Sondazhi/ Korrupsioni kap majat në Shqipëri, më të korruptuarit gjyqtarët, doganierët e politikanët

0
126

Niveli i korrupsionit në Shqipëri, duket se ka kapur majat. Pas raporteve të DASH, GRECO dhe shumë organizatave ndërkombëtare, edhe vetë qytetarët shqiptarë janë të ndërgjegjshëm se situata është përkeqësuar. Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER), e mbështetur nga Bashkimi Evropian, ka publikuar dje një sondazh për perceptimin e korrupsionit në 2016 dhe shifrat janë shqetësuese. Sipas të dhënave, niveli i korrupsionit ka pësuar një rritje me 5% krahasuar me vitin 2014. Në të njëjtën kohë, studiuesit e qendrës theksuan se një nga rezultatet e pakta pozitive është se përfshirja e qytetarëve në korrupsion, tregon një rritje më të ulët në krahasim me rritjen e presionit për korrupsion (vetëm 1% më tepër e qytetarëve pranojnë se u kanë dhënë ryshfet zyrtarëve publikë). Në sondazh janë pyetur 1.000 persona dhe ky proces ka ndodhur në fillim të vitit 2016 dhe nga këta persona 46% mendojnë se është rritur niveli i korrupsionit. Pjesa më e madhe e të anketuarve (38.2 %) kanë deklaruar se janë përfshirë në ryshfet nën presionin e zyrtareve publike. Vetëm 1.6 % janë bërë pjesë e një transaksioni korruptiv, pa qenë nën presion prej tyre. Dhënia e ryshfetit duke qenë nën presion, ka pësuar një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2014. Sipas studiuesve, këto të dhëna tregojnë se masat anti-korrupsion të ndërmarra nga qeveria, shoqëria civile dhe bashkësia ndërkombëtare nuk kanë krijuar ende rrënjë të forta, duke bërë thirrje për përforcimin e përpjekjeve në këtë drejtim.

 

Më të korruptuarit

 

Sipas rezultateve të anketimit, në vitin 2016 grupet që perceptohen si më të korruptuarit janë gjyqtarët, doganierët, prokurorët, zyrtarët e administratës në sistemin e drejtësisë, partitë politike dhe liderët politikë. Në raport theksohet se gjatë dy viteve të fundit, nuk është shënuar asnjë përmirësim në besimin e qytetarëve në këto grupe. Sipas perceptimit të publikut, niveli i përfshirjes së tyre në praktika korruptive mbetet në nivele shumë të larta. “Vlerësimi më i lartë negativ për gjyqtarët mbetet një pasqyrim i realitetit. Sistemi gjyqësor në Shqipëri vuan nga një sërë problemesh duke nisur me mënyrën e organizimit, statusin e funksionarëve të drejtësisë, administrimin dhe me mungesën e standardeve evropiane në funksionim”, thuhet në raport. 3/4 e të anketuarve (76 %) mendojnë se “korrupsioni nuk mund të reduktohet ndjeshëm”, ndërkohë që pak më shumë se 1/5 e tyre (22 %) mendojnë se “korrupsioni mund të reduktohet ndjeshëm ose të çrrënjoset”. “Mosbesimi në rritje i qytetarëve në kapacitetet dhe efektivitetin e shoqërisë shqiptare për t’u përballur me problemin e korrupsionit, duket se tregon një lodhje të rrezikshme nga përpjekjet e institucioneve shtetërore për të luftuar korrupsionin. Për më tepër, numri i të anketuarve që mendojnë se korrupsioni mund të reduktohet në mënyrë drastike është zvogëluar në krahasim me gjetjet në vitet 2001, 2002, dhe 2014”, theksohet më tej. Gjatë javëve të fundit janë publikuar një sërë raportesh ndërkombëtare, duke ngritur të gjitha si shqetësim nivelin e lartë të korrupsionit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here