Si përfundoi në faliment “gjigandi” KURUM?

0
313

Ka qenë e papritur shpallja e falimentit së fundmi nga kompania e prodhimit të çelikut dhe energjisë, Kurum International. Deri në fund të vitit 2014, Kurum renditej në operatorin e pestë më të madh sipas xhiros në vend, me një qarkullim vjetor 28 miliardë lekë, me rritje me bazë vjetore 16%, kryesisht si rrjedhojë e përfshirjes në aktivitetin e energjisë përmes blerjes së katër hidrocentraleve në fund të 2013-s, Bistrica 1,2, Ulëz dhe Shkopet me fuqi totale të instaluar 76.7 MË. Kurum ishte gjithashtu eksportuesi i dytë më i madh në vend në 2014-n, me me shitje jashtë vendit prej 13.5 miliardë lekësh, me një rënie prej 16%. Nuk ka munguar Kurum as në renidtjen e 100 kompanive më të mëdha sipas fitimit, ku ishte e 55-a, pas një rënie të ndjeshme të këtij treguesi në 309 milionë lekë nga 2.8 miliardë lekë vitin e mëparshëm. Sipas një interviste që menaxheri i përgjithshëm i Kurum International, Koray Zeytinoglu ka dhënë për Monitor në shtator të vitit të kaluar ka pohuar se ecuria e të ardhurave në 2014-n ishte thuajse njësoj me një vit më pare, por fitimi është minimizuar, si efekt i bursës ndërkombëtare. “Nga ana tjetër, në periudhën 2013-2014 ka pasur edhe rënie të ndërtimit në Shqipëri, për shkak të bllokimit të lejeve të ndërtimit, ndaj jemi detyruar të shtojmë eksportet. Por, kur shesim për eksport, normal që ka kosto transporti dhe në bursën ndërkombëtare ka shumë konkurrencë, duke zvogëluar marzhet e fitimit. Ndërsa, energjia, në krahasim me hekurin, është më fitimprurëse dhe ka qenë konstante si prodhim dhe si fitime. Viti 2015 pritet njësoj si 2014-a, si në xhiro ashtu dhe si prodhim. Për muajt e parë të 2015-s, 63% të prodhimit e kemi eksportuar. Janë rritur eksportet, sepse kur nuk kërkon më tregu i brendshëm, detyrohemi që të çojmë prodhimin tonë jashtë, në zonat e Ballkanit, si Maqedoni, Kosovë, Mal i Zi”, pohonte menaxheri i Kurum, duke mos paralajmëruar vështirësi, që do të detyronin deri në shpallje të falimentit. Madje ai pohonte që në 2016-n planifikonte të rritej më tepër se 2014 dhe 2015. Kompania ka qenë ndërkohë në fokusin e autoriteteve për mosrespektim të standardeve mjedisore, që e detyruan Ministrinë e Mjedisit të bllokonte aktivitetin e Kurum në maj të vitit të mëparshëm.

Detyrimet

Po si ka qenë gjendja financiare e kompanisë dhe e detyrimeve të saj sipas bilancit të saj të vitit 2014 (viti 2015 nuk është mbyllur akoma dhe bilanci dorëzohet në fund të marsit). Kurum ka raportuar se huatë afatgjata janë rreth 15.3 miliardë lekë, apo rreth 111 milionë euro. Në bilanc nuk specifikohet se ndaj kujt është ky detyrim. Gjithsesi, pjesa më e madhe e kësaj huaje i përket institucioneve ndërkombëtar, pasi edhe banka më e madhe në vend nuk mund të japë më shumë se 30 milionë euro për një klient të vetëm (sipas rregullores së bankës së Shqipërisë, një bankë nuk mund të japë më shumë se 20% të kapitalit për një klientë të vetëm). Kompania ka dhe raportuar dhe hua afatshkurtër prej 3.2 miliardë lekësh apo rreth 23 milionë euro 9që sipas shpjegimeve në bilanc janë overdraft në banka të ndryshme), duke e çuar në total, në rreth 134 milionë euro totalin e huave afatshkurta dhe afatgjata. Kompania ka dhe llogari të pagueshme (detyrime) ndaj të tretëve në shumën e rreth 17.3 miliardë lekëve (125 milionë euro). Audituesi ka certifikuar bilancin e Kurum, duke u shprehur se pasqyrat japin një pamje të vërtetë e të sinqetë të gjendjes së shoqërisë.

Albametal hyn garant

Pak ditë para se Kurum të shpallte falimentin, në 19 shkurt të këtij viti, në QKR është regjistruar një kontratë pengu lidhur midis Barredhenesit “Albametal” sh.p.k. dhe “Kurum International “ sh.a, me Barredhenes/Pengdhenesi Z. “ Hasmet Bedii Kurum ”, me objekt: Krijimi i Pengut dhe i Barres Siguruese. Sipas aktit të vënies së pengut, barrëmarrës janë shoqëria Albametal, me administrator Miodrag Jankovic dhe Kurum International përfaqësuar nga Yusif Sezai Kurum. Barrëdhënës/pengdhënës është Hasmet Bedii Kurum. Objekti i marrëveshjes është krijimi i pengut dhe barrës siguruese, sipas të cilit pengdhënësi,/barrëdhënësi si një garanci për shlyerjen e plotë dhe të pakthyeshme të detyrimeve të garantuara me anë të këtij akti: Në mënyrë të pakthyeshme japing peng aksionet në favor të barrëmarrësit Në mënyrë të pakthyeshme bien dakord për dhënien dhe krijimin e një barre siguruese mbi aksionet e pjesmarrjes në shoqëri dhe të drejtat e lidhura me to në favor të barrëmarrësi Albameta; dhe çdo aksion i ri i shqërisë dhe të drejtat e lidhura me ta që mund të zotërohen në të ardhmen nga barrëdhënësit. Albametal ka seli po në Elbasan dhe sipas të dhënave në QKR kompania është krijuar në tetor të vitit 2014 dhe ka si object prodhimin, tregtimin e çeliqeve te ndertimit e profileve te tjera te hekurit. Aksioner i 100% të kapitalit është NOVOMETAL DOO VETERNIK.

(marrë nga Monitor)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here