Muxhahedinët iranianë në Shqipëri

0
152

Bazuar në një marrëveshje me SHBA Shqipëria ka pranuar strehimin e muxhahedinëve iranianë. Sipas mediave mbi 2000 syresh mund të vijnë në Shqipëri. Si dhe pse strehohen muxhahedinët në Shqipëri? A paraqesin ata rrezik?

 

Farzin Bahadur Goudarzi më hap derën e lartë metalike të një godine katër katëshe, të rrethuar me shufra të trasha hekuri dhe pisha dekorative. Eshtë një burrë mbi të 50-at, me syze, dhe pamje intelektuali, që flet një anglishte të mirë. Pasi mbyll me kujdes derën e jashtme të godinës, që ndodhet diku në zonën e Kasharit, gjatë autostradës Tiranë – Durrës, më prin drejt një dhome të vogël, në oborr. Është një dhomë ultra minimaliste: një laptop mbi një tavolinë të vogël plastike, një ngrohëse elektrike dhe fotot bardh e zi të varura në mur të udhëheqësve të muxhahedinëve iranianë në mërgim: bashkëshortët Massuid dhe Maryan Rajavi. Të ulur në karrike janë nja 7- 8 burra, shumica të rinj, që ngrihen në këmbë, më përshëndesin me kokë dhe dalin menjëhere njëri pas tjetrit. Një burrë i moshuar, mbi të 60-at me mjekër dhe syze hyn dhe ofron kafe. “Mikpritja iraniane” thotë anglisht, me një buzëqeshje të përmbajtur. Farzin Bahadur Gourdazi është lideri i komunitetit të muxhahedinëve iranianë, që banon në këtë godinë, i caktuar të komunikojë me mediat. Ai tregon se ka mbërritur në Shqipëri para katër muajsh nga ish-baza ushtarake amerikane, Liberty, në Irak, bashkë me një grup prej 20 muxhahedinësh të tjerë. “Që prej 20 vitesh, jeta ime ka kaluar në kampet Ashraf dhe Liberty në Irak. Në fakt jam një i mbijetuar nga sulmet me raketa të qeverisë iraniane në të dyja kampet. Ndër më të përgjakshmet në kampin Liberty, atë të shkurtit 2013 dhe tetorit 2015, u vranë 76 vetë dhe u plagosën shumë të tjerë. Në kampin Liberty ndodhen tani vëllai dhe motra ime, qindra bashkëluftëtarë të tjerë, që kanë jetën në rrezik”, thotë për DW Farzin Bahadur Goudarzi. Ai pranon që është një nga krerët e Organizatës Popullore të Muxhahedinëve në mërgim, në opozitë me qeverinë e Iranit dhe që emri me të cilin prezantohet është pseudonimi i tij.

Pranimi i muxhahedinëve obligim i Shqipërisë si anëtare e NATO-s

Emri i vërtetë ndodhet ndofta në zyrat e Qendrës Kombëtare Pritëse të Azilkërkuesve, në periferi të Tiranës, që varet nga Ministria e Brendshme. Në këtë qëndër ai u regjistrua, mori dokumentat ligjore dhe leje-qëndrimin në Shqipëri si azilant politik. Qendra nuk është e autorizuar nga Ministria e Brendshme të japë të dhëna për numrin e muxhahedinëve, që ka pritur dhe përcjellë që nga viti 2013 kur erdhi kontigjenti i tyre i parë. Një punonjëse e administrates më thotë, që nuk është e lejuar të takoj dhe bisedoj në territorin e Qendrës me asnjë nga azilkërkuesit e strehuar atje, duke përfshirë edhe muxhahedinët. Një kamera regjistron këdo që hyn dhe del nga porta e hekurt që hapet dhe mbyllet nga brenda. Ardhja për here të parë këtu e muxhahedinëve ndodhi pas marrveshjes që ish-kryeministri Sali Berisha nënshkroi me SHBA për pranimin e tyre në Shqipëri, pasi qeveria amerikane e hoqi në 2012 organizatën e muxhahedinëve nga lista e organizatave terroriste. Muxhahedinët u morën nën mbrojtjen e SHBA pas ndërhyrjes së tyre të armatosur në Irak në vitin 2003 dhe mbështetjes që ata u dhanë operacioneve ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe luftën kundër terrorizmit. Rotacioni i pushtetit nga qeveria e PD-së drejtuar nga Berisha tek PS nën kryeministrin Edi Rama nuk e ndryshoi marrëveshjen e arritur më 2013 për pranimin e muxhahedinëve në Shqipëri. Ministria e Brendshme tha për DW, se pranimi i tyre i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon. “Shqipëria është angazhuar si vend anëtar i NATO-s, dhe si vend aspirant për anëtar i BE-së, që të marrë të gjitha masat dhe të angazhohet maksimalisht për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, krah për krah vendeve partnere”, theksohet në qendrimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme.

Mes shpresës dhe frikës për jetën

Farzin Bahadur Goudarzi nuk dëshiron të fotografohet as ai, as dhoma ku po bisedojmë, as godina ku ai banon me shokët e tij. Ai i trembet se mos zbulohet nga shërbimet sekrete të Iranit. “Nëse shërbimet sekrete të Iranit zbulojnë që jam në Shqipëri, kjo vë në rrezik jetën e të afërmëve dhe shokëve të mi, që janë ende në kampet Ashraf dhe Liberty në Irak por edhe jetën time. Jam mirënjohës për mikpritjen në Shqipëri, jemi nën kujdesin e shtetit shqiptar por dora e shërbimeve sekrete iraniane mund të arrijë edhe këtu. Organizata jonë, e themeluar në vitin 1965, ka shpresë të madhe që regjimi i Iranit do të përmbyset një ditë. Ky do jetë një zhvillim pozitiv për gjithë Lindjen e Mesme, pasi Irani eksporton terroristë kudo në botë”, thotë ai. Sa reale është frika e tij nga shërbimet sekrete iraniane? Tre vjet pas ardhjes së muxhahedinëve në Shqipëri nuk është raportuar ndonjë akt subversiv ndaj tyre. Sipas Komisariatit të Lartë të Kombëve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) dhe gazetës Washington Post, (14 shkurt 2016) deri tani në Shqipëri jetojnë 700 muxhahedinë që pritet të shtohen nga të tjerë gjatë këtij viti. Artan Hoxha, gazetar i mirënjohur investigues në Tiranë, thotë për DW se nisur nga kapacitetet e pamjaftueshme logjistike të policisë dhe strukturave të Antiterrorizmit në Shqipëri, frika e Farzin Bahadur Goudarzi nuk është pa baza. “Irani i konsideron muxhahedinët terroristë, armiq potencialë të regjimit që kërkojnë ta rrëzojnë atë. Nuk përjashtohet mundësia që ata të jenë objekt i akteve subversive nga shërbimet sekrete iraniane. Shërbimet tona të antiterrorizmit janë njoftuar vitin e kaluar nga shërbimet sekrete të vendeve partnere që në Shqipëri kishin hyrë dy gra, të njohura si ekzekutore për të ekzekuruar drejtues të grupit të muxhahedinëve, që strehohen në Shqipëri. Misioni i tyre u dekonspirua dhe ato dolën nga territori shqiptar, pasi policia rriti shumë kontrollet. Për garantimin e jetës së muxhahedinëve në Shqipëri përveç vëmendjes së shtetit shqiptar hyn në lojë bashkëpunimi me vendet partnere të NATO-s kryesisht SHBA-në”, thotë Artan Hoxha.

“Muxhahedinët e strehuar në Shqipëri asnjë rrezik për popullsinë”

Farzin Bahadur Goudarzi thotë se ndihet mirë dhe jeton në një mjedis mikpritës dhe mbështetës. Banorët vendas të zonës periferike ku ai banon përpiqen ta ndihmojnë komunitetin e muxhahedineve në gjërat e jetës së përditshme. “Tani për tani nuk kemi asnjë plan të largohemi nga Shqipëria. Respektojmë rregullat, lajmërojmë policinë nëse ndryshojmë banesë apo lëvizim në një destinacion tjetër”, thotë ai. Sesa do të jetë numri i muxhahedinëve që do të vijnë gjatë këtij viti në Shqipëri për t’iu bashkuar Bahadur Goudarzi-t e grupit të tij? Mediat ndërkombëtare mes tyre edhe VOA raportojnë për 2000 syresh. Por Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, tha të enjten (10.03.2016) në Parlament, se “është e pavërtetë që qeveria ka marrë vendim për strehimin e 3000 muxhahedinëve, kjo është një marrëdhënie e nisur që nga koha e qeverisë së kaluar”. Por pavarësisht nëse numri aktual prej 700 vetësh i muxhahedinëve që janë tani në Shqipëri do të dyfishohet apo trefishohet si edhe faktit që jetesa e tyre financohet nga qeveria e SHBA-së, BE dhe UNHCR, çështja që ngrihet është nëse ky numër ka gjasa të krijojë probleme për shtetasit shqiptarë. “Jo, nuk ka gjasa apo ndonjë rrezik. Ata shikojnë punën e tyre, pas marrjes se lejeve të qëndrimit shumica ikin nga Qendra Kombëtare e Pritjes për Azilkërkuesit dhe marrin banesa me qira, disa fillojnë punë”, thotë Artan Hoxha. Megjithatë qeveria garanton sigurinë e shtetasve shqiptarë. Në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Brendshme për DW theksohet se: “Qeveria jonë nuk ka marrë dhe nuk do të marrë asnjë hap që do të cenojë sadopak sigurinë e secilit shtetas shqiptar me banim brenda apo jashtë Shqipërisë.”.

 

 

SHBA i shet avionë luftarakë “aleatit të pasigurt”

Senatorët amerikanë kanë pasur dilema për shitjen e avionëve luftarakë F-16 në Pakistan, duke e cilësuar atë si “aleat të pasigurt” të Shteteve të Bashkuara, por në fund e kanë mbështetur marrëveshjen. Senati ka votuar me 71 vota kundër rezolutës, e cila do ta bllokonte marrëveshjen prej 700 milionë dollarësh me Korporatën Lockhead Martin, ndërsa 24 vota kanë qenë për. Sponsor i rezolutës ka qenë senatori republikan, Rand Paul, njëherësh ish-kandidat për president të SHBA-së. “Edhe pse Qeveria e Pakistanit është konsideruar aleat i Amerikës në luftën kundër terrorizmit, sjellja e Pakistanit do të sugjeronte ndryshe”, ka thënë Paul. “Edhe pse u japim atyre miliarda dollarë ndihma, ne jemi të vetëdijshëm se inteligjenca e tyre dhe aparati i tyre ushtarak ndihmon talibanët afganë”, ka shtuar ai. Shtetet e Bashkuara kanë bërë përpjekje të bindin Pakistanin që të përdorë ndikimin e tij dhe të sjellë talibanët në tryezën e bisedimeve për paqe me Qeverinë e Afganistanit. Pos që ka siguruar Islamabadin si vend për bisedime, Pakistani nuk ka arritur të bindë talibanët, gjë që ka zemëruar Uashingtonin dhe Kabulin. Për më tepër, Uashingtoni ka akuzuar hapur agjencinë e inteligjencës të Pakistanit për mbështetje të rrjetit Hakani, një fraksion ky i talibanëve, i cili është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara. Inteligjenca pakistaneze, megjithatë, ka hedhur poshtë akuzat.

Fakti që rezoluta e senatorit Paul për të bllokuar shitjen e avionëve luftarakë për Pakistanin ka siguruar mbështetje nga pothuajse një e katërta e Senatit, tregon se sa të thyera janë marrëdhëniet midis dy vendeve. Administrata Obama, muajin e kaluar, ka miratuar shitjen e avionëve F-16 në Pakistan, por disa aleatë demokratë, përfshirë senatorët Chris Murphy, Mark Warner dhe Joe Manchin, kanë votuar kundër shitjes. India po ashtu ka protestuar fuqishëm kundër shitjes së avionëve të tillë të sofistikuar te rivali i saj bërthamor. Kryetari i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Bob Corker, u ka bërë thirrje kolegëve të tij që të lejojnë shitjen, edhe pse Pakistani, sipas tij, ka bërë “dredhi” ndaj Shteteve të Bashkuara. Corker ka thënë se bllokimi i shitjes do të turpërorjë publikisht Islamabadin dhe do ta detyrojë atë që të blejë avionë luftarakë nga Rusia ose Franca. Por, Corker dhe mbështetësit e tjerë të marrëveshjes kanë rënë dakord që të pengojnë financimin e SHBA-së për të ndihmuar Pakistanin në pagesat e luftëtarëve. “Ndalimi i subvencioneve dërgon një mesazh shumë të nevojshëm për Pakistanin që ai të ndryshojë sjelljen e tij. Ndërsa, bllokimi i shitjes së avionëve luftarakë do të bënte më shumë dëm, sepse do t’iu hapte rrugë vendeve si Rusia dhe Kina që të shesin në Pakistan, si dhe do të pengonte bashkëpunimin më të madh kundër terrorizmit”, ka thënë Corker/ evropaelire.org

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here