Lufta ndaj sëmundjeve infektive, për herë të parë, ka bërë që të jetë i detyrueshëm vaksinimi edhe për pranimet në universitete. Kështu, çdo student që do të hyjë në universitet duhet të paraqesë kartelën e vaksinimit, në të kundërt do i refuzohet regjistrimi. Ky është ligji i ri i miratuar në Parlament kohët e fundit. Përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik sqarojnë se kjo masë është një përafrim me legjislacionin europian. Ata që nuk i kanë kryer të gjitha vaksinat do të duhet të marrin masa, përndryshe do të humbasin të drejtën e studimit. “Është një përafrim me çdo vend tjetër europian, që kërkojnë kartelat e vaksinimit dhe një dokument shtesë për të vërtetuar vaksinimin. Ndaj, me këtë ligj ne jemi përshtatur me vendet e tjera. Edhe ata që nuk i kanë bërë vaksinat e detyrueshme sipas kalendarit, normalisht duhet t’i bëjnë. Verifikohen kartelat e vaksinimit dhe në rast se nuk është përmbushur i gjithë kalendari rekomandohen edhe vaksinat që duhet të bëhen”, shprehen specialistët e ISHP-së. “Për çdo fëmijë që hyn për herë të parë në çerdhe, kopsht, shkollë apo institucione të arsimit të lartë, është e detyrueshme pajisja e tij, nga institucionet shëndetësore, me një dokument që vërteton vaksinimin e kryer sipas kalendarit përkatës. Pajisja me këtë dokument dhe ruajtja e tij nga drejtoritë përkatëse të institucioneve të mësipërme është e detyrueshme”, thuhet në nenin 18 të këtij ligjit “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”. Pra, në dokumentet që do të dorëzohen për studimet e larta duhet të jetë edhe kartela e vaksinave, të cilat do të verifikohen dhe në rast se nuk është përmbushur i gjithë kalendari, do të rekomandohen edhe vaksinat që duhen bërë. Në ligjin që ka hyrë në fuqi vetëm prej 1 muaji dhe pritet që të nxirren aktet nënligjore, parashikohen gjithashtu edhe që: “Për të gjithë ata që nuk kryejnë vaksinimin ose nuk raportojnë sëmundjet infektive, cilësohet kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë prej 100 mijë lekësh, ndërsa mosmarrja e masave të përgjithshme dënohet me gjobë prej 500 mijë lekësh”. Gjithçka parashikohet në ligjin “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, i cili për herë të parë e shtrin këtë detyrim tek institucionet e arsimit të lartë. Sipas ligjit, të publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare, vaksinimi është i detyrueshëm për fëmijët nga 0-18 vjeç, sipas kalendarit përkatës të vaksinimit, për personat që rrezikohen dhe përbëjnë rrezik për të tjerët, për të penguar përhapjen e sëmundjeve infektive, si dhe për personelin shëndetësor, personelin që kujdeset për fëmijë, persona të moshuar apo persona me aftësi të kufizuara. Po ashtu, vaksinimi për të fituar imunitetin aktiv është i detyrueshëm edhe për studentët e shkencave mjekësore, të regjistruarit në specializime afatgjata në specialitete mjekësore, si edhe në specializime e praktika afatshkurtra në disiplinat mjekësore. Duke iu referuar praktikës së ndjekur deri më tani në kopshte dhe shkolla, të njëjtët specialistë thonë se për të verifikuar këtë do të ushtrohen kontrolle në të gjitha fakultetet nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Instituti i Shëndetit Publik.