ndodh, atëherë vrapojmë t’ia hedhim fajin gjithkujt, nga Federata, bashkitë, deputetët e deri tek arbitri.
Po përse gjithë kjo dhunë, në sportin që është cilësuar si më i miri në botë
Nuk ka asnjë dyshim se dhuna është pjesë e kulturës tonë, të zgjidhjes së problemeve, por njëkohësisht është bërë dhe po bëhet shumë pak për të ndaluar dhunën. Federata dhe institucionet që janë përgjegjëse për këtë punë, mjaftohen me deklaratën “se nëse ndodh sërish do të ashpërsojmë masat”. Ngjarjet ripërsëriten dhe ndëshkime shembullore kemi shumë pak. Dhe kjo ka arsyet e veta. Arsyeja më rëndësishme është, se huliganizmi, nxitet ndoshta pa qëllim, prej atyre që janë veshur me pushtet dhe e përdorin sportin më shumë për qëllimet e veta, sesa për dashurinë që ata kanë për sportit. Nëse je nisur për të parë një ndeshje, me dëshirën për të shijuar sado pak spektakël dhe për t’u kënaqur prej kësaj loje magjike, mund të përfundosh i gjakosur, i grisur, i shtyrë dhe i pështyrë, prej atyre që quhen “tifozët e zjarrtë”. Mund të qëlloj edhe që të ikësh në shtëpi edhe pse ke një biletë për të parë ndeshjen. Fusha e blertë në vend të çlodhjes dhe argëtimit, të ofron një larmi sharjesh me libër shtëpie, për këdo që i mbushet mendja korrit të të papërgjegjshmëve, që padrejtësisht quhen fansat e ekipit. Madje fansat nuk i bën syri tërr, për të hedhur stolat edhe mbi kokën e policisë. Kultura e stjuartëve që ruajnë rregullin e qetësinë? Pak klube e kanë dhe përdoren vetëm për ndeshje të rëndësishme. Ata që merren me futbollin, vënë theksin se edhe po të ketë vullnet për luftën kundër dhunës, nuk ka ligj. Pra përsëri, do apo nuk do, rruga të çon tek Ministria e Arsimit dhe Sportit. Ligji i sportit i shumëpërfolur, as që ka ndërmend të miratohet, ose do të kaloj në parlament, përpara përfundimit të mandatit qeverisës. Kështu që qeveria lan duart. Duket qartë se lufta kundër dhunës, nuk sjell ndonjë fitim financiar dhe as nuk sjell më shumë vota. Nëse mburremi se kemi bërë më shumë terren sportive, fusha futbolli, stadiume më të mira, a mund të dali një institucion të na garantojë, se këto investime, nuk do të dëmtohen dhe do të jenë në funksion të argëtimit të popullsisë?
Kjo është e vështirë të më mendohet. Soji i atyre që dhunojnë, kanë guximin të shkatërrojnë një festë futbolli, që e kthejnë fushën e blertë në fushë të kuqe, janë të të njëjtit kallëp, që “mbajnë rregullin në zgjedhje”, që dinë të ruajnë kutitë, që gjejnë mundësinë që populli “të votoj”, për atë që do, që merr në dorë fatet e kujtdo, sa herë që këta ja kërkojnë padronët. Padronët e tyre, nuk janë pa emër, të padukshëm e të panjohur. Ata janë ulur në zyrat më të larta të shtetit, rrinë në sallën e kuvendit, janë në postin e të parit të qytetit, drejtorë, kryeinspektorë e me radhë.
Për sa kohë, këtyre njerëzve, nuk u mësohet se ku e kanë vendin, atëherë fusha e blertë do të skuqet dhe ne përsëri do të themi “si na ndodhi”. Fusha e blertë është pronë e njerëzve, që duan futbollin. Sa më tepër ta braktisin këta të fundit, fushën e blertë, aq më shumë do të zënë vend, ata që e duan fushën, arenë të dhunës që kënaq interesat e padronëve dhe instiketet e tyre kafshërore.