Privatizimi i INSIG / Si u ndihmuan këto firma konkuruese për të fshehur problemet e tyre

0
127

hashtag2 hashtag3  hashtag

Në tenderin për privatizimin e kompanisë shtetërore INSIG, subjekti që dha ofertën më të lartë është kompania “Eurosig”. Me një vlerë rreth 2.2 miliardë lekë, afro 16 milionë euro.

Por në bazë disa të dhënave ‘gjysmë-publike’ kjo kompani private sigurimi që është pretendente kryesore për fitimin e tenderit rezulton se ka qenë objekt i një historie hetimi administrativ dhe financiar nga AMF-ja(Autoriteti Mbikëqyrs Financiar) dhe ka shfaqur probleme serioze në deklarimin e financave të saj dhe në kapacitetet paguese.

 

Faksimile e faqes së parë të raportit hetimor për kompaninë “Eurosig”

AMF-ja drejtohet aktualisht nga znj. Enkeleida Shehi, ndërsa institucioni në muajin Nëntor 2015 përfundoi një raport hetimi mbi kompaninë “Eurosig”.

Në faqen zyrtare të AMF-së është ekspozuar vetëm faqja e parë e këtij raporti.

Nga kontakti që HashtagAL ka pasur me një zyrtar të bordit të AMF-së, ky i fundit na sqaroi se raporti për kompaninë “Eurosig” nuk mund të vihej i plotë në dispozicion, jo sepse ishte ndonjë sekret shtetëror, por se në raport paraqiteshin “të dhëna sensitive për kompaninë”.

Por një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit i Dhjetorit 2015, i tërhiqte vëmendjen këtij institucioni se kishte detyrimin që t’i publikonte vendimet dhe raportet të plota në faqen zyrtare.

Kur i referuam këtë të dhënë anëtarit të bordit të AMF-së, ky i fundit u përgjigj:

“KLSH-ja ka lënë afat kohor 6 muaj për ta zbatuar këtë rekomandim. Por gjithësesi lidhuni me zyrën e shtypit se mbase ua japin ata”

 

Raporti i Kontrollit të Shtetit pas auditimit të kryer në AMF

Raporti i KLSH-së, përveç fshehjes së vendimeve rezulton se ka konstatuar dhe disa probleme dhe shkelje më serioze në institucionin e AMF-së që drejtohet nga znj. Enkeleda Shehi.

Konstatimet e KLSH-së janë të rënda dhe pa ekuivok.  Fillimisht KLSH-ja konstaton se 6 kompani sigurimi në Shqipëri nuk kishin aftësi paguese ndërsa në vitin 2014 ishin bërë 7 kompani sigurimi që e kishin humbur këtë aftësi.

Vëren raporti i KLSH:

Në fund të vitit 2013, rezulton që 6 shoqëri sigurimi jo-jetë nuk zotëronin aftësi paguese në nivelin e kërkuar ose nuk dispononin aktive të lejueshme në mbulim të provigjoneve teknike. Ndërsa në fund të vitit 2014, nga 8 shoqëri sigurimi jo-jetë që operonin në treg, vetëm një shoqëri rezultonte me aftësi paguese në nivelet e kërkuara.”

Më tej KLSH-ja konstaton se Bordi i AMF-së nuk kishte penalizuar kompanitë dhe i ka toleruar në mënyrë të kundraligjshme:

Thekson KLSH:

Megjithëse në vitet 2013 dhe 2014 respektivisht 6 dhe 7 operatorë nuk kanë kënaqur raportet e aftësisë paguese, Bordi nuk i ka përshkallëzuar masat penalizuese, duke toleruar kështu performancën e dobët të këtyre operatorëve, në kundërshtim me kuadrin ligjor e rregullator.”

Më tej KLSH-ja shprehet se AMF-ja e drejtuar nga znj.Shehi jo vetëm që nuk i ka penalizuar kompanitë por edhe i ka ndihmuar që problemet e tyre të mos bëhen publike.

Shprehet KLSH-ja:

Edhe në rastet kur raportet vjetore bëhen publike në faqet zyrtare të internetit të shoqërive të sigurimet, publiku nuk merr ose mund të marrë informacion jo të besueshëm. Nga ana tjetër, edhe Autoriteti, në raportet e mbikëqyrjes të publikuara në faqen zyrtare, nuk jep informacion mbi mjaftueshmërine e kapitalit dhe të likuiditetit në nivel shoqërie.”

Këto janë disa nga konstatimet e KLSH-së që bëjnë të qartë se Bordi i AMF-së ka çeduar në zbatimin e ligjit dhe ka dobësuar tregun e sigurimeve dhe interesin publik duke favorizuar kompanitë private dhe duke fshehur për publikun problemet e tyre.

Bëhet e qartë se institucioni i drejtuar nga znj.Shehi, ndonëse një institucion publik, është kujdesur më tepër për interesin e kompanive private se sa për interesin publik.

Ndonëse është hapur gara për privatizimin e INSIG, institucioni i AMF-së nuk ka mbajtur asnjë qëndrim për këtë garë dhe nuk ka bërë të qartë për publikun se sa prej kompanive që janë futur në garë kanë probleme dhe mungesë të aftësive paguese.

 

Ofertat e kompanive private për tenderin e privatizimit të INSIG

Rregullat e tenderit të privatizimit të INSIG-ut, imponojnë që kompania që jep vlerën më të lartë ekonomike merr 80 pikë ndërsa 20 pikë të tjera lidhen me performancën.

Rezulton se vlerën më të lartë në këtë tender e ka dhënë kompania “Eurosig”, ndërsa problemet financiare të kësaj kompanie kanë justifikuar dhe një hetim  të posaçëm nga AMF-ja.

Por institucioni i AMF-së nuk e bën publik këtë raport dhe mban një qëndrim të tërhequr duke e bërë situatën të duket sikur ‘çdo gjë shkon vaj’ dhe duke favorizuar në mënyrë arbitrare interesat e subjekteve private në kurriz të interesit publik. / HashtagAL

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here