Kapet personi i shtatë i implikuar në sekuestrimin e 700 kilogramëve drogë në kuadër të operacionit të koduar “Velçani”. Gjatë ditës së djeshme në bashkëpunim me policinë e Tiranës, është bërë arrestimi i 38- vjeçarit Nikola Blacëri, banues në fshatin Gështenjas të Pogradecit. Ndalimi i tij u bë pasi, Gjykata e Korçës, në 7 mars ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim” si edhe “Prodhimi dhe mbajtja pa lejë e armëve dhe e municionit”. Operacioni “Velçani” u realizua në 29 tetorin e kaluar, gjatë të cilit u sekuestruan 700 kilogramë lëndë narkotike dhe tre armë zjarri. Më herët janë ndaluar edhe gjashtë persona të tjerë.