Një ekip ekspertësh nga Arkivi Shtetëror i Turqisë do të vijë në Tiranë për të hulumtuar nga afër dokumentacionin që gjendet në Arkivin e Shqipërisë në lidhje me Perandorinë Osmane. Kështu është shprehur Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Turqisë, Doç. Dr. Uğur Ünal, gjatë një vizite të bërë në Drejorinë e Përgjithshme të Arkivave në Tiranë. “Në Turqi ka arkiva të Perandorisë Osmane, por në to nuk ka arkiva vetëm për historinë e Turqisë, por në të njëjtën kohë ka të dhëna të rëndësishme edhe për historinë e Shqipërisë. Faktikisht në të gjitha arkivat e botës ka arkiva për vendet e tjera, por mes dy vendeve tona ka shumë më tepër dokumente. Për shembull në arkivat e Perandorisë Osmane në Turqi vetëm me termin ‘Shqipëri’ ka mbi 100 mijë dokumente. Ashtu sikurse e tha edhe drejtori i Arkivave të Shqipërisë, edhe këtu ka mbi një milion dokumente në lidhje me Perandorinë Osmane”, tha Ünal. Duke vënë në dukje se drejtuesit e dy institucioneve duhet të punojnë për një bashkëpunim dinjitoz dhe në ofrimin e dokumenteve ndaj studiuesve dhe profesorëve.”Muajin e ardhshëm do të dërgojmë një ekip specialistësh që njohin mirë gjuhën osmane dhe atë arabe për të bërë një studim paraprak në dokumentet që ndodhen në arkivat e Shqipërisë. Ky ekip do të përgatisë një raport për të dyja drejtoritë në të cilin do të parashikohen ndërhyrjet e nevojshme ndaj dokumenteve që ndodhen këtu. Në bazë të këtij raporti duke filluar nga dixhitalizimi dhe hapat e tjera do të krijojmë një axhendë pune të përbashkët.”, ka thënë Ünal.