EDHE AKTIVITETI FIZIK DUHET BËRË SI DUHET

0
153

Ecja dhe vrapimi janë llojet më të zakonshme të Aktivitetit Fizik. Ecja, është më e mundshmja për tu realizuar nga të gjitha moshat, praktike dhe jo me shpenzime.

Ajo që shikon në mëngjes tek Parku i Liqenit, sidomos mosha jo të reja, është synimi të ecin me shpejtësinë më të madhe, me pasojë aktivitet shumë të rritur të zëmrës dhe mushkërive. Në fund të mbuluar me djersë (vetëm 40 % e energjisë së prodhuar nga katabolizmi i sheqernave, lipideve dhe proteinave depozitohet si ATP, pjesa tjetër çlirohet si nxehtësi me pasojë vazodilatacionin e lëkurës – skuqje dhe djersë), të lodhur dhe mezi mbushen me “fryme”. Më mirë të vrapohet me hap të lehtë me minimumin e sforcimit, se më ecje me maksimumin e sforcimit. Meqënëse njerëzit kujdesen më shumë për makinën, ajo që mëson nga ustai është: për të ruajtur motorin, “ec më mirë me një marsh më sipër dhe me minimumin e gazit, sesa me një marsh më poshtë dhe maksimumin e tij”.

Pra njerëzit duhet të synojnë AKTIVITETIN AEROBIK, jo anaerobikun (garat e shkurtra me shpejtësinë më të madhe).

Oksigjeni transportohet nga Eritrocitet (hemoglobina) prej mushkërive në të gjitha qelizat e organizmit. Funksioni kryesor i tij është të sigurojë RESPIRACIONIN (FRYMËMARRJEN) QELIZORE. Respiracioni (Frymëmarrja) Qelizor, u lejon organizmave të përdorin energjinë që përmbajnë sheqernat, lipidet dhe në rast nevoje dhe proteinat (monomerët e tyre). Kjo energji e çliruar nga zbërthimi i monomerëve grumbullohet në përbërje të lidhjeve kimike të ATP (Adenozine Tri Fosfati) dhe qeliza e përdor energjinë e grumbulluar (ATP) sipas nevojës.

Respiracioni qelizor përbëhet nga 3 shkallë:

Glikoliza, quhet ndryshe dhe Respiracioni (Frymëmarrja) Qelizor Anaerob, pra zhvillohet pa ndihmën e oksigjenit dhe siguron vetëm zbërthimin e glukozës në prodhimin e laktatit dhe vetëm 2 molekulave ATP, nëse proçesi nuk vazhdon në Ciklin e Krebsit. Kur niveli i laktatit rritet, pH i gjakut bie dhe muskuli lodhet. Siguron energji shpejt, por në sasi të paktë.

Cikli Krebsit dhe Fosforilimi Oksidativ, sigurojnë energji të pakufizuar dhe në të “digjen” jo vetëm sheqernat, por dhe lipidet dhe proteinat. Fosforilimi Oksidativ, që realizohet në membranën e brëndshme të mitokondrit, ka domosdoshmëri oksigjenin = Respiracioni (Frymëmarrja) Qelizor Aerob. Nëse një molekulë glukoze përfundon dhe Ciklin e Krebsit & Fosforilimin Oksidativ (pra digjet në prani të oksigjenit) do të prodhohet një sasi ATP prej 36-38 molekulash dhe nuk prodhohet laktat.

Kjo tabelë ka qënë e paraqitur në Hyrjen e Parkut të Liqenit (tek Juvenilja), por që u prish dhe nuk u rregullua më.

Pulsi Maksimal është 220/minutë, ndërsa Pulsi Maksimal i Moshës është 220 – Moshën.

85-100% të Pulsit Maksimal të Moshës – aktiviteti është Anaerobik.
75-85% të Pulsit Maksimal të Moshës – aktivitet kardiovaskular i qëndrueshëm.
65-75% e Pulsit Maksimal të Moshës – aktivitet është Aerobik.
< 65% e Pulsit Maksimal të Moshës – aktivitet fizik për fillestarët.

P.sh, një njeri me moshë 50 vjeç, duhet ta ketë Pulsin Maksimal të Moshës 220-50=170 rrahje/minutë dhe duhet të fillojë aktivitetin fizik të rregullt duke e mbajtur pulsin < 65 % të Pulsit Maksimal të Moshës, pra < 110 rrahje/minutë dhe aktiviteti AEROBIK sigurohet me mbajtjen e pulsit 65-75 % të Pulsit Maksimal të Moshës, pra 110-127 rrahje/minutë. Në rast se pulsi arrin 85-100 % të Pulsit Maksimal të Moshës, pra 144-170 rrahje/minutë është duke vepruar në aktivitetin ANAEROBIK me pasojat e veta.

Aktiviteti Fizik ka shumë të mira, por dhe rreziqe. Më kryesoret janë:

Dëmtimet muskulare, zakonisht të vogla, janë pasojë e rritjes së papritur të intesitetit ose volumit të ushtrimeve fizike. Sportet me intesitet të lartë shoqërohen më shpesh me dëmtime muskulare.

Rreziqet kardio-vaskulare: në moshën e mesme ose tek personat e moshuar, ataket kardiake ose vdekja e papritur mund të jetë një risk, sidomos kur ka një rritje të intesitetit ose bëhen ushtrime jo të zakonshme. Tek individët me risk (meshkuj > 40 vjeç ose femra >50 vjeç) duhet të bëhet testimi para se të fillohet programi i ushtrimeve fizike. Atletët e rinj me sëmundje zëmre shpesh të panjohur, mund të jenë në rrezik për vdekje të papritur.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here