Meta: Prokuroria të hetojë çdo politikan shqiptar që i rezulton emri te “Panama Papers”

0
227

Gjatë një interviste në emisionin “Komiteti” në RTK, kreu i LSI-së, Ilir Meta përsëriti se prokuroria duhet të hetojë çdo politikan, emri i të cilit rezulton i përfshirë në Panama Papers. LSI ishte e para që reagoi pas publikimit të këtij skandali, fillimisht me Petrit Vasilin, ndërkohë që nga aleati i saj në qeverisje Panama Papers është një temë tabu, e cila deri tani ka kaluar me një batutë të Pandeli Majkos.

Meta, së fundmi u zbulua një skandal i madh, ku shumë liderë janë përfshirë në atë që quhet “Panama Papers”. Në to bënte pjesë edhe një kompani nga Shqipëria. A duhet të presim që të shohim edhe emrat e politikanëve shqiptarë në rrjedhjen e këtyre dokumenteve?

Meta: Për mua patjetër çdo rast duhet të hetohet, dhe ne e kemi kërkuar këtë gjë. Dhe çdo rast tjetër që do të dalë jo vetëm nga “Panama Papers”, por edhe nga çdo lloj parajse fiskale, ku ka të përfshirë politikanë shqiptarë.

Nuk po themi botërorë se nuk po përgjigjemi për të gjithë botën. Sepse kjo është një çështje që ka të bëjë me transparencën, por ka të bëjë edhe me integritetin, ka të bëjë në fund fare edhe me taksat e qytetarëve shqiptare.

Sepse në qoftë se një qytetar i thjeshtë paguan atëherë pse dikush tjetër, qoftë ky një politikan apo një i afërm i një politikani apo edhe një biznesmen, duhet të gjejë mënyra dhe forma për të bërë manipulime të tilla dhe të shpëtojë nga këto detyrime. Pra janë arsye të shumta.

Ajo që unë mendoj për ne, nga rasti në fjalë, është që ne duhet të forcojmë transparencën për sa i takon praktikës së dhënies së koncesioneve në të ardhmen dhe të përmirësojmë legjislacionin në këtë drejtim, sepse ato mund të kthehen në një barrë shumë të madhe për buxhetin e shtetit dhe në një pengesë për zhvillimin e vendit, dhe njëkohësisht, për fat të keq, në një kosto të rritur për qytetarët tanë dhe në një cilësi të parealizuar të shërbimeve ndaj tyre. Siç edhe ka ndodhur me shumë koncesione deri tani.

A mund të dalin edhe të tjera? A keni informacione?

Ne jemi për transparencë të plotë. I takon Prokurorisë shqiptare të bashkëpunojë më të gjithë institucionet e vendeve të tjera, ku ka parajsa të tilla. Të bashkëpunojë me partnerët tanë kryesorë, agjencitë e tyre, me SHBA-të, me vendet evropiane dhe të hetojë në çdo rast.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here