Del drafti i SHBA dhe BE për reformën në drejtësi

0
116

Është zbardhur drafti i ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi.

Drafti rreth 45 faqesh është propozuar nga ekspertët e EURALIUS e OPDAT, për të cilin ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu kërkoi miratimin sa më të shpejtë të tij.

Sipas ndryshimeve të propozuara, në nenin 125 të draftit, thuhet se Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, tre prej të cilëve emërohen nga  Presidenti i Republikës, tre anëtarë emërohen nga Kuvendi dhe tre anëtarë emërohen nga mbledhja e përbashkët e Gjykatës së Lartë dhe e Gjykatës së Lartë Administrative, një institucion ky i ri.

“Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Kur në votimin e parë Kuvendi nuk siguron shumicën e kërkuar prejtre të pestave, brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës së kandidatëve, kandidati i renditur më lart konsiderohet i emëruar”, thuhet në pikën 2, ku theksohet se ky propozim bazohet mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Sipas propozimeve, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese emërohen për 9 vite në këtë post pa të drejtë riemërimi.

Çdo kandidat duhet të vijë nga radhët e juristëve dhe duhet të ketë përvojë pune të paktën 15 vite si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor apo lektor i së drejtës, “me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës”.

 

Gjithashtu, sipas propozimeve kandidati nuk duhet të jetë i dënuar për vepra penale dhe nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike 10 vitet e fundit.

“Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese duhet të udhëhiqet nga parimi i përtëritjes çdo 3 vjet në një të tretën e saj, sipas procedurës së caktuar me ligj”, thuhet në pikën 5 të nenit 15.

Për sa i përket përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ekspertët ndërkombëtarë propozojnë që ai të zgjidhet me votim të fshehtë për një periudhë 3 vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje. Në këtë pikë, parashikohet në mënyrë të detajuar mënyra se si zgjidhet.

Një tjerë detaj interesant është momenti kur i mbaron mandati një anëtari të Gjykatës Kushtetuese. Ekspertët thonë se mandati i përfundon midis të tjerash edhe kur mbush moshën 70 vjeç.

Neni 25, parashikon ndryshimet për Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën e Lartë Administrative. Në këtë pikë, ekspertët theksojnë rastet kur mund të krijohen Gjykatat e posaçme dhe të shkallës së parë dhe të Apelit për veprat e korrupsionit kundër funksionarëve të lartë.

Në këtë listë, përfshihet edhe Presidenti dhe ish-Presidenti si dhe Kryeministri dhe ish-kryeministri si dhe kryetari i Kuvendit dhe ish-kryetari. “Gjyqtarët e gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar,emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në përputhje me këtë dispozitë dhe ligjin. Kryetari i gjykatës dhe gjyqtarët e këtyre gjykatave shkarkohen përpara përfundimit të mandatit në rastet e shkeljeve të rënda disiplinore me dy të tretat e votave të Këshillit të Lartë Gjyqësor”, thuhet në pikën 4 të nenit 25.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here