PSE E RRËZOI FMN-ja KONCENSIONIN E TVSH-së?

0
162

Nga Alket Aliu

Politika e koncensionimit ka marrë një goditje të fortë nga FMN në ditën e fundit të qëndrimit të misionit të Fondit në Shqipëri.

Shefja e këtij misioni, Anita Tuladhar, ka deklaruar lidhur me koncesionin e TVSH-së se “fondi i qëndron idesë se është shumë e rëndësishme që të të ndërmerret një analizë e rëndësishme e riskut në një rast të tillë të shoqëruar me kryerjen e studimeve të fisibilitetit dhe një analizë e mirë kosto përfitime. Këto duhet të reflektojnë dhe efektin në buxhet”.

Në mënyrë të qartë, misioni i FMN-së ka përsëritur ato që ka thënë deri dy javë më parë përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së në Shqipëri, Jens Reinke.

Nga deklarimi publik i shefes së misionit, mund të kuptohet ajo çfarë ka ndodhur me koncensionin që e ka më për zemër Kryeministri Rama, i cili është shprehur i vendosur për realizimin e tij.

Ky është edhe ndër koncensionet më të përfolur. Opozita dhe media kanë ngritur dyshimin se pas tij qëndron një nga miqtë e afërt të Olsi Ramës, vëllait të Kryeministrit Rama. Një dyshim që përforcohet nga këmbëngulja e Ramës për të koncensionuar këtë shërbim me gjithë kundërshtimin e ekspertëve shqiptarë dhe të huaj.

Ministri aktual i Financave, Arben Ahmetaj, ka garantuar sot se ky koncension do të jepet vetëm me konsensusin e FMN-së, pavarësisht kërkesës së përsëritur të Kryeministrit Rama për mbylljen e procedurave që i la përgjysmë paraardhësi i tij, Shkëlqim Cani.

Prononcimi i sotëm i FMN-së ka katër pika themelore.

Së pari, duke e konsideruar tepër të rëndësishme “ndërmarrjen e një analize të rëndësishme të riskut”, FMN lëshon alarmin se një koncensionim i tillë mund të jetë një rrezik për Shqipërinë.

Ekspertët edhe më parë kanë shprehur dyshimet e tyre për rrezikun që i sjell ekonomisë ky koncension.

Kemi 3 konçesione para vitit 2013, që nuk kanë sjellë asnjë të mirë në mirëmenaxhimin e financave publike, por janë kthyer në kosto. Të parin kemi rastin e skanimit në dogana, që është kosto për biznesin dhe buxhetin; rasti i dytë është ai i ngjyrosjes; dhe i treti ai pullave, të fokusuar tek pjesa e akcizës, ku problematika vazhdon. Dhe sipas raportit të fundit për të ardhurat e vitit 2015 dhe vlerësimit të FMN, është një nga sektorët me problematikën më të madhe”, tha dy muaj më parë për TCH Arben Malaj.

Së dyti, duhet të kryhet studimi i fizibilitetit.

Pavarësisht se Ministria e Financave ka bërë të ditur se ajo e ka kryer një studim fizibiliteti me ekspertët e saj, HashtagAL zbuloi se ky “studim” nuk ishte gjë tjetër veçse një konfirmim i propozimit të kompanisë nga Hong-Kongu, e cila ka kërkuar të jetë koncensionarja e këtij shërbimi.

I gjendur në vështirësi, ish-ministri i Financave pranoi se janë marrë disa fragmente nga ai propozim, por kjo ka ardhur sepse ekspertët e tij nuk ishin në gjendje të verifikonin ato detaje për të cilat kompania propozuese ishte eksperte.

Ministria e Financave pranoi kështu se nuk kishte kryer detyrën për angazhimin e ekspertëve të specializuar, por kishte marrë copy-paste interpretimin e kandidatëve për koncensionarë.

Alibinë e këtij studimi fizibiliteti e ka rrëzuar në këtë mënyrë sot FMN-ja, e cila ka thënë qartësisht se një studim i fizibilitetit është i domosdoshëm.

Së treti, duhet një analizë më e mirë e kostove dhe përfitimeve.

Me fjalë të tjera, ky koncension do të ketë një kosto e cila duhet vlerësuar dhe po ashtu duhet vlerësuar edhe përfitimi që vjen prej tij. Me gjuhë popullore, duhet parë “nëse ja vlen barra qeranë”.

Ka dhe një problem tjetër për këtë rast, pasi do të përdoren para buxhetore dhe ofrohen të dhëna apriori fiktive për rritje e mbledhjes së taksave, tha dy muaj më parë eksperti i financave Zef Preçi, i cili ngriti të njëjtin shqetësim.

Së katërti, është efekti që ky koncension do të ketë në buxhet.

Sipas projektit të paraqitur fillimisht nga ish-ministri Cani, kompania M.POS, e cila paraqiti propozimin, llogaritej të rriste mbledhjen e TVSH-së me së paku 11%. Port ë dhënat e janarit treguan se gjatë vitit 2015, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e kishte rritur këtë mbledhje me 14,7%, ose 3,7% më shumë se sa duhet ta rriste koncensionari.

Përderisa vetë shteti arriti ta rriste mbledhjen e TVSH-së më shumë se sa angazhohej ta bënte private, dyshimi për dobishmërinë e tij është i arsyeshëm.

Pikërisht këtë kërkon të dijë edhe FMN-ja, nëse ky koncension i hyn në punë shqiptarëve që nuk janë pjesë e familjes biologjike të kryeministrit apo që nuk janë ortakë me të vëllanë e tij

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here