Lulzim Basha ka kritikuar Qeverinë e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, sa i përket gjendjes ekonomike dhe papunësisë. Duke folur në 25-vjetorin e krijimit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Basha tha se kjo qeveri nuk ngjason me një parti të majtë dhe se papunësia në vend është duke u rritur. Lideri i opozitës bëri me dije se gjatë një viti, nga Shqipëria janë larguar aq vetë sa popullsia e Gjirokastrës apo Beratit. Kjo tregon gjendjen e keqe, tha Basha që sipas tij hedh poshtë deklaratatat e Kryeministrit Rama se në Shqipëria ka 30 mijë vende të lira pune, por duhen profesionistë. “Kjo kupolë pasurohet për vete me tendera dhe korrupsion. Por nuk kanë në mend t’i shërbejnë punës dhe punësimit. Bilanci i kësaj qeveria nxin ngado që ta shikosh. Papunësia reale është në rritje të pandalshme. Aksionet në luftën kundër informalitetin janë klienteliste. Biznesi i vogël, i mesëm dhe i madhi përjetojnë ditë të vështira për shkak të gjobave. Problemit të madh, të papunësisë, qeveria i qaset me shpotinë cinike të propagandës. 30 mijë vende vakante pune deklaroi Kryeministri. 200 mijë ia priti ministri i Mirëqenies Sociale. Me këtë ritëm, vendet imagjinare të punës do katërfishohen. Për shkak të papunësisë, krimit të veshur me pushtet, shqiptarët e larguar vetëm gjatë vitit të fundit janë baras me popullsinë e Gjirokastrës apo të Beratit”, tha kreu i PD Lulzim Basha.