Dinastia Shqiptare që drejtuan një perandori

0
227

Qyprilinjtë (Köprülüler) janë e vetmja dinasti joturke në historinë osmane, e cila për më shumë se gjysmë shekulli mbajti në duar frenat e një prej perandorive më të mëdha të kohës.  Kjo familje shqiptare që arriti të krijojë një dinasti, i vuri vulën një segmenti të rëndësishëm kohor të historisë osmane (gjysmës së dytë të shek. XVII), madje aq sa ajo është qartësisht e skalitur në atë që njihet si Periudha e Qyprilinjve. Ky fakt i rëndësishëm historik jo vetëm në opinionin e gjerë, por edhe në qarqet intelektuale shqiptare është pothuajse i panjohur.
Prej kësaj dere shqiptare, që i shërbeu me devocion perandorisë dolën pesë Vezirë të Mëdhenj (Kryeministra), duke i dhënë kësaj familjeje një emër që për nga pesha politike i kaloi kufijtë e Shtetit Osman. Ky emër vazhdon që edhe sot e kësaj dite të jetë shumë i respektuar në qarqet elitare turke.
Të bësh emër në histori perandorish nuk është e lehtë, por të bësh epokë brenda një perandorie që sundoi botën në shek. 15-17, duhet të ketë qenë me të vërtetë e vështirë. Merita e veçantë e kësaj familjeje është se ata e morën drejtimin e perandorisë në momente të vështira trazirash të brendshme, të cilat po ndikonin edhe politikën e jashtme osmane, madje po brenin pak e nga pak themelet e perandorisë. Ndaj asaj i duhej një dorë e fortë dhe për të tillë u zgjodh Mehmet Pashë Qypriliu. Me Mehmet Pashën fillon historia e Qyprilinjve. Këtë mbiemër kjo familje e mori kur Mehmet Pasha fillimisht, si nëpunës i ulët, administroi një pronë në qytezën Qypry (Köprü) në zemër të Anadollit, vend nga i cili mori edhe bashkëshorten e tij. Pas një karriere të suksesshme në poste të rangjeve të ndryshme në Anadoll dhe Ballkan, në tetor të vitit 1656 ai pranoi ofertën për postin e Vezirit të Madh (personaliteti i dytë politik në perandori pas sulltanit), por duke parë ecurinë dhe sfidat me të cilat përballej perandoria, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, ai bëri diçka të pazakontë për kohën dhe historinë e deriatëhershme osmane. Ofertën për t’u ngjitur në postin e Kryeministrit të Perandorisë Osmane e pranoi duke i vënë kushte sulltanit. Dhe ky i fundit pranoi që çdo akt zyrtar që do të dilte nga zyra e Kryeministrit të ekzekutohej, pa dalë asnjëherë kundër vullnetit të Kryeministrit. Sulltani nuk duhet të ndërhynte në emërimet që do të bënte Kryeministri. Sulltani nuk duhet të merrte parasysh mendimet dhe këshillat e asnjë shtetari tjetër, pa marrë më parë miratimin e vezirit shqiptar. Sulltani nuk duhej të influencohej nga thashethemet që do t’i vinin në vesh kundra Qypryliut plak.
Pranimi i kushteve, të cilat i bëjnë me dije pothuajse të gjitha burimet historike bashkëkohëse osmane, e ngriti pashain shqiptar në pozicionin e njeriut që mori drejtimin faktik të perandorisë.
I biri i Mehmet Pashës, Ahmet Pasha, ishte Qypriliu që ia ngriti emrin kësaj familjeje në apogjeun e vet. Ai hipi në postin e Vezirit të Madh me rekomandimin që i ati, para se të vdiste, ia bëri sulltanit. Sukseset e të atit ishin një garanci e mjaftueshme që sulltani ta emëronte Ahmet Pashën në këtë pozitë të lartë pa shfaqur as mëdyshjen më të vogël.
Ahmet Pasha kreu reforma brenda vendit, por edhe pushtime të rëndësishme. Për nga gjeostrategjia e kohës dhe pozicionin e Perandorisë Osmane në detin Mesdhe, spikat pushtimi osman i Kretës (shtator 1669), i cili ishte nga të fundit fushata të suksesshme ushtarake osmane. Si për të vulosur suksesin e tij personal, çka i dha një pozicion të veçantë te sulltani, në kryeqendrën e Kretës së asaj kohe, Kandia, ai themeloi një vakif dhe ngriti një xhami me emrin e tij. Por, Ahmet Pasha njihet edhe si një sponsor dhe mbështetës i një sërë letrarësh dhe intelektualësh të njohur osmanë të kohës, të cilët falë mbështetjes së tij shkruan vepra të vyera për historinë, letërsinë dhe jurisprudencën osmane. Ahmet Pasha është Qypriliu që krijoi bibliotekën e famshme të familjes. Kjo bibliotekë, që edhe sot mban emrin e tyre, është një prej bibliotekave më të mëdha publike në Turqi. Madje e ndodhur në një prej lagjeve më të njohura të Stambollit, ajo vazhdon t’i shërbejë lexuesit edhe sot e kësaj dite.
Qysh në të gjallë të Ahmet Pashës, pas çdo fushate të suksesshme jashtë vendit, Qyprilinjve iu shkruan libra dhe iu thurën lavde. Vezirati i madh i Ahmet Pashës prej 15 vjetësh llogaritet të jetë një nga tre më të gjatët në historinë osmane.
I treti Qyprili që zuri postin e Kryeministrit osman ishte Mustafa Pasha, djali i dytë i Mehmet Pashës. Pas tij erdhi Hysen Pasha, djali i vëllait të Mehmet Pashës, dhe më pas, Niman Pasha i biri i Mustafa Pashës.
Ajo çka këtë familje shqiptare e formëzoi si dinasti nuk ishte vetëm pozicioni si kryeministra për tre breza me radhë, por edhe lidhjet martesore. I fundmi kryeministër i Qyprilinjve, Niman Pasha, u martua me vajzën e sulltan Mustafait II, kurse mes dhëndurëve të Qyprilinjve pati personalitete të rëndësishme që zunë pozicione shumë të larta shtetërore. Njëri prej tyre, Sijavush Pasha, arriti vetë në postin e Kryeministrit, kurse Kara Mustafa Pasha ishte komandanti i ushtrisë osmane që mbajti të rrethuar Vjenën për herë të dytë, në vitin 1683.
Historishkruesit bashkëkohës të Qyprilinjve dëshmojnë se marrja e këtij mbiemri nuk e zbehu ndopak shkallën e vetëdijes etnike te kjo dinasti. Mehmet Pasha, në dokumentin themelues të një vakëfi, që i përket vitit 1660 dhe që sot ruhet në fondin arkivor të bibliotekës së Qyprilinjve, ka shkruar me dorën e tij se: “Atdheu i tij është fshati Rroshnik, që gjendet në kazanë e Beratit të Shqipërisë”. Por kjo familje edhe në shekujt pasardhës vazhdoi t’i jepte perandorisë kuadro që zunë vend në nivele të larta të administrimit të shtetit, diplomatë/ambasadorë, etj. Ndër brezat e rinj të kësaj familjeje spikati Fuat Qyprili (Fuad Köprülü), i cili edhe sot e kësaj dite konsiderohet si themeluesi i studimeve moderne turkologjike. Kontributi i tij në këtë fushë nuk u shpërfaq vetëm me libra e studime, sa në turqisht, aq edhe në gjuhë të huaja, por ai është edhe përgatitësi i plejadës së parë të studiuesve modernë turq në të gjitha disiplinat e shkencave sociale turke.
Si personalitet politik, Fuat Qyprili është ndër nismëtarët e vendosjes së pluralizmit politik në Turqi dhe në vitet ’50 Ministër i Jashtëm i saj. Bota akademike botërore do ta kujtojë atë edhe si personalitetin e parë politik largpamës e me vizion të qartë, i cili i hapi arkivat osmane për të interesuarit dhe krijoi lehtësira në shfrytëzimin e pasurive të mëdha që gjenden aty.
Përtej të dhënave me karakter enciklopedik që parashtruam më sipër, ia vlen të theksohet se historia e kësaj dinastie shqiptare brenda historisë së Perandorisë Osmane është ende e pastudiuar dhe mund të thuhet pa drojë se ajo përbën një sfidë profesionale e personale për çdo osmanist në botë. Vështirësia e studimit të kësaj teme qëndron në faktin se kemi të bëjmë me një familje që faktikisht ka drejtuar perandorinë në tre gjenerata dhe është përballuar me një tematikë të jashtëzakonshme problemesh. Studimi i Periudhës së Qyprilinjve në historinë osmane është një kontribut shumë i madh, jo vetëm për ndriçimin e historisë së Perandorisë Osmane dhe asaj turke, por ajo është një sfidë për të kuptuar dhe perceptuar drejt edhe shkallën e integrimit të shqiptarëve në strukturat drejtuese të kësaj perandorie; madje po të shkonim më tej do të thoshim se studimi i historisë së kësaj familjeje do të ishte i nevojshëm edhe për të hulumtuar se në çfarë mase lidhjet e gjakut dhe vetëdija etnike e shtynë këtë familje të ndihmonte dhe të sistemonte në pozicione kyçe të Shtetit Osman edhe shumë shqiptarë të tjerë. Deri më sot, historiografia shqiptare është angazhuar më së shumti me ngjarje, zhvillime e personalitete historike që kanë vepruar brenda viseve shqiptare, duke e lënë krejt jashtë vëmendjes studimin e kësaj familjeje që bëri emër në qendër të perandorisë.
Ajo çka Qyprilinjtë bënë për shekuj me radhë për Perandorinë Osmane është një tregues real i kapacitetit drejtues të shqiptarëve, por edhe i faktit të pohuar aq rëndom që shqiptarët mund të drejtojnë edhe perandori kur u jepet rasti, por nuk kanë po atë sukses në drejtimin e shtetit të tyre të vogël. Gjithsesi, kjo çështje mbetet për t’u hulumtuar dhe pret një përgjigje shkencore.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here