Ekspertët i thonë stop, por Kumbaro nuk ndalet

0
183

gj gjir

 

Ministrja Mirela Kumbaro nuk e dëgjon zërin e ekspertëve të trashëgimisë

 

Skandalet e ndodhura me restaurimet po denoncohen për çdo ditë, por Ministrja e Kulturës nuk ndalet, ajo na kujton aktivitete të tjera të parashikuara. Publikon restaurimet në Gjirokastër.

 

Apelit për të ndaluar restaurimet nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Ministrja Mirela Kumbaro i është përgjigjur më një publikim të disa fotove që vijnë nga restaurimet që po bëhen në Gjirokastër. Ministrja thotë se institucioni që ajo drejton nuk do të ndalet, dhe jo vetëm do të vijojë në rrugën e nisur, por edhe do të shtojë intensivisht punën.  “Gur gur mirëmbahet Gjirokastra. Sfidat e qytetit të ngurtë. Gjirokastra lule, Gjirokastra live! Projektet ecin: muzealizimi i Kadaresë, restaurimi i Pazarit dhe jo vetëm!”, shkruan  ministrja Kumbaro. “Ndaloni restaurimet!!! Skandalet po bëhen të njëpasnjëshme dhe po shkohet nga keq e më keq. Ti Ndalojë menjëherë!!!Përveç patinimit të mureve të vjetra që tashmë është bërë një modë “ala Dollame” (brekushe), monumenti mesjetar po vishet nga lart me pllaka mermeri në vend që të mbrohet me llaç speciale hidrofuge ose me bakër. Është një trishtim të shohësh plastifikimet në seri që bëhen nëpër varret monumental, kështjellat, kullat e sahateve, tyrbet etj. Pak përgjegjshmëri nga instancat superiore të Institutit të Monumenteve të Kulturës është më i nevojshëm se kurrë.”, u shpreh forumi. E ndërsa masakrën që po i bëhet tyrbes e paralajmëroi më parë edhe restauratorja Lida Miraj e cila përmes fotosh denoncoi skandalin e parë që po bëhej. Punëtorët që punojnë në Tyrben e Kapllan Pashës në Tiranë pranë Sahatit të Tiranës vepronin mbi këtë monument kulture me mjete të forta prerëse si sqeparë. Lida Miraj shtroi pyetjen se: A është normale për një monument kulture në qendër të Tiranës? Tyrbja e Kapllan Pashës është një varr monumental i administratorit të Tiranës, gjatë periudhës osmane, Kapllan Pashës.  “Sapo më erdhi një  njoftim se janë parë disa “restauratorë ekspertë” që po “restauronin” Tyrben e Kapllan Pashës. “Restaurimi” po bëhej me çekiç dhe gur frekibël, nën mbikëqyrjen e “ekspertëve të Insitutit të Mbrojtjes së Monumenteve të maskuar si shoferë dhe fatorinë të linjës së Saukut! Përtej ironisë, ky është kanibalizëm kulturor”, shkruan Miraj. Forumi bëri këtë thirrje pas punës që po kryhet në Tyrben e Toptanit, ndërsa e njëjta situatë ndodhi edhe me restaurimin e Kullës së Sahatit. Edhe në atë kohë forumi tha: “Një restaurim skandaloz i kullës së Sahatit! Përsëriten restaurimet skandaloze me plastikë të improvizuar duke zhdukur çdo gjurmë të kohës. Pjesa e “restauruar” e kullës, është pjesa që u ngrit me 1928, d.m.th gati 90- vjeçare. Pas ndërhyrjes profesionale të bërë 6 vjet më parë me financimin e Ambasadës Amerikane, pas pasur asnjë nevojë, kulla bojatiset me bojë të bardhë plastike duke humbur peshën e shekullit që mban mbi supe dhe duke u ripropozuar si e bërë sot. Instituti i Monumenteve e ka humbur tashmë krejtësisht besueshmërinë që mund të jetë në gjendje të ekspertojë restaurimet. Gafa është e njëjtë me atë që u bë para disa muajsh kur përfundoi “restaurimi” i varrit të Kolë Idromenos, por atëherë opinioni shkencor dhe ai publik reagoi duke e detyruar Ministrinë e Kulturës të deklarojë sa për sy e faqe se ka edhe një fazë tjetër restaurimi – fazë që në fakt nuk u krye kurrë.”. Askush nuk po përgjigjet për këto restaurime dhe të tjera që janë në proces dhe askujt nuk po i intereson zëri i ekspertëve se përse vijojnë procese të tilla që po kundërshtohen çdo ditë. Ministria e Kulturës ende vijon ti kryejë restaurimet sipas vendimeve të marra nga institucioni pa u konsultuar edhe me shoqërinë civile apo ekspertë të tjerë të fushës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here