Lu: Byroja, institucion jetik për anti-korrupsionin, përmes saj do arrihen “të paprekshmit”

0
49

Ambasadori i SHBA: Udhëheqësit partiakë po e përdorin për arsye politike debatin për Byronë, njësia sipas modelit të FBI-së amerikane siguron luftë korrupsionit

 

Gëzim Saliu

 

Ashtu edhe siç është dalluar që prej ardhjes për herë të parë në Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu nuk nguroi dhe dje të flas hapur lidhur me shqetësimet për ngecjen mes palëve sa i përket Byrosë Kombëtare të Hetimit. Duke vënë në dukje se debati mes udhëheqësve partiake po bëhet për arsye politike, kryediplomati amerikan në vend theksoi se njësia antikorrupsion sipas modelit të FBI-së amerikane siguron luftë të paepur ndaj fenomenit korruptim në rangjet e larta. “Udhëheqësit politikë po përpiqen ta përdorin debatin për BKH-në për arsye politike. Të gjithë ata bien dakord se korrupsioni dhe ndikimet politike pengojnë bërjen e drejtësisë në Shqipëri. U kërkoj atyre në të djathtë dhe në të majtë që të bien dakord se BKH është një institucion jetik për anti-korrupsionin në Shqipëri. U kërkoj atyre të bien dakord për modelin anti-korrupsion që diskutova sot, një institucion të mbështetur nga FBI amerikane: i pavarur dhe llogaridhënës para popullit shqiptar. U kërkoj atyre që të dallojnë se ky institucion duhet të krijohet në të njëjtën kohë me reformën në drejtësi. Në fund të fundit reforma në drejtësi do të krijojë zyrën e prokurorit të posaçëm së paku që do të drejtojnë përpjekjet anti-korrupsion të BKH-së”

 

“Të paprekshmit”

Për ta konkretizuar mesazhin e tij, ambasadori amerikan kishte përzgjedhur të sillte në “ndihmë” filmin e famshëm hollivudian “të paprekshmit”. Në këtë film që tregon historinë e kapjes së një prej mafiozëve më famozë amerikanë si Al Capone, rol kryesor luajti një njësi e veçantë antikorrupsioni. “Kur ishin në universitet Hollwëood nxori filmin e titulluar “The untouchables” ose në gjuhën shqipe “Të paprekshmit”. Aktori i famshëm shqiptaro-amerikan Robert De  Niro luante rolin e gangsterit Al Capone. Historia zhvillohej mbi njësinë elitare hetimore të quajtur “Të paprekshmit”. Ata nuk ishin quajtur të tillë për shkak se qenë mbi ligjin por sepse ishin të imunizuar prej korrupsionit dhe frikësimit. Në një kohë kur Chicago ishte i mirënjohur për korrupsionin në nivele të larta dhe kontrollin e mafias të ngulitur thellë kjo njësi e pakorruptueshme e pavarur qe në gjendje të arrestonte Al Capone-n e famshëm.  Kjo është ajo që ne shpresojmë se do të krijohet në Shqipëri. Një njësi e pavarur hetimore për të luftuar korrupsionin dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë”, deklaroi Lu. Më tej ambasadori amerikan bëri të ditur se cili është edhe varianti që SHBA ka mbështetur për këtë njësi, duke vënë theksin tek arsyet se pse këta prokurorë specialë do jenë të fokusuar në luftën kundër korrupsionit. “Po pse duhet të besojnë shqiptarët e zakonshëm se këta policë të posaçëm do të jenë përtej ndikimeve dhe korrupsionit? Për shkak se SHBA do të investojnë që ajo të jetë e tillë. Ne kemi vënë mënjanë miliona dollarë për të paguar pajisjet dhe trajnimet e këtyre policëve, trajnimi i tyre do të zhvillohet në akademinë e  FBI-së. Një agjent i FBI-së do të caktohet në Tiranë për të mbështetur krijimin e kësaj organizate dhe të gjithë policët e BKH-së do të kalojnë përmes testeve të dallimit të gënjeshtrave, njohur ndryshe si testi i poligrafit. Llogaritë e tyre bankare do të mbikëqyren për tu siguruar që ata nuk po marrin ryshfet ose që nuk po punojnë për krimin e organizuar”. Në këtë kontekst Lu pohoi se në shënimin 13 në fund të faqes të opinionit përfundimtar,: “Komisioni i Venecias mirëpret funksionet antikorrupsion të BKH-së që do të vendoset nga një prokuror i posaçëm të pavarur nga të dy, si nga Prokurori i Përgjithshëm ashtu dhe nga Policia e Shtetit Shqiptar. Hetuesit e BKH-së do të përbëhen nga policë të gjyqësuar. Drejtori i saj për anti korrupsionin do të jetë një oficer i policisë gjyqësore i cili do t’i raportojë një prokurori të posaçëm të pavarur. Ky prokuror do të japë llogari përpara popullit shqiptar”. Për të përmbyllur mesazhin e tij për klasën politike shqiptare si edhe për qytetarët, ambasadori i SHBA-ve në vend ju referuar sërish filmit hollivudian. “Më lejoni ta përfundoj me një citim nga filmi “Të paprekshmit”. Njëri prej policëve elitarë i luajtur nga aktori i famshëm Sean Connery e pyet prokurorin që është Kreu i “Të Paprekshmëve”: Ju më thatë se doni të kapni Capone-n, a doni ta kapni atë me të vërtetë? A e kuptoni se ajo që po them është, çfarë jeni të përgatitur të bëni?” dhe prokurori i përgjigjet: “Gjithçka brenda ligjit””, tha kryediplomati amerikan Donald Lu.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here