Reforma në Drejtësi ndan PS-LSI, Pandeli Majko kërkon zgjedhje të parakohshme

0
184

Qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim lidhur me reformën në drejtësi që duhet të bëhet sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe negociatat mes palëve duhet të zhvillohen në nivel politik, po e ndan gjithmonë e më shumë me aleatin e tyre Partinë Socialiste.

Sot Meta konfirmoi përsëri qëndrimin e LSI në këtë drejtim, duke qënë në këtë mënyrë në anën e Partisë Demokratike, e cila po ashtu kërkon negociata në nivel politik, dhe jo në nivel ekspertësh siç kërkon PS.

Deputeti i PS dhe anëtari i komisionit për reformën në drejtësi, Pandeli Majko ka hedhur në tryezë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Në një status të gjatë në Facebook, Majko analizon situatën dhe shkruan që nëse nuk arrihet një zgjidhje unanime për të realizuar reformën në drejtësi, atëherë ai propozon që t’i drejtohet Kongresit të Partisë Socialiste për zgjedhje të parakohshme. Sërish koalicioni qeverisës është në udhëkryq dhe në situatë të komplikuar.

Statusi në Facebook i deputetit të PS Pandeli Majko

ZGJIDHJE OSE ZGJEDHJE

Politika është një lëndë përtej gjuhës së folur. Ajo ju takon njerëzve që dinë të marrin vendime.
Si anëtar i komisionit të reformës së drejtësisë nuk kam ndonjë merak të bëhem pjesë e tragji-komedisë për një histori politike që po shkon drejt fundit. Kërkesa që reforma të negociohet politikisht në terma praktikë kërkon ta vrasë atë. Kush dëgjon kundërshtarët e reformës kupton se përpjekja për ta trajtuar atë si një cështje politike e fillon punën nga epara. Thuajse gjithshka cfarë është bërë dhe diskutuar në këtë reformë me ekspertizën ndërkombëtare europiane dhe amerikane bie. Bashkë me kërkesën për dialogun e ashtuquajtur politik bie “bashkëpronësia” e deklaruar në publik nga faktori ndërkombëtar për shtyllat dhe parimet e reformës.

Në mbledhjen e fundit të komisionit paralamentar kundërshtarët e reformës morën qëndrim zyrtar kundër këtyre parimeve dhe strukturës së reformës. Ironia arrin aty sa të njëjtit njerëz që kërkuan dhe votuan ndërprerjen e mandatit për një deputet “kriminel” në Kuvend e refuzojnë ta bëjnë këtë për një gjykatës dhe prokuror që bashkëpunon me mafian dhe liron kriminelët e “pafajshëm” apo që nuk di të shpejgojë gjendjen e tij financiare.
Të flasësh në politikë do të thotë të jesh i qartë. Në se kjo situatë vazhdon kështu Partia Socialiste duhet të bëjë një zgjedhje. Reforma e drejtësisë nuk është një nga reformat tradicionale me mbushje “formularësh” me të cilat publikut shqiptar i ka ardhur në majë të hundës. Lufta për të drejtën nuk është legalizimi ndershmërisë me formular.

Reforma e drejtësisë është dhe do të jetë jetike për të ardhmen e Shqipërisë në integrimin europian. Ajo është një reformë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për këtë arsye ajo ka edhe bashkëpronësi ndërkombëtare. Ajo është konstruktuar dhe nuk mund të rinegociohet në parimet e saj duke e zhbërë atë me komedinë e konsensusit politik. Nuk jam kundër dialogut por mendoj se kundërshtarët e reformës janë sot më të qartë se sa përkrahësit e saj.

Në se nuk mundemi të bindim kundërshtarët e reformës së drejtësisë atëherë shoqëria shqiptare nuk duhet të lihet si “vëzhguese”. Kjo reformë nuk është pronë e politikanëve pasi për politiken, drejtësia ka “funksionuar” shumë mirë.
Përgjigja e debatit steril për dashurinë e politikanëve për atdheun dhe partinë ka raste që ka kuptim. Partia Socialiste nuk ka pse pranon bashkëfajësinë në këtë histori mafioze që rëndon mbi drejtësinë shqiptare. Unë kam një propozim për Kongresin e Partisë sime të cilën e dua se dua Shqipërinë. Partia në cdo rast është pjesa. Shqipëria ka brenda edhe kundërshtarët politikë me të cilët ndajmë një atdhe dhe një të ardhme. Pa drejtësi nuk ka të ardhme për vendin tonë. Të vetëm nuk ja dalim dot. Kjo zgjidhje kërkon zgjedhje. Duhet të vendosim. Në këtë rast maskat nuk funksionojnë. Sigurisht.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here