“Për Parkun tek Gjykata”, nis beteja ligjore kundër Erion Veliajt

0
43

Bashkimi “Qytetarët për Parkun”, ditën e nesërme nisin betejën ligjore kundër Bashkisë së Tiranës dhe Erion Veliajt, për ndërtimin që po bëhet tek parku i liqenit. Ata e kanë bërë të ditur këtë gjë për publikun, në faqen e tyre në Facebook.

 

Ja çfarë shkruajnë “Qytetarët për Parkun”

Ditën e nesërme, në orën 13 :30, në Gjykatën Administrative Tiranë mbahet seanca e parë mbi çështjen e Parkut të Liqenit bazuar në padinë e dorëzuar me datë 19 Prill nga 15 qytetarë të angazhuar në qëndresën te Parku.

Në vazhdën e 41 ditëve qëndresë te Parku i Liqenit dhe të dhjetëra protestave dhe aktiviteteve në mbrojtje të Parkut, për të vënë në pah arsyen dhe arsyet e qytetarëve, është vendosur që lëvizja qytetare të ndjekë deri në fund edhe rrugën institucionale gjyqësore. Padija e qytetarëve është ngritur mbi bazën e shkeljeve ligjore të kryera nga Bashkia e Tiranës, e cila ka nisur punimet brenda Parkut të Liqenit pa pasur vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe pa pasur leje mjedisore. Të gjitha veprimet e saja Bashkia i legjitimon me një leje me kusht nga Këshilli Kombëtar i Territorit, leje kjo e marrë dy ditë pasi kanë nisur punimet me datë 10 shkurt.

Kërkesa e qytetarëve në gjykatë mbetet e njëjta kërkesë që me fillimin e protestave në mbrojtje të Parkut të Liqenit : të ndalohen menjëherë punimet, të verifikohen proçedurat e ndjekura nga Bashkia dhe të fillojë rehabilitimi i zonës së dëmtuar drejt gjendjes së mëparshme.

Ftojmë të gjithë qytetarët të na bashkangjiten jashtë gjykatës administrative dhe brenda saj për të ndjekur seancën gjyqësore dhe për tu informuar për vazhdimësinë e proçesit. Si qytetarë po tentojmë të vëmë në lëvizje, jo vetëm veten tonë, por edhe institucionet që e kanë për detyrë për të marrë në konsideratë shqetësimet qytetare.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here