Masakra e Elbasanit/Ekzekutimi mafioz në Elbasan, dështon drejtësia, në kërkim vrasësit profesionitë

0
289

 

skema_3 masakra elbasan capjaZbardhet dinamika e masakrës . 3 të vrarë dhe 8 të plagosur. Kush është zanafilla e hakmarrjes mes dy familjeve Çapja dhe Mema. Dyshohet se vrasësit kanë qenë të paguar. Gjendet arma e 3 e krimit, 600 metra larg vendit të ngjarjes. Policia ofron 3 mln lekë për çdo informacion

Vetëm një ditë pas masakrës në Elbasan ku humbën jetën 3 persona dhe u plagosën 8 të tjerë në ambjentet e një lokali, policia arriti të zbardhë dinamikën e ngjarjes dhe të jap detaje lidhur me emrat e personave që u bënë objekt i sulmit mafioz. Por vetëm kaq. Ndonëse forcat e policisë së Elbasanit në këtë aksion mbështeten nga FNSH dhe RENEA, nuk kanë bërë të mundur zbardhjen e emrave të autorëve të këtij krimi dhe numrin e tyre. Për policinë një gjë është e njohur tashmë. Shkaku I ekzekutimit mafioz është hakmarrja mes dy familjeve Çapja dhe Mema. Një hakmarrje që e ka zanafillën gati 10 vite më parë dhe për të cilën shteti nuk ka mundur të bëjë asgjë. Vetëm pak kohë më parë në Elbasan u krye një tjetër ekzekutim që kishte lidhj eme këto dy familje, por sërish asnjë lëvizje nga policia. Duket se atentatorët kanë lëvizur të lirshëm në Elbasan, duke sfiduar hapur policinë.
Kush janë të vrarët dhe të plagosurit
Sipas komunikatës së policisë bëhet e ditur se në datë 03.02.2016 rreth orës 19:54 ,në lagjen “Emin Matraxhiu” Elbasan persona të pa indetifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në ambjentet e brëndshme të lokalit në pronësi të shtetasit Agron Çapja. Si pasojë e këtij sulmi të organizuar nga atentatorët mbetën të vrarë shtetasit , Agron Çapja, 50 vjeç, banues në Elbasan, Ardit Sinakoli , 27 vjeç, banues në Elbasan, Eno Bedalli, 38 vjeç, banues në Elbasan. Ndërsa u plagosën 8 të tjerë që ndodheshin në ato momente në lokal duke biseduar e luajtur letra me njëri-tjetrin. Të plagosurit janë : Ardian Zharri, 45 vjeç banues në Elbasan, Fejzulla Çapja, 58 vjeç,banues në Elbasan, Ferit Muça, 42 vjeç banues në Elbasan, Luan Muça, 47 vjeç,banues në Elbasan, Bujar Rreshka, 40 vjeç banues në Librazhd, Florenc Çapja, 35 vjeç banues në Elbasan, Arnold Çapja, 23 vjeç, banues në Elbasan, Erdis Sulku, 33 vjeç, banues në Elbasan.
Sekuestrohen armët e krimit
Pas ekzekutimit autorët të cilët dyshohet se kanë qenë të paktën katër, kanë hedhur armët e krimit. Dy prej armëve u gjetën në oborrin e lokalit, ndërsa arma e tretë u gjet 600 metra larg vendit të ngjarjes, në rrugën Elbasan –Prrenjas. Pra nga kjo e dhënë dyshohet se atentatorët pas krimit janë larguar me mjetin e tyre tip benz ngjyrë gri në drejtim të Prrenjasit. Gjurmët e tyre më pas janë zhdukur. Policia është vënë në ndjekje duke pasur dhe si pistë kryesore të hetimit, hakmarrjen mes dy familjeve. Çfarë provash materiale janë gjetur.
2 armë zjarri automatik model 56, me nr. 015007–65 me një krehër pa fishekë. Një automatik model 56, me nr.11113214, me një krehër pa fishekë, 1 krehër automatiku model 56, me 26 copë fishekë, 65 copë gëzhoja model 56, me kapsolla të goditura, 3 predha cal.7,62mm.
Policia kontrolle në gjithë zonën, 3 mln lekë për çdo informacion
Krimet e rënda janë vënë në krye të hetimit të kësaj masakre. Ndonëse kanë pasur dosje për objektivin e autorëve, policia dhe sektori kundër krimit të rëndë, nuk ka arritur të zbadhë gjë. Ndërkohë drejtues të policisë së shtetit të pyetur nga gazeta Standard bënë me dije se po punohet intensivisht për të identifikuar autorët e krimit. Policia i është drejtuar për ndihmë edhe qytetarëve. Për çdo informacion të vlefshëm ajo ofron 3 milion lekë të reja, duke bërë të ditur gjithashtu se për këtë qëllim do të ruhet anonimati. Gjatë gjithë natës së enjte, Forcat Renea, FNSH dhe Policia e Elbasanit kanë ushtruar dhjetëra kontrolle në banesa, në Elbasan, Peqin, Cërrik, Librazhd e Gramsh.Gjithashtu janë kontrolluar në akset rrugore e në qytete automjete të dyshuara që mund të lëviznin autorët. Janë krehur me këmbë zona koodrinore e fushore ku dyshohej se mund të fshihenin autorët apo mund të kishin braktisur makinën. Ndërkohë janë kontrolluar mbi 150 garazhe makinash në hyrje të pallateve. Më shumë se 46 persona u shoqëruan në polici. Familjarët e viktimës Agon Çopja u pyetën për orë të tëra. Një grup Specialistësh të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, të kryesuar nga Drejtori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Specialistët për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Policisë Elbasan si dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan po vijojnë punën për zbardhjen e ngjarjes.
Materialet i’u kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga nenet 79, 25 dhe 278/2 të Kodit Penal.
Personat me të kaluar kriminale
Personat e përfshirë në këtë ngjarje sipas Drejtorit të Policisë së Shtetit Haki Çako kanë pasur të kaluar kriminale. Çako tha për median se policia ishte në dijeni të hakmarrjes së ekzistonte mes dy familjeve, por nuk ka pasur mundësi të ndiqte çdo lëvizje nga pas. Po kështu policia ka pasur dijeni edh epër faktin se mes dy familjeve mund të kishte një tjetër ngjarje të rëndë. Por për fat të keq asgjë nuk u parandalua. Duket se policia ka jetuar me dosjet e hakmarrjes mes dy familjeve dhe ka pritur ekzekutimin mes njëri-tjetrit. Ngjarja e rëndë nuk është kryer nga një person i vetëm, por nga një grup personash.

Gjendja e të plagosurve në spital, tre rëndë

Nga tetë të plagosur, pesë ptrej tyre janë shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe po marrin mjekimin e nevojshëm. Sipas mjekëve tre prej tyre ndodhen në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe po mbahen në reanimacion, ndërsa dy të tjerët kanë dalë në pavionin e ortopedisë. Luan Muça, Ferid Muça dhe Bujar Rreshka po trajtohen në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë. Ata po mbahen në reanimacion. Mjekët që po i ndjekin tregojnë se kanë arritur që gjendjen ta stabilizojnë, por për shkak të plagëve të marra ende nuk e kanë kapërcyer rrezikun për jetën.“Kemi 3 veta në reanimacion. Tre janë rëndë, një është në gjendje tepër të rëndë me predha në trup në veshkë, gjendja është mirë deri më tani dhe për momentin nuk mendojmë të ndërhyjmë. Ky është Luan Muça 47 vjeç. Rasti tjetër është Ferid Muça, 41 vjeç. Ka dëmtim të madh në gluteale dhe pak në kokë”- tha mjeku. Operacionit i është nënshtruar vetëm Muça, ndërkohë që mjekët presin vlerësimin e specialistëve të Otorinolaringologjisë për të realizuar ndërhyrje kirurgjikale edhe tek Rreshka. “Bujar Rreshka 40 vjeç është që dje me aparatura ka aspiruar gjak, ka dëmtim të trakesë dhe do të vendoset për ndërhyrje. Ka plumb që ka dëmtuar artikulacionin”- deklaroi mjeku.Ndërsa dy të plagosurit e tjerë, Florenc Çapja dhe Fejzulla Çapja paraqiten në gjendje më të mirë dhe po trajtohen në shërbimin e ortopedisë.
Ndërsa Bledar Muça ka lënë spitalin. Sipas mjekëve Muça ka kërkuar të lërë vet spitalin.
Filmimi i masakrës nga kamerat e sigurisë vendosur nga familja Çapja
Familja Çapja i ruhej hakmarrjes. Kalvari i vrasjeve ndër vite, kishte detyruar pjestarët e kësaj familje që në ambjentet e lokalit të vendoste kamera sigurie. Jo pak, por tre kamera janë në pjesën e jashtme të lokalit. Policia ka marrë në dorë pamjet e regjistruara dhe po studion lëvizjet e autorëve. Ndërkohë ende nuk bëhet e ditur nëse oficerët e policisë gjyqësore kanë bërë te mundur identifikimin e ekzekutorëve. Momentin e krimit, pjestarë të familjes Çapja qëndronin së bashku me disa shokë të tyre në lokal. Ndërkohë autorët janë afruar pranë lokalit me makinën tip benz ngjyrë gri. Kanë qëndruar makinën në trotuar dhe prej saj mendohet se kanë dalë ekzekutorët. Dyshimet e para ishin për dy autorë, por pas gjetjes së armës së tretë, numri I tyre mendohet të jetë katër. Ka dyshime gjithashtu se atentatorët kanë qen ëtë maskuar me veshje të forcave speciale. Ishte ora 19:54 minuta, kur pranë lokalit në kryqzimin e Krastës, bri autostrades Elbasan – Librazhd, u afrua makina e llojit “Benz” ngjyrë gri. Autorët të cilët thuhet se mund të kenë qenë edhe të paguar qëllojmë me breshëri në drejtim të derës dhe dritares së lokalit. Plumbat depërtojnë duke vrare 3 presona dhe plagosur 8 të tjerë. Aty ndodheshin pjesëtar të familes Çapja, shokët dhe të afërmit e tyre por edhe klient të rastit.

E kaluara e viktimës Eno Bedalli
Eno Bedalli, njëri prej tre viktimave të masakrës në ELbasan, ka qenë i arrestuar si pjesë e një rrjeti të dyshuar pë trafik kokaine në Itali. Sipas mediave italiane, rezulton se 38 vjeçari Eno Bedalli, i njohur si mik i familjes së Agron Çapjas, tashmë edhe ky i vrarë, është arrestuar në qershor të 2013 në Itali. Bedalli ishte pjesë e një rrjeti që merrej me trafikun e kokainës në veri të Italisë. Mediat, në kohën e arrestimit të tyre njoftuan se për prangosjen e grupit prej 10 personash, ku bënte pjesë edhe Bedalli, janë angazhuar mbi 300 forca komando të policisë italiane. Sipas drejtësisë italiane, Bedalli së bashku me grupin ku bënte pjesë, dyshohet se kanë trafikuar rreth 31 kg kokainë, që kap vlerën e 10 milion eurove. Droga, thuhej se trafikohej nga Holanda në Itali dhe më pas banda ku bënte pjesë Bedalli bënin shpërndarjen në sasira të vogla në qytetet si Asti, Udine, Breshia, Savona, Xhenova, Piza, Parma dhe Milano.
Por askush në Policinë e Shtetit nuk ka pasur dijeni se çfarë bëhej me dosjen e viktimës Bedalli, si arriti ai të përfundonte dënimin dhe më pas të futej në shqipëri. Kjo lë shumë pikëpyetje për punën e policisë së shtetit, para së vcilës kriminelët kryejnë veprime pa u shqetësuar.

Kush është historia e gjakderdhjes mes dy fiseve, sa jetë kanë humbur në 10 vite

Katër të vrarët e mbrëmjes së enjte janë viktimat e fundit të një serie vrasjesh me qendër qytetin e Elbasanit mes tetë familjeve ku epiqendër ishin fiset Çapja dhe Mema. Ajo e ka zanafillën në dhjetor të vitit 2005 kur tre persona të maskuar vranë brenda ambienteve të një lokali pranë Universitetit të Elbasanit 33-vjeçarin Sokol Çapja. Personat që ekzekutuan Sokol Çapjen ishin të maskuar. Policia nuk ra asnjëherë në gjurmët e tyre. Ndërkohë që vrasjet vazhdonin.
8 familje u futën në hasmëri
Pas vrasjes së Sokol Çapjas, 8 familje u futën në hasmëri. Fillimisht policia akuzoi si organizatorë të vrasjes së Sokol Çapjas, shtetasit Dritan Sheme, Armando Hasani dhe Ardian Metësn. Sokol Çapja ishte pronari i një hoteli të njohur në Elbasan. Ndërkohë familja Çapja akuzoi Fadil Memën (i vrarë në vitin 2015 në Itali) si organizatorin e vrasjes së djalit të tyre.

Fill pas kësaj vrasjeje do të ndodhnin një seri atentatesh në Elbasan, Tiranë si edhe jashtë vendit ndaj anëtarëve të fisit Mema, por edhe të të afërmve të personave të dyshuar si pjesëmarrës në atentatin ndaj Sokolit. Një nga të akuzuarit, Ardian Meta, u kap nga policia, ndërsa tentoi të arratisej për në Greqi. Gjatë operacionit, ai u plagos duke mbetur edhe i paralizuar. Pas kapjes së Ardian Metës, në Tiranë u vra në rrethana ende të paqarta Dritan Sheme, i cili u lokalizua nëpërmjet të dashurës së tij. Në vitin 2006, efektivi i Policisë, Fadil Mema mbeti i plagosur në një atentat në Elbasan për të cilin policia akuzoi nipin e Sokolit si personin që gjuajti ndaj tij.
Vrasja e Fadil Memës në Itali
Disa kohë më pas u ekzekutua në “Autoshkollën” e Fadil Memës, kunati i tij, Ardian Ibrahimi, por policia nuk mundi të identifikojë dhe të kapë autorët. Fadil Mema do t’i shpëtonte mrekullisht një tjetër atentati në Elbasan, ndërsa e largojnë edhe nga policia për shkak të konflikteve që kishte me fisin Çapja. Në këtë moment ai vendos të emigrojë me familjen në Itali për t’i shpëtuar edhe gjakmarrjes, por ajo e ndjek edhe atje. Në 13 mars 2015, një person e godet me gjashtë plumba atë poshte pallatit në Torino të Italisë duke e lenë pa jetë. Pak ditë më vonë, i biri flet për mediat italiane duke thënë se e dinte kush kishte porositur vrasjen e të atit duke kërkuar nga policia italiane që të gjente personat që e kishin kryer atë.

Një nga pistat e hetimit, vrasja e ish- policit Fadil Mema në Itali

Hetimet e para për ngjarjen e mbrëmshme në Elbasan, kanë nisur me kronologjinë e krimeve të mëparshme midis familjeve Çapaj dhe Mema. Ende nuk dihet nëse është pikërisht kjo hakmarrje që shkaktoi masakrën, por kjo është pista kryesore e policisë momentalisht. I ekzekutuar në Torino të Italisë në mars të 2015-ës, Fadil Mema ish-polici i Rrugores, është emri kyç në zinxhirin e hakmarrjes midis familjeve Çapja dhe Mema. Tre viktimat e masakrës së fundit në Elbasan, Agron Çapja, Ardit Sinakoli dhe Eneo Bedalli besohet se janë pasojë e kësaj hakmarrjeje, e cila ka nisur në 2005-ën, kur u vra një nga emrat e njohur në botën e krimit, Sokol Çapja. Një vit më pas Fadil Mema i shpëtoi një atentati, ndërsa ishte me detyrë oficer policie në Elabsan. Në vitin 2009 ai i kishte shpëtuar një tjetër atentati, përpara një salle bingoje, në Moncalieri. Por nuk mundi t’i mbijetojë në 2015-ën një tjetër atentati, në moshën 54 vjeçare. Ai u vra me 7 plumba pistolete poshtë shtëpisë së tij, në lagjen Mirafiori, në rrugën Pavese, aty ku dhe ekzekutuesit e prisnin. Atë kohë mediat italiane publikuan dëshmine e të birit të Memës, djalit të madh të tij nga tre fëmijët. Ai i tha policise italiane se ishte në dijeni të porositësve, duke iu referuar atentatit të viteve më parë, ku i dyshuar ishte Florenc Çapja një nga të plagosurit e mbrëmjes së mërkurë. Ky pjestar i Çapajve u ndalua edhe në gusht të vitit 2012 si i dyshuar për vrasjen e Gentian Beqirit, që akuzohej për vrasjen e te fortit Sokol Çapës. Beqiri u vra në shtëpinë e tij, ku ishte i paralizuar dhe po vuante dënimin me arrest shtëpie. Mbeti i vdekur nga infarkti edhe i ati.

Gruaja e Memës i shkruante Kryeministrit italian, duke thënë se “ne jemi të dënuar me vdekje. Mafia shqiptare nuk njeh kufij”
Hetimet
Që nga viti 2005 janë vrarë shtatë persona, historia e konfliktit dhe hetimet e policisë
Seriali i vrasjeve – Konflikti ka nisur me vrasjen e Sokol Çapjas, i cili u ekzekutua në vitin 2005 në një lokal pranë Universitetit të Elbasanit. Në atë kohë u arrestuan disa persona
Sherri me ish-policin – Familja Çapja akuzoi ish-oficerin Fadil Mema si organizator të atentatit, pas një konflikti që kishte pasur me Sokolin. Të dyja familjet kishin lidhje miqësore mes tyre
Atentat ish-oficerit – Fadil Memës iu bë një atentat në vitin 2006 dhe vitin 2009 në Elbasan, por u ekzekutua në mars të vitit 2015 në Torino të Italisë, ku jetonte dhe punonte si postier
I dënuari – Gentian Beqiraj u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij, teksa ruhej me policë, pasi po gjykohej për vrasjen e Sokol Çapjas dhe Ardian Ibrahimit, kunatit të ish-policit Fadil Mema
Asnjë dënim – Për të gjitha këto masakra, edhe pse kjo histori hasmërie dihet nga i gjithë Elbasani, drejtësia ende nuk ka dënuar asnjë përgjegjës. Policia ka bërë arrestime disa here

Vrasja e Gentian Beqirit (Ardian Metës)
Në gusht 2012 ndodhi një tjetër vrasje që do të trondiste Elbasanin. Dy persona të pa maskuar ngjiten në një pallat parafrabrikat në lagjen “Qemal Stafa” dhe vrasin në gjumë brenda ambienteve të shtëpisë Gentian Beqirin, i cili ishte i paralizuar dhe mbahej në arrest shtëpie si i dyshuar si pjesëmarrës në atentatin ndaj Sokol Çapjes në dhjetor 2005. Pas kësaj vrasjeje ai kishte ndryshuar emrin nga Ardian Meta në Gentian Beqiri. Gentiani u vra në sytë e të atit, i cili më pas ndërroi jetë pas një ataku kardiak. Ngjarja mund të ishte parandaluar, pasi në derën e pallatit ku jetonte Gentiani ishin vendosur dy punonjës policie, që ruanin viktimën të mos largohej nga banesa. Mediat raportuan atëhere se policët kanë biseduar me autorët, të cilët u kanë thënë se “do të takojmë tezen”. Autorët, sipas përshkrimit të policëve që u arrestuan pas ngjarjes, ishin pa maska dhe me trup mesatar. Pas vrasjes, dolën nga dera dhe pasi përshëndetën dy policët u larguan me një autoveturë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency